2017-05-08 17:29:00

Sot u kremtua lutja drejtuar Zojës Rruzare, në Pompei.


Sot paradite rreth 50 mijë besimtarë u mblodhën në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompeit. Sipas traditës, në mesditë u kremtua lutja e shkruar në  vitin 1883 nga themeluesi i Shenjtërores, i Lumi Bartolomeo Longo. Sivjet lutjes i priu kardinali Francesco Montenegro: “Zoti nuk kënaqet me deklarata të bukura, por boshe, dashurie: kërkon dashuri konkrete, me fakte e vërtetësi. Kërkon t’i japim strehë të pastrehit e bukë të uriturit,  pa pyetur nëse është bashkatdhetar apo i huaj. Të varfërit, që duhen ndihmuar, nuk mund të zgjidhen sipas dëshirave tona”. Këto fjalët e kardinalit, i cili më pas i priu Lutjes drejtuar Zojës.

Tepër e njohur, është një nga më të bukurat, që i drejtohen Virgjërës Mari në Kishën katolike. Lindi, para së gjithash, nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, si ishte kthyer në rrugën e Zotit, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Zoja i tha se duhet t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976.

Dy fjalë për historikun e Festës dhe të lutjes së saj tradicionale, të cilën Bartolo Longo e quajti ‘Ora e botës’, sepse bashkon mbarë botën në një lutje korale:

“Më 7 tetor 1571, në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit nga Korinti, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës.  Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.

Lutja, e kremtuar pranë rrënojave të Pompeit, duket sikur i bën të flasin, të qortojnë, të kujtojnë se fati i njeriut është i pasigurtë; siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzraja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari  i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të luftës së tretë botërore copa-copa.

Në sfondin e Pompeit të lashtë, Lutja drejtuar Zojës merr vlerë simbolike; flet për një hov të ri të kumtimit të krishterë në kohët tona. E ky kumtim  konkretizohet posaçërisht në ftesën për vëllazëri universale.  








All the contents on this site are copyrighted ©.