2017-04-29 16:00:00

Papa inkurajon klerin egjiptian: të jeni dritë në mesin e profetëve të shkatërrimit


Takimi i fundit i Atit të Shenjtë në Egjipt, para ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e Kajros, qe ai me meshtarët, rregulltarët e seminaristët, në Seminarin e Madh Patriarkal Kopto-katolik kushtuar Shën Leonit të Madh. Veçanërisht i ndjerë ky përqafim i Papës Françesku me klerin vendas, pikërisht në institucionin ku formohen meshtarët e që përfaqëson zemrën e Kishës Katolike në Egjipt. Papa Françesku i falenderoi të pranishmit për dëshminë e tyre të krishterë dhe i inkurajoi të mos kenë frikë nga rrethanat e vështira, nga pesha e rëndë, që shpesh u duhet të mbartin për shkak të dhunës e të atentateve terroriste, që kanë prekur edhe të krishterët egjiptianë. Por, “kush ikën nga Kryqi, ikën nga Ringjallja!”, u tha Bergoglio. Duhet mbjellur, pa pritur të korrat, theksoi:

“Në mesin e shumë arsyeve për t’u shkurajuar e ndërmjet shumë profetëve të shkatërrimit e të dënimit, në mesin e shumë zërave negativë e të dëshpëruar, ju duhet të jeni forcë pozitive, të jeni dritë e kripë e kësaj shoqërie; të jeni lokomotiva, që e tërheq trenin përpara, drejt objektivit; të mbillni shpresën, të jeni ndërtues urash e veprimtarë të dialogut e të pajtimit”.

Tundimet e klerit

Për ta bërë këtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, të shuguruarit nuk duhet të bien në disa tundime. Papa Françesku përmendi shtatë. Së pari, tundimi për t’u tërhequr zvarrë e për të mos e udhëhequr grigjën e besimtarëve. I shuguruari, tha Papa, nuk mund ta lërë veten në dorë të deziluzionit dhe të pesimizmit. Edhe kur të tjerët nuk dinë ç’të bëjnë, ai duhet të jetë plot iniciativë e krijimtari, pa pritur asnjë lloj mirënjohjeje, sepse besnikëria ndaj Zotit nuk duhet të varet prej saj.

Pastaj, Ati i Shenjtë vuri në duke tundimin për t’u ankuar vazhdimisht e kujtoi se “kush ankohet gjithnjë, në të vërtetë, nuk ka dëshirë për punë”. Së treti, tundimi i thashethemeve dhe i zilisë:

“Rreziku është serioz kur i shuguruari, në vend që të ndihmojë të vegjlit të rriten e në vend që të gëzohet për sukseset e vëllezërve e të motrave, e lë veten në dorë të zilisë e kthehet në një person, që u hap plagë të tjerëve përmes thashethemeve. Në vend që të përpiqet të zhvillohet vetë, fillon të shkatërrojë ata, që po zhvillohen; në vend që të ndjekë shembujt e mirë, i gjykon dhe ua ul vlerën”.

 E Ati i Shenjtë vijoi me tundime të mëtejshme, si ai i krahasimit me të tjerët. Kur krahasohemi me njerëzit, që jetojnë më mirë se ne, vërejti Papa, mund të ndjejmë mllef, ndërsa kur krahasohemi me ata, që jetojnë më keq, na rritet mendja e bëhemi dembelë. E pastaj, tundimi, që Françesku e quajti “faraonizëm”:

“Është tundimi për t’u ndjerë më lart se të tjerët e si pasojë, i nënshtron ata thjesht për lavdinë personale; pretendon të të shërbejnë, në vend që t’u shërbesh”.

Pas këtij tundimi, nga i cili u prekën edhe dishepujt e Krishtit, që ecnin rrugës duke u zënë se kush ishte më i madh ndër ta, Papa vuri në dukje individualizmin. “Është tundimi i egoistëve – i tha klerit egjiptian – që rrugës, e humbin horizontin e në vend që të mendojnë për të tjerët, mendojnë për vetvete, pa pasur aspak turp, madje, duke u shfajësuar” për këtë. Individualisti krijon shkandull, kritikoi Papa, duke përmendur edhe një tundim të shtatë, atë të ecjes pa busull e pa objektiv, pa qenë “as mish, as peshk”:

“Në të vërtetë, pa pasur një identitet të qartë e të qëndrueshëm, i shuguruari ecën pa orientim e në vend që t’i udhëheqë të tjerët, i shpërndan ata. Identiteti juaj si bij të Kishës është të jeni koptë – pra, të rrënjosur në traditat tuaja të lashta e fisnike – e, edhe të jeni katolikë – pra, pjesë e Kishës së vetme dhe universale”.

Vetëm kështu, u tha Papa, do të jeni si pema e mirë, e cila, sa më thellë i ka rrënjët në tokë, aq më shumë lartohet drejt qiellit. Nga cilësia e jetës suaj shpirtërore, i këshilloi Papa të pranishmit në Seminarin e Madh të Kajros, varet cilësia e kushtimit tuaj ndaj Zotit. E përfundoi, duke i kujtuar Egjiptit historinë e vet të krishterë:

“Egjipti ka kontribuar në pasurimin e Kishës me thesarin e paçmuar të jetës murgare. Prandaj, ju bëj thirrje të merrni shembull nga Shën Pali eremit, nga Shën Antoni, nga Etërit shenjtorë të shkretëtirës, nga murgjër të shumtë, që me jetën dhe me shembullin e tyre u hapën portat e qiellit shumë vëllezërve e motrave; e kështu, edhe ju mund të jeni dritë dhe kripë, pra, arsye shëlbimi për vetveten e për të tjerët, besimtarë e jo, e sidomos, për të fundmit, për nevojtarët, të braktisurit e të mënjanuarit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.