2017-04-27 16:18:00

Papa Françesku : Veprimi Katolik, në mision me të gjithë e për të gjithë


“Veprimi Katolik” (Azione Cattolica) ka pasur tradicionalisht katër shtylla a këmbë: lutjen, formimin, sakrificën e apostullimin. Kështu u kujtoi mes tjerash Papa Françesku pjesëmarrësve të Forumit të Veprimit Katolik mbledhur në Vatikan deri të dielën e ardhshme mbi temën ‘Veprimi Katolik në mision me të gjithë e për të gjithë’. Këto katër shtylla a këmbë, u tha Papa drejtuesve të Veprimit Katolik, duhet t’i përtërini, përforconi e zbatoni në misionin tuaj të përditshëm që Kisha u kërkon.

Ati i Shenjtë Bergoglio, duke përshkuar historinë e kësaj lëvizjeje kishtare, theksoi se Veprimi Katolik “sipas momenteve të historisë së vet e të misionit të Kishës, ka mbështetur së pari një këmbë e pastaj të tjerat. Kështu, në një çast të caktuar, për të qenë të fortë, është dashur lutja a formimi doktrinor e në ndonjë çast tjetër, sakrifica a apostullimi.

Sipas rrethanave të një momenti të caktuar, apostullimi është dalluar gjithmonë me tiparet e veçanta, duke theksuar herë njërin e herë tjetrit element të misionit tuaj për të mirën e të gjithëve. “Por, u tha Papa anëtarëve të Veprimit Katolik, misioni ka nevojë për lutjen, për formimin e sakrificën" e çdo mision duhet të zhvillohet brenda gjirit të Kishës e në përkim me misionin e saj, duke u nisur nga Kisha dioqezave a Kisha famullitare. “Formoni, pra, – i këshilloi Papa  anëtarët drejtues të Veprimit Katolik – duke ofruar një proces të rritjes në fe, një përshkim katekizmi të përhershëm, që ka si pikësynim misionin, në realitete të ndryshme, të mbështetur përherë mbi Fjalën e Zotit, për të ushqyer kështu miqësinë me Jezusin dhe eksperiencën e dashurisë vëllazërore”. E mos e harroni kurrë lutjen: “lutjen që ecën, që ju çon shumë larg. E kështu do të shmangeni nga vështrimi i vetvetes”.

“Çlirohuni pra, – porositi Papa – prej kritereve të vjetra si: ‘sepse gjithmonë është vepruar kështu’. Për mua kjo është fjalë fyese dhe i bënë dëme Kishës. Ka gjëra që kanë qenë vërtetë shumë të mira e të meritueshme, që sot do të ishin jashtë kontekstit nëse do t’i përsërisnim.

Sot është mëse “jetike të përtërihen e të azhurnohen impenjimet e Veprimit Katolik për të ungjillëzuar, duke arritur, vërtetë, tek të gjithë, në të gjitha vendet, në të gjitha rastet, në të gjitha periferitë e jetës”. Kjo vëren Papa, implikon “rishqyrtimin  e planeve tuaja të formimit, format tuaja të apostullimit e deri edhe vetë lutjen tuaj, kështu që të jenë thelbësisht, e jo herë pas here e në disa raste, misionare”.

Veprimi Katolik – shtoi Papa – duhet të marrë mbi vete tërësinë e misionit të Kishës, me bujarinë e përkatësisë në gjirin e Kishës dioqezane duke u nisur nga famullia kishtare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.