2017-05-05 17:28:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Pashkëve ‘A’


Ja përseri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Pashkëve, ciklit të parë sipas kalendarit kishtar.

Në këtë të diele të Pashkëve, Jezu Krishti i Ngjallur na paraqitet me fytyrën e Bariut të mirë. Ky imazh, kaq i dashur për dëftimin biblik, shpreh përkushtimin e Zotit ndaj nesh. Nëse Zoti është bariu ynë, ne jemi grigja e tij.

Në librin biblik të Daljes (Dl 19,5) lexojmë: “Tani, nëse do të ma dëgjoni zëri tim e do ta ruani dhe mbani Besëlidhjen time, ndër të gjithë popujt, ju do të jeni për prona ime e veçantë”. Kur Jezusi pohon: “Unë jam bariu i mirë” (Gjn 10.11), jo vetëm mishëron përkushtimin e Hyjit Atë ndaj popullit, por shpall se çdo njeri eshte pasuri e çmueshme e Atit Qiellor, eshte nje mirë tejet e çmueshme e Tij. Jezusi  pohon se ndërmjet tij e deleve ekziston një marrëdhënie tejet e veçantë, ekziston bashkimi i jetës, pjesëmarrje në Jetën e vërtetë e të përjetshme në Zotin.

Në pjesën e dytë të Ungjillit të sotëm (Gjn 10,6-10) kemi një tjetër imazh apo figurë, atë të derës. Jezusi do të thotë për veten: “Unë jam porta e deleve” ( Gj 10,7). Dera përfaqëson kalimin nga një permase në tjetrën, nga ajo tokësore në atë qiellore, nga ajo njerëzore në atë hyjnore, nga ajo private në atë publike, nga familja në Kishë, nga Kisha në shoqëri. Duke u identifikuar me portën, Jezusi jo vetëm që paraqitet porsi i vetmi ndërmjetësues ndermjet Zotit e njerezimit, por edhe si vend kalim apo shteg i vërtet, përmes të cilit njeriu mund të vijë të njoh vetveten, ne driten e Fjales se Misheruar, ne driten e Krishtit te Gjalle, Bariut te mire.

                        Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë (Vap 2, 14.36-41)

Pjetri, duke u nisur nga Shkrimet e Shenjta që të gjithë dëgjuesit i njihnin, shpjegon se si këto fjalë biblike janë realizuar në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, i cili është Mesia i vërtetë i shumëpritur prej shekujsh. Në fund ai fton të pranishmit që të marrin një vendim të ri për jetën e tyre, duke pranuar pagëzimin në emër të Jezusit.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! 
Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.” 
Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?” 
Pjetri u dha përgjegj: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.” 
Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!” Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë u kthyen rreth tri mijë vetë.Fjala e Zotit 

Psalmi 23 (22)
Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
______________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
______________

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
______________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
______________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
______________

Leximi i dytë (1 Pjt 2, 20-25)

Kush lufton me të vërtetë për drejtësinë dhe për të vërtetën nuk duhet të presë komplimente. Mëkati i botës është pikërisht ky: të refuzojë atë që bën të mirën. Nëse dikush zbulon një të keqe që mbahet e fshehtë, në mënyrë të paevitueshme e keqja, e goditur që në rrënjë, hakmerret dhe vret. Ky qe fati i Krishtit i parathënë nga profeti Isaia.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, çfarë lumturie veç se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbarni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyrje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. 
Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me vërragët e të cilit jeni shëruar. Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj. Fjala e Zotit 

ALELUJA! Aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: 
i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 10, 1-10)
Populli i Izraelit priste një Mesi Bari, i cili do të kishte kuruar delen e plagosur. Jezusi është bariu i vërtetë, që hyn nga dera dhe delet e njohin. Jezusi është dera: për të gjetur shpëtim është e nevojshme të kalohet nëpërmjet tij, të dëgjohet, të besohet në fjalën e tij, të ndiqet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 
Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë mbas, sepse e njohin zërin e tij. Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.” 
Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të. 
Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë. Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi.”
Fjala e Zotit.

Më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit mund të dëgjoni këtu....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.