2017-04-25 17:38:00

Kontributi i Papës për plazhin e të gjymtuarve në Focene


Entuziazëm dhe habi: këto janë ndjenjat me të cilat shoqata e frymëzuar nga veprimtaria e Shën Luigji Gonzagës, “Vepra e Dashurisë”, priti lajmin se Papa Françesku i ndihmoi me shpenzimet e plazhit për të gjymtuarit në Focene, pranë Romës. Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajevski, u dha atyre një kontribut për të paguar qeranë vjetore të plazhit, që quhet “La Madonnina”.

         Në një komunikatë për shtyp shpjegohet se ky plazh është vërtet i hapur për të gjithë, sepse mund të garantojë struktura dhe personel, që dinë si t’i trajtojnë personat me të meta fizike. Shoqata e Veprës së Shën Luigji Gonzagës e administron përmes vullnetarëve, mjekëve dhe personelit të specializuar të Federatës Italiane të Notit Paralimpik, që, sipas nevojës, ua përshtat të gjymtuarve mjetet në dispozicion për notin e për zhytjen në det. Ideja bazë është ajo e krijimit të një plazhi pa barriera arkitektonike e sidomos, pa barriera mendore, ku të gjithë të mund t’i gëzohen detit dhe të mirave, që sigurojnë uji e dielli.








All the contents on this site are copyrighted ©.