2017-05-08 14:10:00

Françesku: në Fatima do të jem shtegtar i paqes dhe i shpresës në Zotin


Në Fatima kanë arritur kulmin përgatitjet për të pritur Papën Françesku, më 12 e 13 maj. Ati i Shenjtë foli për këtë shtegtim edhe sot paradite, gjatë takimit me bashkësinë e Kolegjit Papnor Portugez në Romë. I ftoi të pranishmit ta shohin si model Zojën e Bekuar. U tha se dëshiron të çojë në Fatima urimin për paqe e shpresë në Zotin, pikërisht aty ku 100 vjet më parë, shën Maria iu duk tre barinjve të vegjël:

         “Takimi me Zojën qe për ta përvojë hiri, që i bëri të dashurohen me Jezusin. Si Mësuese e ëmbël dhe e mirë, Maria i udhëhoqi vegimtarët e vegjël drejt njohjes së Dashurise trinitare, që u dha mundësinë ta shijojnë Zotin si realitetin më të bukur të ekzistencës njerëzore”.

Besojini Zojës, Mësuese e jetës

         Papa i nxiti meshtarët e Kolegjit Papnor Portugez që, në radhë të parë, të njohin e të duan Krishtin, duke u përpjekur t’i përngjajnë sa më shumë, deri në dhurimin e plotë të vetvetes. Ky duhet të jetë objektivi i tyre kryesor e vetëm kështu, u tha Ati i Shenjtë, mund ta ndjejnë praninë e dashurisë së Zotit:

         “Një Zot i afërt e besnik, ashtu siç e ndjenë të Lumët Françesku dhe Xhaçinta, si edhe Shërbëtorja e Zotit, Luçia. Sot, kundrimi i jetës së tyre të përvuajtur, pavarësisht se të lavdishme, na shtyn t’i besojmë edhe ne kujdesit të së njëjtës Mësuese”.

 “Nënë, që na merr për dore” 

        Të kërkojmë strehë nën mantelin e Marisë, ftoi Papa. Ajo është “nënë, që na merr për dore” dhe na mëson si ta duam Krishtin e vëllezërit:

         “Nguljani sytë Asaj dhe lejojeni t’ju udhëheqë, sepse është Nëna juaj dhe ju do fort; lejojeni t’ju shikojë, që të mësoni si të jeni më të përvuajtur e, edhe më të guximshëm në ndjekjen e Fjalës së Zotit”.

Duhen kultivuar marrëdhëniet nënë-bir me Zojën

         Marrëdhëniet me Zojën, nënvizoi Papa Françesku, na ndihmojnë të kemi marrëdhënie të mira edhe me Kishën: të dyja janë Nëna. E citoi Shën Isakun, abatin e Stelës: “Ajo që mund të thuhet për Marinë, mund të thuhet edhe për Kishën e për shpirtin, frymën tonë. Të tria janë femërore, të tria janë Nëna e të tria dhurojnë jetë”:

         “Prandaj, duhen kultivuar marrëdhëniet nënë-bir me Zojën, mbasi, nëse mungojnë, ka diçka që ndjehet jetime në zemër. Meshtarit që e harron Nënën, sidomos në çastet e vështira, i mungon diçka. I duket sikur është jetim, ndërsa, në të vërtetë, nuk është kështu! Ka harruar nënën. Por, në çastet e vështira, fëmija shkon te nëna, gjithmonë. E Fjala e Zotit na mëson të jemi si fëmijët, që mëkohen në gjirin e nënës (shih Ps 131,2)”.

         Së fundi, Papa Françesku iu lut Zojës së Fatimës të na mësojë të besojmë, të adhurojmë, të shpresojmë e të duam si të Lumët Françesku e Xhaçinta dhe si Shërbëtorja e Zotit, Luçia.








All the contents on this site are copyrighted ©.