2017-04-28 17:24:00

Në meshën e Papës në Egjipt, të pranishëm edhe ortodoksë e myslimanë


Një nga çastet më të rëndësishme të udhëtimit të Papës Françesku në Egjipt është Mesha e së shtunës paradite në stadiumin e aeronautikës ushtarake të Kajros, ku katolikët do të jenë të pranishëm, së bashku me besimtarë të feve të tjera. Mesha kremtohet për bashkësinë katolike, por me të do të marrin pjesë edhe ortodoksë e myslimanë, siç nënvizon, në mikrofonin tonë, Sami Creta, nga Qendra kulturore e Jezuitëve të Aleksandrisë së Egjiptit:

Po, në Meshë  nesër do të jenë të pranishëm jo vetëm katolikët, por edhe përfaqësi ortodokse e myslimane të vendit. Pra, i gjithë vendi do të jetë aty. Është diçka shumë e rëndësishme; shihet qartë që prania e Papës është çast bashkimi ndërmjet njerëzve. Kjo është vërtet shumë pozitive. Nga pikpamja politike dhe ndërkombëtare, prania e Papës sjell një mesazh paqeje. Shpresoj të jetë pikënisje për dialogun e frytshëm në marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme të vendit.

Bota myslimane egjiptiane, a e ka kuptuar mirë rëndësinë e ftesës që Imami i Madh i Al Azharit i bëri Papës Françesku dhe Patrikut ekumenik Bartolomeu I?

Al Azhari ka bërë shumë hapa të guximshme, si për shembull, e ftoi Papën pas një çasti të vështirë në marrëdhëniet me Vatikanin. E pamë këtë edhe në vizitën e Imamit të Madh vitin e kaluar në Vatikan e në ftesën që i bëri Papës Françesku. Presim hapa edhe më të mëdha për një dialog të vërtetë, të lirë, që mund të trajtojë edhe çështjet më të ndjeshme.

Disa të krishterë, këtu në Kajro, kanë shprehur një farë frike pas atentateve. Është ndjenjë e përhapur, apo vetëm e një pjese…

Sigurisht, ka ndjenja negative pas atentateve, sepse nuk është hera e parë. Ishte janari i vitit 2011, kur ndodhi atentati i parë dhe e kujtojmë shumë mirë. Nuk është pozitive, por tani, me këtë vizitë të Papës, shpresojmë të mbërrijnë Pashkët e vërteta, sepse Pashkët sivjet, nuk i festuam si duhet.

Çfarë do të ndryshojë, sipas jush, në jetën e katolikëve, që janë pakicë në vend?

Katolikët janë pakica e pakicës. Mendoj se tani do të ketë më tepër vetëdije për Kishën Katolike në Egjipt, sepse shumë as që e dinë se ekziston. Prandaj, me vizitën e Atit të Shenjtë, do të rivlerësohet edhe Kisha Katolike, e cila është këtu që nga zanafilla dhe është e pranishme sidomos përmes institucioneve të saj si shkollat, spitalet, qendrat kulturore. Bëjnë një punë shumë të rëndësishme dhe të çmuar për Egjiptin. 








All the contents on this site are copyrighted ©.