2017-05-02 14:24:00

Një relike e shën Nikollit nga Italia në Rusi


Pas afër njëmijë vjetësh nga arritja në Bari, një relike shën Nikollit, ipeshkëv, Pajtor qiellor i kryeqytetit puljez e njëri prej Shenjtorëve më të nderuar në Kishën ortodokse, do të shkojë për herë të parë në Rusi, ku do qëndrojë, së pari në Moskë e pastaj në Shën Pjetërburg, nga data 21 maj deri më 28 korrik. Lajmin e dha kryeipeshkvi i Barit të Italisë, imzot Françesku Cacucci, i cili do të jetë në delegacionin që do ta shoqërojë reliket e shën Nikollit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi i Barit, imzot Caccuci:

Gjithçka nisi nga takimi i Papës Françesku me Patriarkun rus Kiril në Kubë më 12 shkurt 2016. Në atë rast Patriarku i Moskës i pati kërkuar Papës nëse ekzistonte mundësia për ta pasur, edhe përkohësisht, një fragment të relikuiarit të Shën Nikollit në Moskë. Duhet konsideruar se për Kishën ortodokse ruse në veçanti, si edhe për tërë Kishën ortodokse, natyrisht edhe për Kishën katolike, Shën Nikolla ka një domethënie tejet të veçantë; jo vetëm nën profilin e ekumenizmit por nën profilin e Shenjtit të dashurisë e të bamirësisë, të Shenjtit që e ka mbrojtur Rusinë. Këndej prania e relikuiarit të shën Nikollit në Moskë ka një vlerë historike. E nuk duhet harruar se, që në kohën kur reliket e Shën Nikollit, do të thotë eshtrat e tij janë mbartur në Bari – në atë që ne e kremtojmë si festë e translacionit, nga Myra, në Turqinë aktuale – reliket e Shën Nikollit nuk janë zhvendosur kurrë nga Bari. Prandaj ngjarja historike mori shkas nga vullneti i Papës Françesku për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së Patriarkut të Moskës. Mos të harrojmë se parashikohen me miliona shtegtarë rusë, e jo vetëm, që do të shkojnë në Moskë e pastaj në Shën Pjetërburg për t’i nderuar reliket e shën Nikollit.








All the contents on this site are copyrighted ©.