2017-04-24 12:18:00

550 vjet me- e-pa figurën e Zojës, Pajtores së shqiptarëve


550 vjet me- e-pa figurën e Zojës, Pajtores së shqiptarëve, titullohet i pari nga tre emisionet, që ia kushtojmë jubileut të zhvendosjes të Figures së Zojës së Këshillit të mirë, nga Shkodra, në Gjencan.

Kanë kaluar 550 vjet nga dita, kur figurja e Zojës së Shkodrës u shkëput nga muri prej nga ngushëllonte një popull të vogël, në luftë për jetë a vdekje kundër pushtuesit, që besonte se së shpejti do të ngulte gjysëmhënën mbi Shën Pjetër e çallmën mbi kokën e Papës. Një populli, që e pranoi krishterimin përmes veprës së Apostullit të madh, Shën Palit,  i cili përhapi ndër Ilirë, mësimet e Jezu Krishtit. Krishterimi, i përndjekur nga një varg perandorësh, i lulëzuar nën sundimin e Kostandinit, e vetmja fe e pranuar kundër vullnetit të pushtuesit romak, tani vihej edhe një herë përballë një superfuqie të re të kohës: asaj të otomanëve. Rrebeshi i tyre u duk për herë të parë në tokën shqiptare kah fundi i shekullit XIV. Erdhën të ftuar nge vetë feudalët vendas të cilët, të verbuar nga egoizmi, nuk e kuptuan gjëmën e madhe, që po i përgatisnin kombit të vet.

Më 1467, një vit para vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, prania e turqëve në trojet shqiptare po bëhej gjithnjë më kërcënuese. Shoqërohej me rrënimin e plotë të fshatrave e me kërdi të paprera mbi popullin e pambrojtur.

Nga Kështjella, e cila sundonte mbi qytetin e Shkodrës, e fundmja që vijonte qëndresën, shiheshin fshatrat në flakë. Lëvizja e kobshme e flakës, fliste për përparimin e akinxhinjve turq drejt Shkodrës.

Në vitin 1467, si rrjedhim i një inkursioni turk, qyteti u braktis e qytetarët u mbartën mbi kodër, brenda kështjellës, ku jetuan deri më 1479, vit i mërgimit të madh drejt Venedikut. 1467-a është viti kur, sipas traditës, Figurja shenjte e Zojës së Këshillit të Mirë u shpërngul nga Kishëza rrëzë Kështjellës Rozafa, për t’u ridukur në Gjenacan ku, sipas gojëdhënës, u shoqërua nga dy shkodranë: Gjergji e Shkjau (Giorgi e De Sclavis).

Pasi venedikasit ia dorëzuan Shkodrën turqve, mbas nënshkrimit të  Traktatit të Paqes të 25 janarit 1479, nuk qe e mundur më të merreshin lajme, që të provonin shpërnguljen e Figures Shenjte dhe traditën e lidhur me të në Shkodër.

Ipeshkvi Dillon vëren: “Një ngjarje me një shenjë paralajmëruese kaq fatzezë, duhet të ketë depërtuar thellë në zemrat e shqiptarëve të mjerë, që nuk kishin mundësi të mërgonin, ndërsa ata që nuk dëgjuan të mohojnë traditat, u lidhën edhe më ngushtë përreth fesë”

Kaluan vjet e vjet pa asnjë lajm nga Zoja mërgimtare. Derisa konti e kapedani Stefano Medin, më 25 korrik 1745, i dërgoi relacionin e parë, Giovanni Battista Medinit. Aty dëshmohet prania në Shkodër e një kishe të rrënuar, kushtuar “Shenjtes Nunciatë”, që bënte mrekulli, ndërmjet të cilave, pengesa e përpjekjeve të ndryshme, e të kota, për ta kthyer kishën në xhami. Ndërkaq ata pak banorë të qytetit të Shkodrës, që kishin mbetur ende pa mërguar ose pa marrë malet, ishin dy mendimesh: disa mendonin se figurja ishte mbartur, të tjerë, se ishte nisur vetë. Prej këndej, gojëdhëna e  kapërcimit të detit me dy shoqërues, që ecën mbi ujë, si në Besëlidhjen e Vjetër, duke ndjekur Zojën shtegtare mbi re. Me këtë tematikë, më pas, do të krijoheshin një mori kompozimesh në pikturë. E do të vinin edhe dëshmi të tjera, që tashmë janë të shkruara në historinë e kohëve të reja, kur për këtë ngjarje mund të shfletohen një mori librash. Një hollësi, që vlen të kujtohet, është se përmasast e zgavrrës, krijuar nga shkëputja e figures, përkojnë me përmasat e pikturës.

E është për t’u kujtuar edhe se kuvendi a koncili i tretë i Kishës në trojet shqiptare(1895) e propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë e të shqiptarëve Zojën e Këshllit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor dhe iu parashtrua Papës Leoni XIII, Papa i Rerum Novarum, që e miratoi menjëherë. E pikërisht pas këtij miratimi,  26 prilli u shpall si ditë kremtjeje për dioqezat e Shqipërisë.

Ndërkaq, përtej detit, larg trojeve të pushtuara nga turku, Zoja e Shkodrës zuri vend në Gjenacan, jo larg Romës, e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. E gjatë 45 centimetra dhe e gjerë 40 centimetra, duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.

Kjo figure, që gjeti pushim në një kishë të vjetër të Gjenacanit, nisi menjëherë të bëjë mrekulli, duke mbledhur rreth vetes turma të mëdha besimtarësh. Prej këndej  ndërtimi i  një Shenjtëroreje të re, kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, që u ngrit me dëshirën e Fra Felice Leonceli de Cave, augustinian, ndërmjet viteve 1621 dhe 1629, në vend të kishës së mëparshme, që thirrej “E Lumja Pietruccia”. Nga kjo kishë, jo aq e bukur e me pak dritë, ruhet vetëm portali i viteve ‘400, të cilit, në vitin 1840, iu përshtat fasada e re, ndërtuar nga arkitekti Fra Fanucchi, edhe ky augustinian.

Në vitin 1956, fasadës iu shtuan mozaikë. Afresku i Zojës sonë të Këshillit të Mirë, ndodhet në kapelën anësore, majtas.

Papa i parë, që shkoi në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacan ishte Urbani VIII, më 25 tetor 1630, për t’iu lutur Nënës së Krishtit t’i shpëtonte njerëzit nga murtaja.

Në vitin 1993 Shën Gjon Pali II shkoi në Gjenacan për ta vizituar Zojën e Shkodrës, para se të nisej drejt Shqipërisë. E nuk u nis vetëm: e shoqëronte pikërisht Zoja e Këshillit të Mirë, një kopje e asaj ikone, në këmbët e së cilës luten sot mijëra besimtarë, që shtegtojnë në Kishën e rindërtuar tri herë rresht mbi gërmadhat e veta, rrëzë një Kështjelle-simbol. E tani Zoja i pret pa shkelur ende në Kishë, nga mozaiku mbi portën kryesore.

Kjo, tejet shkurtimisht, historia, që vijon…e që ne e titulluam “550 vjet me-e-pa figurën e Zojës, Pajtores së shqiptarëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.