2017-05-05 13:57:00

Papa përqafon të krishterët e Lindjes, të goditur nga dhuna


Të ruhet kujtesa e të kultivohet shpresa: janë dy porositë, që i la Papa bashkësisë së Kolegjit Papnor Rumun të Romës, duke e pritur në audiencë në Sallën e Koncistorit, në Vatikan.

Ishte një takim gazmor, për të kremtuar 80-vjetorin e themelimit të selisë së Kolegjit Papnor, që u thirr për të formuar meshtarët e ardhshëm të Kishës greko-katolike rumune. Por para Papës ishin edhe koptë nga Egjipti, siro-katolikë e kaldenjë nga Iraku e Siria, melkitë e maronitë nga Libani e nga Palestina. Mund të studiojnë në Romë, falë mbështetjes, që u jep Selia e Shenjtë. Disa prej tyre janë studentë të Kolegjit Papnor të Shën Efremit, në Romë, të pranuar në këtë bashkësi, që mikpret meshtarë studentë të gjuhës arabe, ardhur nga Kishat Katolike Lindore. Françesku iu drejtua, kështu, kësaj turme kaq të larmishme:

“Duke ju takuar, mendoj për situatën, në të cilën ndodhen shumë besimtarë të trojeve tuaja, shumë familje, të detyruara të braktisin shtëpitë e tyre, përballë valëve shkatrrimtare të dhunës e të vuajtjes. Këta vëllezër e motra tona  dëshiroj t’i përqafoj në mënyrë të veçantë, së bashku me Patriarkët e Ipeshkvijtë e tyre”.

Papa  uroi dy gjëra; mbi të gjitha, ruajtjen e kujtesës:

“Kolegji juaj lindi në një periudhë zhvillimi për bashkësitë katolike lindore; në vijim i ndjeu fort ngjarjet tragjike lidhur me persekutimin ateist, për të parë, më pas, rilindjen e bukur e për të përballuar, vitet e fundit, sfida të reja”.

Kjo histori, e bërë nga dëshmitarë të mëdhenj të fesë e të çasteve të provës, të dimrave të ashpër e të pranverave të lulëzuara, ju përket – tha Papa – për të dhënë më pas, porosinë shumë aktuale:

“Është mirë të ruhet kjo histori, jo për të mbetur të lidhur me të kaluarën, por për t’i jetuar ngjarjet, që sjell çdo epokë, me ndihmën e një kujtese të gjallë ungjillore, që rrok gjithë historinë më të madhe se ne, e mbetet gjithnjë  e hapur për veprimin e Shpirtit Shenjt”.

Françesku i ftoi të pranishmit ta mundin një tundim të rrezikshëm, atë të përshtatjes me mediokritetin, të kënaqjes me një jetë normale, në të cilën gjithçka shkon përpara pa hov e pa zell, për t’u bërë, në fund të fundit, xhelozë për kohën, për siguritë tona, mirëqenien tonë. Por për këtë duhet të marrim shembull nga dëshmitarët e mëdhenj të fesë së kësaj Kishe:

“Nëse nuk ruhet kujtesa - nënvizoi Papa - përfundojmë në mediokritetin e klerikalizmit”.

Urimi i dytë ishte të kultivohet shpresa:

"Është shumë e nevojshme të ushqehet shpresa e krishterë, ajo shpresë që të jep një shikim të ri, të aftë për të zbuluar e për të parë mirë, edhe kur gjithçka errësohet nga e keqja. Nëse shpresa i gjallëron sytë tanë, shikojmë edhe atë, që është e fshehur - shkruan Shën Efremi" (Carmen Nisib, 70):

Së fundi  Françesku i porositi të gjithë të kërkojnë e të nxisin me zemër të pastruar, ecjen në rrugën e harmonisë e të bashkimit të plotë të të krishterëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.