2017-04-28 11:37:00

Françesku: shkoj në Egjipt si shtegtar paqeje


Shkoj si “shtegtar i paqes në Egjiptin e paqes”: kështu shkruan Papa në një tweet, në prag të shtegtimit të tij të 18-të apostolik ndërkombëtar. Mbrëmë Françesku ishte në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t’ia besuar këtë mision të ri Zojës Salus Populi Romani. Ndërkaq Egjipti është i tëri në këmbë, për ta pritur Papën, që e nis këtë shtegtim nën shenjën e dialogut e të vëllazërisë, në një çast të vështirë për këtë tokë të plagosur nga antentatet terroriste, që goditën kryesisht pakicën e krishterë, me pasoja për mbarë popullsinë.

Sipas programit të shtegtimit, Papa do të arrijë në Kajro sot, në orën 14.00 e do të kthehet në Romë nesër, në orën 20.30.

Arteria e madhe rrugore, që çon nga Aeroporti ndërkombëtar i Kajros, në zemrën e metropolit egjiptian me më se 10 milionë banorë, është plot manifeste me logon e vizitës apostolike të Papës Françesku “Papa i paqes, në Egjiptin e paqes!”, titull, ky, që u pëlqen shumë egjiptianëve, të cilët e ndjejnë më fort se kurrë nevojën të kthehen në jetën normale, edhe ekonomike e ndërkombëtare. Të krishterët, natyrisht, janë më të lum për këtë shtegtim me një mori domethëniesh: baritore, ekumenike, ndërfetare e edhe politike.

Presidenti Abdel-Fatah Al-Sisi, i pari që do të takojë Papa, është shumë i interesuar për t’i kthyer vendit emrin e mirë, falë edhe nismës së Imamit të Xhamisë së Al Azhar, Ahmad Al-Tayeb, që thirri një Konferencë ndërkombëtare me temën e paqes, duke ftuar edhe Patrikun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun.

Çka i pasqyron më mirë shpresat dhe atmosferën e vizitës së Papës, është lajmi, sipas të cilit të pranishëm në Meshën e së shtunës paradite, pranë stadiumit të Aeronautikës ushtarake,  që zë më se 20 mijë vetë - do të jenë të gjithë protagonistët e këtij shtegtimi: përveç bashkësisë së vogël katolike, edhe shumë koptë ortodoksë dhe të krishterë të Kishave të tjera si dhe myslimanë e, doemos edhe delegacionet zyrtare. Masat e sigurisë në të gjitha skajet e kryeqytetit janë të rrepta, por edhe plot maturi. Përkojnë plotësisht me dëshirën e Papës për të lëvizur me makinë të zakonshme, jo të blinduar.








All the contents on this site are copyrighted ©.