2017-04-28 18:25:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 3-të të Pashkëve ‘A’


Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Dielës së tretë të Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. Leximet biblike të kësaj së Diele III të Pashkëve na thonë se si, në saje të forcës së ngjalljes së tij, Jezusi Zot e ka realizuar me të vërtetë çlirimin e popullit të vet: duke qëndruar përherë i pranishëm e duke u shfaqur pareshtur në shenjat sakramentale.

Ungjilli i kësaj së Diele të 3-të të Pashkëve flet për dishepujt e Emausit dhe takimin e tyre me Jezu Krishtin e Ngjallur. Jezusi bëhet shok rruge për të rindezuar në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës

Në rrugët e botës, Krishti bëhet një shok i përditshëm udhëtimi për çdo njeri, përmes Eukaristisë, ashtu siç qe edhe për dishepujt e Emausit.

Protagonistët e këtij episodi të njohur të Ungjillit sipas Lukës (24,13-35) janë në qendër edhe të liturgjisë së Meshës të së mërkurës dhe të së enjtes në Tetëditëshen e Pashkëve.

Pikërisht historia e tyre, e shndritur nga takimi i jashtëzakonshëm me Jezusin e Ngjallur, është një mësim i veçantë për edhe për ne sot.

Shtatë milje në këmbë, krejtësisht të dëshpëruar, ngaqë ëndrra për të ardhmen e Izraelit kishte përfunduar me gjak, në një Kryq mbi Golgotë. Këtë mendonin atë të hënë, Kleofa dhe shoku i tij, emrin e të cilit nuk e njohim, ndërsa linin pas pluhurin e rrugës dhe mijëra fjalë, të zhgënjyer nga ç’i kishte ndodhur Jezusit të premten e mëparshme.

Shkonin në shtëpitë e tyre, në fshatin Emaus, kur një njeri bashkohet me ta, në dukje, aq “i huaj”, sa të mos e dinte se tri ditë më parë ishte kryqëzuar padrejtësisht një profet i drejtë. Duke reflektuar mbi “fytyrën e trishtuar” të dishepujve, nuk mund të mos vërejmë se në bisedën e dishepujve me udhëtarin e panjohur të bën përshtypje shprehja që Shën Luka Ungjilltar vendos në gojën e njërit prej tyre: “Ne shpresonim…”.

Ajo folje në kohën e kaluar thotë gjithçka: besonim, e ndoqëm, shpresuam…, por tashmë gjithçka mbaroi. Edhe Jezusi i Nazaretit, që ishte treguar si profet i fuqishëm në vepra e fjalë, dështoi, e ne jemi të zhgënjyer. Kjo dramë e dishepujve të Emausit pasqyron gjendjen e shumë të krishterëve në kohën tonë: duket sikur shpresa e fesë ka dështuar. Vetë feja është në krizë, për shkak të përvojave negative, që na bëjnë të ndihemi të braktisur nga Zoti.

As tregimi i grave, që thonë se janë dukur disa njerëz, sipas të cilëve Jezusi “është gjallë”, nuk i bind dy udhëtarët e Emausit. Dishepujt që shkuan te Varri i Jezusit nuk e panë, thonë ata, duke mos i dhënë rëndësi lajmit të jashtëzakonshëm të Ngjalljes, para realitetit të thatë të varrit të zbrazur. Pas kësaj, në rrugën e Emausit, nis pjesa e dytë e këtij filmi ideal: Krishti u zbulohet dalëngadalë të dyve, së pari, duke folur për veten përmes teksteve të shenjta e pastaj, duke ndarë bukën për ta.

Ky tekst i mrekullueshëm ungjillor përmban strukturën e Meshës Shenjte: në pjesën e parë, dëgjimi i Fjalës përmes Shkrimit të Shenjtë; në të dytën, liturgjia eukaristike dhe bashkimi me Krishtin e pranishëm në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet.
Pastaj Krishti zhduket nga pamja e dy dishepujve të Emausit. Por në elterin, në të cilin u shndërrua tryeza e tyre e varfër, mbetet shenja e bukës së ndarë e të ofruar, siç ndodh që prej mase dymijë vjetësh në kishat e gjithë botës.

E kështu, takimi me Krishtin e Gjallë, që është i mundur edhe sot, na dhuron një fe më të thellë e më të vërtetë, të farkëtuar, si të thuash, në flakën e ngjarjeve të Pashkëve; një fe e fortë, sepse ushqehet jo me ide njerëzore, por me Fjalën e Zotit e me praninë e tij reale në Eukaristi.

Dishepujve u hapen sytë, besojnë e harrojnë dëshpërimin, trishtimi largohet. Tani, të dy ndjejnë brenda një gëzim, që, siç i thonë njëri-tjetrit, Jezusi Ngjallur ua kishte pushtuar zemrën që në fjalët e para të të panjohurit. Tani është ora e entuziazmit të vetëdijshëm, të lajmit, që duhet çuar në Jeruzalem, pa humbur kohë. Shtatë miljet e rrugës nuk qenë asgjë në kthim, pavarësisht se “u bë natë e dita po mbaron”.

Tani pluhuri i sandaleve dhe largësia bëjnë të zhduken pak nga pak shtëpitë e një fshati, që mbetet në historinë e krishterë jo si pikë gjeografike, por si vend shpirtëror.

Lokaliteti i Emausit nuk është gjetur me saktësi. Ka hipoteza të ndryshme e kjo na shtyn të mendojmë se në të vërtetë, Emausi përfaqëson realitetin e çdo vendi: rruga që na çon në të është rruga e çdo të krishteri, madje, e çdo njeriu. Në rrugët tona, Jezusi i Ngjallur bëhet shok udhëtimi, për të rindezur në zemra flakën e fesë e të shpresës dhe për të ndarë bukën e jetës së amshuar.

Nga Ungjilli sipas Lukës  (24,13-35) Udhëtimi për Emaus

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”

Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”

19 Ai i pyeti: “Po çka?”

Ata iu përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”

25 Ai u tha: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”

27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29Po ata iu vunë:“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”

Dhe hyri që të rrijë me ta.

30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31Atyre iu hapën sytë dhe e njohën... Por ai u zhduk para syve të tyre. 32Atëherë i thanë njëri‑tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën. Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.