2017-04-25 15:25:00

Egjipti. Patriarku kopto katolik Sidrak: faleminderit Papë, burrë i paqes!


“Papa është mik, e miku i mirë duket në ditë të vështirë”. Kështu u shpreh Patriarku i Kishës kopto-katolike të Egjiptit, Ibrahim Isaak Sidrak, intervistuar në atmosferën e pritjes së vizitës të Papës Françesku në Kajro, më 28  e 29 prill. Imzot Sidrak, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Me gëzim e padurim njëherësh e presim vizitën e Papës, por pa e fshehur atë, që ndodhi të Dielën e Larit e që na bën edhe të  frikësohemi sadopak, në pritje… Por mbetet ende besimi se Bariu - Bariu i Madh, Pasardhësi i Shën Pjetrit  - vjen ta bekojë Egjiptin, Kishën katolike të Egjiptit e të gjitha Kishat, pa tjetër! E, prej këndej, vizita ka shumë faqe: është vizitë për Egjiptin, vizitë që i nis një mesazh mbarë botës, vizitë që tregon se Egjipti meriton  të ndihmohet, e për këtë e falënderojmë shumë Atin e Shenjtë, që nguli këmbë të vinte, pavarësisht nga sulmet. E kjo vërteton, më tej,  se Ati i Shenjtë është burrë i fortë, paqedashës e mik i popullit egjiptian, sepse miku i mirë njihet pikërisht në ditë të vështirë. E kjo jona është, pa dyshim, ditë e vështirë. E akoma, Papa vjen për të nxitur dialogun e atyre, që e duan paqen, sepse, pavarësisht nga sulmet terroriste në mbarë botën, ka ende njerëz të paqes, që punojnë për paqen e që e kanë një përfaqësues të denjë: Atin e Shenjtë. E prandaj të gjithë ata, që e duan paqen, shtrëngohen rreth tij.

Pyetje: - Pikërisht lidhur me temën e paqes, a mendoni se Konferenca ndërkombëtare që do të mbahet në Kajro, me pjesëmarrjen e një mori liderësh fetarë myslimanë e të krishterë, mund të japë një kontribut të vërtetë për paqen?

Përgjigje: - Unë nuk mund t’i parashikoj gjërat, por mund të uroj që kjo të jetë vërtet një pikënisje për shumë punë konkrete; sepse nuk janë vetëm kongreset ato, që e bëjnë paqen. Kongresi është thjesht pikënisje. Të gjithë ata, që menduan ta bëjnë këtë, i drejtojnë një thirrje mbarë botës, njerëzve që e duan paqen, duke i ftuar të bashkëpunojnë, të japin ndihmesën e tyre. Shpresoj se kjo do të jetë pikënisje për shumë punë konkrete.

Pyetje: - Të krishterët e Kajros, pas atentateve, reaguan me guxim, por edhe me shpirt të krishterë, duke deklaruar se kërkojnë gjithnjë bashkëjetesën. Ky është drejtpeshim shumë i fortë. A besoni se është në gjendje t’i bëjë ballë terrorizmit në Vend?

Përgjigje: - Nga ana e të krishterëve të Egjiptit e të egjiptianëve, nuk është hera e parë. Por, janë sidomos të krishterët që e mbulojnë gjithçka ndodh me vizionin e fesë. E sidomos, në këtë kohë Pashkësh - edhe para Javës së Madhe - reaguan ashtu si reagojnë gjithmonë: me bindjen se vdekja nuk është fundi, edhe atëherë kur mbi ta bëhet kërdia. Reagojnë pozitivisht,  por pa e fshehur gulçin që kanë përbrenda për humbjen e qetësisë shpirtërore. Ky është mesazh për gjithë të krishterët, që po përpiqen ta  ngrenë përsëri në këmbë vendin në të gjitha aspektet, e sidomos ardhmërinë e tij, progresin e tij. Por nuk duhet harruar se ka shumë njerëz, që nuk e duan këtë progres për Egjiptin, ndërsa egjiptianët - e në radhë të parë, të krishterët - i thonë ‘jo!’ terrorizmit, ‘po!’, së mirës, paqes, progresit të Egjiptit.








All the contents on this site are copyrighted ©.