2017-04-26 12:21:00

Papa në audiencën e përgjithshme: Jezusi ecën gjithnjë me ne


Papa Françesku mbajti sot audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e shumë shtegtarëve, ndërmjet të cilëve, edhe një grup besimtarësh nga dioqeza e Rrëshenit, shoqëruar nga ipeshkvi, imzot Kristofor Palmieri. Papa ia kushtoi katekizmin shpresës së krishterë, duke u frymëzuar nga fjalët e Shën Mateut, shkëputur nga Ungjilli i Apostullit: “Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”(Mt 28,20).   

Papa e nisi katekizmin me fjalët e Ungjillit sipas Mateut, me kumtin profetik, që e gjejmë në krye të Ungjillit: “Do t’ia vënë emrin Emanuel ‑ që do të thotë: Zoti me ne!”(Mt 1,23;cfr Is 7,14). I gjithë Ungjilli përmblidhet në këto dy citime, fjalë që na komunikojnë misterin e një Zoti, emri i të cilit, identiteti i të cilit është të jetë-me, posaçërisht me ne, domethënë, me krijesën njerëzore.

Yni - nënvizoi Ati i Shenjtë - nuk është Zot mungues, i sekuestruar nga qielli tejet i largët. Eshtë Zot, që e do njeriun me pasion, e do aq ëmbëlsisht, sa nuk mund të ndahet prej tij, prej nesh, njerëzve. Ndërsa ne jemi të aftë të këpusim lidhje e ura. Po Ai jo – kujtoi Papa - për t’i kënduar, më pas, një himn të vërtetë dashurisë së Zotit për njeriun:

“Nëse zemra jonë akullohet, zemra e tij mbetet e zjarrtë. Zoti ynë na shoqëron gjithnjë, edhe n se ne, për fat të keq tonin, do ta harronim. Mbi kreshtën që ndan mosbesimin nga feja, është vendimtar zbulimi se dikush na do, se Ati ynë na shoqëron, se nuk na lë kurrë vetëm”.

Jeta jonë - vijoi të shpjegonte Papa – është shtegtim, është udhë. Edhe ata, të cilët që vihen në lëvizje nga ndonjë shpresë thjesht njerëzore, e perceptojnë joshjen e horizontit, që i shtyn të kërkojnë e të zbulojnë botë të reja, ende të panjohura:

“Shpirti ynë është shtegtar. E Bibla, plot me histori shtegtarësh e  ravguesish. Thirrja e Abrahamit nis me këtë komandë: ‘Nisu nga toka jote’(Zan 12,1). E patriarku e lë atë pjesë të botës, që e njihte mirë e që ishte një nga djepat e qytetërimit të kohës së tij”.

Gjithçka i fliste për një shtegtim pa pikë kuptimi. E megjithatë - kujtoi Papa - Abrahami niset. Nuk mund të fitosh pjekuri, nëse nuk e percepton joshjen e horizontit: atë kufi, që ndan qiell e dhe e që populli  shtegtar dëshiron ta arrijë:

“Në endjen e tij shtigjeve të botës, njeriu nuk është kurrë vetëm. Posaçërisht i krishteri nuk ndjehet kurrë i braktisur, mbasi Jezusi na  siguron se nuk do të na lërë ta presim, derisa të vijë fundi i shtegtimit tonë të gjatë, por se do të na shoqërojë në të gjitha ditët e jetës”.

Po deri kur do të vijojë kujdesi i Zotit për njeriun? Deri kur Zoti Jezus, që ecën me ne, do të na ketë në kujdes? Përgjigjja e Ungjillit nuk lë shteg për dyshim: deri në fund të fundit të botës:

“Do të kalojnë qiejt, do të kalojë toka, do të shlyhen shpresat njerëzore. Po fjala e Zotit është më e madhe se gjithçka e nuk do të kalojë kurrë! Ai do të jetë gjithnjë Zoti-me-ne, Zoti Jezus që ecën me ne. Zemra e Zotit do të vijojë të shqetësohet për ne çdo ditë të jetës sonë”.

Ai shqetësohet për ne e ecën me ne. E pse e bën këtë? Thjesht sepse na do! – kujtoi Papa  e shtoi:

“E Ai sigurisht do të paramendojë për të gjitha nevojat tona, nuk do të na braktisë në kohën e provës e të errësirës. Kjo siguri duhet të zërë vend në shpirtin tonë për të mos u shuar kurrë më. Ndokush e quan me emrin “Provani”. E kjo do të thotë afërsi e Zotit, dashuri e Zotit. Prej këndej ecja me Zotin quhet edhe ‘Provania e Zotit’. Ai kujdeset për jetën tonë”.

Jo rastësisht ndërmjet simboleve të krishtera të shpresës, është një që më pëlqen shumë - kujtoi Papa - është spiranca. Simbol, që na kujton se shpresa jonë nuk është e kotë e se nuk duhet ngatërruar me ndjenjën e paqëndrueshme të atij, që synon t’i përmirësojë gjërat e kësaj bote në mënyrë krejt të pafrytshme, duke u mbështetur vetëm mbi forcat e veta:

“Shpresa e krishterë i ka rrënjët në sigurinë se çka na premtoi Zoti, e realizoi në Jezu Krishtin. Na garantoi, kështu, se nuk do të na braktisë kurrë, se fillesa e çdo thirrjeje është 'Eja pas meje!’, me të cilën Zoti na siguron se është gjithnjë para nesh. Pse të trembemi, atëhere? Me këtë premtim, të krishterët mund të ecin kudo. Mund të përshkojnë edhe viset e botës së plagosur, ku punët nuk shkojnë aspak mirë. Po edhe atje, ne do të jemi ndërmjet atyre që vijojnë të shpresojnë. Thotë Psalmi: 'Edhe po të më takonte me ecë ndër lugje të verbta, /s’kishe me drashtë kurrnjë të keqe,/ përsè ti je me mue./ Shtaga jote e kërraba/më japin sigurí' (Ps 23,4). E pikërisht atje ku dyndet errësira më e thellë, atje ka më shumë nevojë  të mbahet e ndezur një dritë".

Feja jonë e ka spirancën në qiell. Edhe jeta jonë është spirancë në qiell, në atë breg, ku do të arrijmë një ditë:

“Natyrisht, nëse do të mbështeteshim mbi forcat tona, me siguri do të ndjeheshim të zhgënjyer e të mundur, sepse bota shpesh nuk do t’i kuptojë ligjet e dashurisë. Tepër shpesh i pëlqejnë më shumë ligjet e egoizmit. Por po të besojmë se Zoti nuk do të na braktisë, se Zoti na do ne e edhe këtë botë, atëhere ndryshon perspektiva. Gjatë shtegtimit na shoqëron premtimi i Jezusit: ‘Unë jam me ju!’”.

E ky premtim na mba në këmbë, na jep shpresë. E ne besojmë se Zoti i mirë punon për të realizuar çka, parë me syrin njerëzor, është e parealizueshme, sepse spiranca është në brigjet e qiellit.

Kështu populli i Zotit ecën plot me shpresë. E kudo shkon, e di se i paraprin dashuria e Zotit: nuk ka skaj as skutë të botës që t’i shmanget fitores së Krishtit të Ngjallur. E fitorja e Krishtit, është fitore e dashurisë! 








All the contents on this site are copyrighted ©.