2017-04-23 09:00:00

Simpozium në Shkodër. Evalda Paci: krijimet kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë


Filluan dje kremtimet për 550-vjetorin e shpërnguljes së fugures së Zojës së Shkodrës nga shenjtërorja rrëzë Rozafës në shenjtëroren e Gjenacanit, pranë Romës. Dje, në Shkodër, u mbajt një konferencë shkencore ndërkombëtare për Zojën e Këshillit të Mirë, në Seminarin Ndërdioqezan, ku ishin të ftuar studiues shqiptarë dhe të huaj. Sot, filloi Treditëshi i Zojës, me një kremtim në shenjtëroren kushtuar asaj, në orën 18.00. Më 25 prill, do të bëhet përurimi i fugures së Zojës, restauruar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, në orën 10.00, në Seminarin Ndërdioqezan. Po më 25 prill, shtegtimi nga katedralja e Shkodrës në shenjtëroren e Zojës, duke filluar nga ora 17.00. Mesha do të kremtohet në orën 18.00, në shenjtërore. Të nesërmen, më 26 prill, i dërguari i Papës Françesku, kardinali Franc Rodè do të kremtojë meshën solemne në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë, në orën 10.00.

        Por le t’i kthehemi konferencës së djeshme. Ndër relatorët edhe profesoresha Evalda Paci, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, e cila mbajti kumtesën “Motive përshpirtnie e devocioni në krijime kushtue figurës së Zojës së Këshillit të Mirë”. Pikërisht për këtë kumtesë, na flet në mikrofonin tonë…

Në vijim po paraqesim kumtesën e plotë:

Motive përshpirtnie e devocioni në krijime kushtue figurës së Zojës së Këshillit të mirë

 

Mos druoj Mërī, përse pate hir ņdaj Tenëzonë. (Meshari(1555), Tiranë, 1968, f.33/b).

Është ky i mësipërmi një motiv tekstor që rimerret radhazi në faqet e Ofices së Zojës në pjesën e parë të librit të Gjon Buzukut, një element që kujton lajmërimin e lindjes së Mesisë nga një Virgjënë me emrin Mëri.

Zoja Nunciatë është një prej atributeve që veshin e shoqërojnë tradicionalisht figurën e shenjtes Mari, Amës së Tinëzot, regjineshës(mbretëreshës) së qiellsë e të mishërierës,  pajtores së popujve.

Duke qenë një figurë femërore që gjindet në qendër të librave të orëve e oficeve, ajo trajtohet e rimerret që te autorët tanë të letërsisë së vjetër shqipe(1555-1743), herë në këngë e himne që në fakt janë variante të shqipëruara, por të konsoliduara në formën në të cilat paraqiten në këto vepra, herë në përmasa trajtesash që priren nga analizimi i kësaj figure dhe i krejt kontekstit që shoqëron jetën e Jezu Krishtit pranë familjes së shenjtë.

Ama e Tinëzot ka një vend të rëndësishëm në librin e Gjon Buzukut: i kushtohen asaj variante të shqipëruara këngësh të posaçme; sillen pjesë nga Ungjilli simbas Lukës e posaçërisht në Ofice; tekste antifonare që rimerren në pjesë të veçanta të librit, karakterizojnë një ndër elementet më interesante të këtij korpusi të përbërë nga një sërë elementesh tekstore që lidhen natyrshëm me evokimin e kësaj figure femërore. Atributet që shoqërojnë përcjelljen e mjaft krijimeve të përshpirtshme e me natyrë të qartë poetike e bëjnë të pasur dhe në shqipen tonë tërësinë e cilësive të kësaj figure bazilare në liturgjinë e orëve dhe në vetë teologjinë mariane. Ave maris stella, Salve Regina o Falemi Rregjinesha, Kanka e Zojësë mbeten disa nga titujt më domethënës të Ofices te Meshari.

Jeta e Zojës së bekueme zë një vend të posaçëm në trajtesat e veprës Cuneus Prophetarum(Patavii, 1685) të Pjetër Bogdanit. I kushtohen këtij argumenti ligjërata me titull Jeta e së lumesë Mrī, Të lemitë e së lumesë përherë Virgjinë Mrī, Cihariqi i Engjëllit së lumesë Virgjinë Mrī etj. Për vetë gjerësinë e shtrirjes së këtyre trajtesave, për faktin se përmbahen dhe në to përshkrime episodesh me origjinë të mirëfilltë biblike, Bogdani mbetet një prej autorëve që trajton në mënyrë më specifike dhe të zgjeruar figurën e Marisë, Amës së Tinëzot. Detajet që ndeshen në të tilla ligjërata mbështeten gjerësisht dhe nga vetë natyra tekstore e nëndarjeve të pjesëve të kësaj vepre, arsyetuar që në themel të ishte e ndërtuar mbi bazë shtjellimesh të tilla, me natyrë të shpjegimeve e trajtimeve që priren dhe nga ezegjeza e reflektimet filozofike. Një numër i konsiderueshëm e aspak i rastësishëm cilësimesh gjurmohet te Cunes Prohetarum, gjithsecili i mirëpeshuar dhe i kontekstualizuar në përbërje të ligjëratave që cituam më sipër.

Edhe te Bogdani kemi fatin e mirë të gjurmojë fjalitë e mirënjohura nga Ungjilli simbas Lukës, që lajmojnë lindjen e Mesisë prej nji grueje hirplote si Maria. Ka ndjekur një fjali e tillë e lajmimit nji ecuni të mirëfilltë nëpër autorët e letërsisë së vjetër shqipe, herë duke u përsëritur në zëra antifonarë në Oficen e Zojës te Meshari, herë në nji variant po aq të gjetur në përmbajtjen e Doktrinës së Kazazit(1743), e siç e cituam dhe më sipër dhe te Cuneus prophetarum(1685), po në kontekst të një ligjërate të mirëfilltë kushtuar vendit që kjo figurë femërore zë në liturgjinë dhe teologjinë mariane. I një konotacioni të veçantë mbetet dhe atributi sintetik hirplota, dëshmi e shprehësisë së gjuhës shqipe dhe e aftësive për të zotëruar mjete e ndërtime që mbulojnë përdorime kyçe në liturgji.

E pranishme në liturgji, e pranishme në episode domethënëse biblike në librin e sipërpërmendur, bartëse e atributeve që ndjekin natyrshëm një rrjedhë evolutive nga njëri autor në tjetrin në letërsinë e shkruar shqipe, Maria konkretizohet e misticizohet dhe në figurën e Zojës së Shkodrës, duke u ndërmendur pa pushim në krijime që nuk janë thjesht të një ngarkese poetike e stilistike. Nga ana tjetër, për t’iu rikthyer sërish specifikës së pjesëve të veçanta në librin e Buzukut, mund të thuhet me siguri që pikërisht centraliteti që ka të bëjë me figurën e Marisë në Ofice e shënon qartë diversitetin mes pjesëve të librit, argument që jo vetëm është konstatuar me kohë, por dhe që mund të mbështesë linja të ndryshme të gjurmimit mbi natyrën tekstore e përmbajtësore të këtij libri.

Duhet theksuar se atributi Zoja e Shkodrës dhe më tej Zoja e Këshillit të Mirë nuk është në të vërtetë pjesë e regestit të cilësimeve që gjurmohen në lidhje me këtë figurë të rëndësishme në letërsinë e vjetër shqipe(1555-1743). U cituan më sipër të tilla realizime thjesht për të nënvizuar faktin se sintagmat që ndeshen në këto vepra apo përpilime i përmbahen një ligjërimi që lidhet në thelb me nëntekstin doktrinar e me doracakët kateketikë që pa dyshim do të përmbanin lutjet themelore të pratikës liturgjike dhe në këtë pikëpamje dhe variante të Ave Marias, historia e shqipërimit të së cilës sigurisht paraqet një argument interesant për traditën e studimeve filologjike e tekstologjike në gjuhën tonë. Gjejmë një detaj mjaft të rëndësishëm dhe po aq me interes në dekretet e Koncilit të Tretë të vitit 1895, në Aktet përkatëse të të cilit (Romë, 1897) lexojmë qartë se Fort e Lumja Virgjënë deklarohet Mprojtëse e Krejt Provincës Shqiptare.[1]

Është një tjetër periudhë që do të shoqërojë promovimin e figurës së Zojës së Shkodrës dhe një proces të gjatë veneracioni që do të ketë shtysat e veta si brenda kufijve të vendit tonë, ashtu dhe përtej Adriatikut, e më saktë, në Genazzano. Vëmendja që gëzoi gjithë episodi i shfaqjes së fugures së Zojës në Genazzano, përkushtimi i personave të caktuar ndaj konsolidimit të ndërtesës së kishës dhe vetë kultit të Zojës së Këshillit Të Mirë, përfshirja e sa prelatëve të Kishës së Romës e të Selisë së Shenjtë përbën në të vërtetë një histori më vete, që nënvizon rëndësinë që pati për mbarë besimtarët figura e Zojës, shpërngulur mbas gojëdhanës nga Kisha në rranzë të kështjellës së Shkodrës për të gjetur një seli tjetër, në një vend tjetër.[2]

Jeta e një qyteti të tërë shënohet nga figura dhe përshpirtnia që ngjall nderimi i kësaj Nane të mishriershme, të pranishme dhe në historinë e Shkodrës e të krishtërimit shqiptar. Mjaft studime e trajtesa që marrin përsipër dhe vështrimin diakronik të historikut të vendosjes së fugures së Zojës në Genazzano, përshpirtninë që shfaqet ndjeshëm falë pranisë së kësaj fugureje, përfshijnë e bëjnë objekt të vëmendjes së tyre vendin origjinar nga i cili mendohet se u shpërngul imazhi i shenjtë i Zojës, pikërisht qytetin e Shkodrës.

Momenti historik që shërben si kontekst për shoqërimin e fugures së Zojës nga Shkodra në një vend tjetër e konkretisht në Genazzano trajtohet gjerësisht në mjaft doracakë e botime që kanë në qendër të vet pikërisht motivin e nderimit por dhe të brendësimit të spiritualitetit të Zojës e të krejt historikut që pa dyshim mbart dhe përmasat e ezegjezës teologjike dhe analizimin e mjaft personazheve që kanë mbetur pjesë e mozaikut të krejt rindërtimit të asaj çka thuhet e trajtohet tashmë prej kohësh në lidhje me Nanën e Këshillit të Mirë dhe gjithashtu me Zojën e Shkodrës. Përfshin një motiv i tillë studime të natyrës teologjike, por dhe historike, e mbetet gjithnjë ky i fundit një shtysë konkrete për të përplotësuar panoramën e krijimeve e të korpuseve të lutjeve që i kushtohen Zojës.

Zoja e bekueme, Zoja e Këshillit të Mirë trajtohet gjithashtu dhe në shënimet me të cilat Atë Marin Sirdani O.F.M. pajis trajtesat përkatëse jo vetëm mbi historinë e Skënderbeut, por dhe sprovat për të paraqitur vijimësinë e krishtërimit ndër shqiptarë. E dëshmojnë një gjë të tillë shënimet përkatëse në mbështetje të trajtesave që lidhen me Skënderbeun e periudhën në të cilën ai jetoi dhe militoi, si dhe krijimet me origjinë popullore me të cilat Atë Sirdani pasuron përpilimet e tij, me natyrë kryesisht historike.

Duke pasë sigurinë dhe kompetencën e historianit, duke dashur të vërë në dukje vëmendjen që një figurë e tillë zgjon sa herë flitet për shpërngulje të imazhit të saj, në trajtesat e Atë Marin Sirdanit gjendet një frymë arsyetimi që pa dyshim vë në dukje se duhen konsideruar mjaft parametra e elemente në veçanti nëse bëhet fjalë për sqarimin dhe saktësimin e lindjes së këtij kulti në viset tona.

Kërkimet mbi misticitetin dhe përhapjen e kultit të Zojës së Këshillit të Mirë qenë shtysë të kërkonim të informoheshim më shumë në lidhje me gjurmë botimesh që në fakt nisen dhe konceptohen nga premisa e shqipërimit dhe përshtatjes së praktikës së liturgjisë në gjuhën tonë. Këto gjurmime na bëjnë të ditur që ekzistojnë botime e shqipërime dhe në tetëqindën, jo të largëta në kohë me përpilimet përkatëse të Atë Giuseppe Guagliatës S.I. dhe Vincenso Basiles, në punimet e të cilëve gjurmohen natyrshëm dhe tekste të natyrës himnodike kushtuar Amës së Tinëzot. Pak vite pas botimit të varianteve të këtyre të fundit, gjurmohet dhe Moj’i majit sciuguruem Zois Bekueme, divozion diftue sciyptarëvet prej P.Gaitan Bruschit, rregulltar i Shoqnisë së Jezusit, asokohe mësimdhënës në Kolegj të Shqypnisë, botim ky që sheh dritën e shtypit në vitin 1864 nën vëmendjen e Kongregacionit të Propagandës. Meriton ky botim një trajtim më të thelluar në lidhje me ndërtimin përkatës dhe përdorimet që gjurmohen në të, për vetë veçantinë përmbajtësore dhe qëllimin e përpilimit të tij.

Mund të gjurmohet farë mirë një diakroni botimesh të tilla, ndër të cilat dhe disa syresh që i kushtohen tërësisht Marisë dhe gjithashtu periudhave specifike brenda vitit në të cilat nderohet e lutet në veçanti emri e ndërmjetësimi i saj. Emërtesa Zojë shfaqet pikërisht në botime të tilla(kemi parasysh gjithashtu dhe Doktrinën e Gjon Nikollë Kazazit, 1743),[3] e gjindet në vijimësi dhe në shqipërime të mëtejme, të cilat cekin dhe gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Atribute të caktuara jo vetëm ndiqen në një linjë vijimësie në këto shqipërime që mbeten pjesë e rëndësishme e traditës dhe e historisë së shkrimit shqip, por dhe janë në të vërtetë elemente që sot e kësaj dite mund të vijojnë të përdoren në tekstet përkatëse të liturgjisë dhe himnodisë mariane.

Në këtë vijimësi botimesh që iniciohen me librin e Gjon Buzukut, por kanë një vazhdimësi të lavdërueshme në veprat e autorëve të letërsisë së vjetër shqipe, mund të ndeshet si trajta gojëtare (Meshari, Tiranë, 1968, f.31/b)[4], e më tej dhe trajta pajtore, që sigurisht mund të jetë më e përshtatshme në pikëpamje të semantikës dhe kuptimit që rrok në kontekste të caktuara përdorimi.Trajta pajtore do të mbetet e përdoret shpesh në botimet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e fillimit të shekullit të kaluar, duke shënuar një prej periudhave në të cilat figura e Zojës gëzoi një vëmendje të mirëfilltë e permanente, duke u bërë objekt qendror dhe në të përkohshme e organe shtypi që u iniciuan pikërisht nën këtë nismë të promovimit të mbarë simbolikës dhe nëntekstit historik që mbështet nderimin e Zojës së Këshillit të Mirë.

Në fillimin e shekullit të kaluar një sërë botimesh të afërta në kohë duken sikur konkurrojnë në drejtim të shqipërimit të teksteve më të ndjera në pikëpamje të përshpirtnisë dhe celebrimit të figurës së Zojës. Në të tilla botime reflektohet jo vetëm motivimi i qartë i shqipëruesit që pa asnjë dyshim në këto raste ka dhe merita të konsiderueshme autorësie, por dhe përpjekja për të shpalosë ma së mirit krejt arsenalin e mjeteve që gjuha jonë disponon.

Falë përkushtimit të meshtarit Don Lekë Bitroj sheh dritën e shtypit një libërth modest në pikëpamje vëllimi, por mjaft domethënës sa i takon objektit të studimit dhe tematikës qendrore të tij. Marija, Nana e Kshillit t’Mirë (Shkodër, 1918), është një libërth që ka synime edukative religjioze, që evokon dhe elemente të jetës shpirtërore e kulturore në qytetin e Shkodrës, por në themel paraqitet si shqipërim, siç dhe thuhet në faqen e parë të tij.

Vetë personaliteti i Dom Lekë Bitrojt është bërë i njohur ndër të tjera pikërisht nëpërmjet përpilimesh të tilla, që kanë parë dritën e shtypit në Shtypshkrojën e Zojës së Paperlyeme, Shkodër. Dom Lekë Bitroj paraqitet si shqipërues i një doracaku vërtet modest në pikëpamje vëllimi, por mjaft të pasur në përdorime formash e fjalësh që ruajnë një lidhje të pamohueshme me një traditë shkrimore paraardhëse e që lidhet si me liturgjinë e përditshme, ashtu dhe me tekste të veçanta në pikëpamje ndërtimi dhe përfshirjeje në manuale më të gjera e më të plota. Strukturimi i këtij libërthi bën të mundur pasqyrimin e formave të shpeshta të lutjeve e teksteve të cilat tërësisht i kushtohen Marisë, Nanës së Këshillit t’Mirë. Nuk duhet lënë pa përmendur jehona e mirë që mbështet daljen në dritë të këtij libërthi, veçanërisht e konkretizuar në lajmërimin e posaçëm që i bëhet nga Zani i Shna Ndout, në vitin 1918, pikërisht kur ky botim ishte mirëfilli i freskët.[5]

Nga kjo pikëpamje, nuk mund të mos nënvizohet vëmendja e qartë dhe konsekuente e kësaj të përkohshmeje ndaj figurës së Zojës së Këshillit të Mirë, shprehur në krijime poetike të shkruara nga Atë Gjergj Fishta O.F.M., shprehur gjithashtu dhe në imazhe që shoqërojnë botimet e numrave të posaçëm të kësaj reviste.

Sa u takon të përkohshmeve, për t’u veçuar si në pikëpamje tematike, ashtu dhe në pikëpamje të konsekuencës në ndjekjen dhe trajtimin e motivit të Zojës së Këshillit të Mirë mbetet pa dyshim Zoja e Shkoders, Drita e Shqypniës, botuar në vitet 1917-1919 si organ që mbikëqyrej nga Zyrja famullitare e Shkodrës. Sa e thjeshtë aq dhe e pasur në të dhëna dhe trajtime, kjo e përkohshme e sjell më së miri pranë besimtarëve figurën e Zojës së Këshillit të Mirë dhe gjithashtu historinë e nderimit të kultit të saj dhe jashtë Shqipërie. Shkrime të thukëta e të natyrave të ndryshme përbëjnë brendinë e kësaj të përkohshmeje: dallojmë në to shkrime komemorative që bartin qartë nota të një nderimi të veçantë për figurën e Zojës në qytetin e Shkodrës, gjithashtu dhe krijime që sillen të shqipëruara e që i kushtohen posaçërisht Zojës së Këshillit të Mirë.[6]

Do të veçonim në këtë linjë citimesh si përpilimet, ashtu dhe përgatitjet për botim nga ana e D.N.Mjedjes e pjesëve të veçanta nga libri i Pjetër Bogdanit(1685), përzgjedhja e të cilave është mirëfilli tematike. Gjithnjë N.Mjedja paraqitet me një sprovë të rëndësishme që ka të bëjë me një opusculum të shenjtit Sh’Alfons de Liguori e që në gjuhën shqipe mban titullin Lumnít e Zojës së bekueme(Pjesa e parë: Falemi Rregjinesha). Botimi në fjalë ka parë dritën e shtypit në vitin 1929 dhe ka dalë gjithashtu nga Tipografia e së Papërlyemes.

Në një perspektivë të veçantë shfaqet figura e Zojës në doracakun me titull Visari i  Kongregacionit që sheh dritën e botimit në vitin 1930, (përpiluar nga Atë Junk S.I., botim i tretë i kujdesuem prej D.N.Mjedjes). Në lutjet përkatëse mbizotëron emërtimi Zojë e bekueme e gjurmohen një sërë krijimesh në të cilat mbizotëron një frymë e venerimit ndaj saj, në veçanti në lidhje me mundimet e Krishtit, të pasqyruara ndër të tjera në një kalendar të mirëfilltë të natyrës liturgjike.

 Një variant i ndjerë i Stabat mater përshkon paragrafe të caktuara të këtij vëllimthi, pa dyshim mjaft prekës e për t’u vlerësuar për natyrën e komponimit dhe përshtatjen e duhur me përmbajtjen tekstore të tij. Por Nandçja e Zojës së Kshillit të Mirë (të Shkodrës) karakterizohet nga një frymë devocioni po aq e veçantë në të cilat përvujtnia e besimtarit bën të mundur vizatimin e një itinerari të qartë që ndërmend para së gjithash motivin e largimit të fugures nga qyteti i Shkodrës, duke mos lënë pa cekur edhe përmasat e dhimbjes së popullit për këtë ngjarje. Në të tilla botime konstatohet qartë se atributet që i kushtohen Zojës janë të panumërta e burojnë natyrshëm nga goja e mendja e autorit të tyre. Nuk mund të ketë tjetër figurë femërore që gëzon kaq vëmendje dhe që paraqitet dhe si shtysë krijimtarie e më saktë krijimtarie të përshpirtshme si kjo e Zojës.

Në të vërtetë, duhet konsideruar një periudhë më vete dhe ky hark kohor që përfshin si shqipërimet e shekullit të nëntëmbëdhjetë që u cituan në këtë trajtesë tonën e pjesë e të cilave mbeten dhe ato përpilime që e kanë Zojën e bekueme në qendër të vëmendjes së tyre. Shënon kjo hapësirë kohore një ecuri të mëtejme e domethënëse në fushë të shqipërimeve që kanë të bëjnë si me historinë e shkrimit shqip, si me historikun e një kategorie të veçantë veprash e libërthash që sjellin në një trajtë sa më të përshtatshme për besimtarët një sërë doracakësh që bëjnë pjesë të tyren liturgjinë, festivitetin e krishterë dhe jetën e krishterë, historinë e besimit dhe të fesë në vendin tonë.

Në këtë trajtesë të thukët tonën nuk mund të mos theksojmë sa shumë shqipërime dhe pjesë veprash iu kushtuan në frymëzim e devocion të plotë Marisë, Amës së Tinëzot e në veçanti Nanës së Këshillit të Mirë. Dëshmon një vijimësi e tillë dëshmish shkrimore fuqinë e konsolidimit të nderimit të saj në kombin tonë e në traditën e besimit në vendin tonë.

 

[1] Concilium Albanum Tertium sive nationale habitum anno MDCCCXCV Leone  III Pontifice Maximo, Romae, Ex Typographia Polyglotta S.C.De Propaganda Fide, 1897, p.30: Cum autem in votis sit ut ipsamet Beatissima Virgo sub invocatione Matris Boni Consilii ab Apostolica Sede Patrona declaretur totius Albanae Provinciae cum festo de praecepto celebrando quotannis cum indulgentia plenaria die assignata in Officio 26 Aprilis sub ritu primae classis cum octava, hinc ab eodem SSmo Domino suppliciter speciali postulatione hanc etiam gratiam quam primum exposcendam censemus.

[2] Shih dhe Cenni storici sulla prodigiosa apparizione di Maria SS.del Buon Consiglio che si venera nella chiesa dei PP.Agostiniani in Genazzano col regolamento della Pia Unione istituita in onore della Vergine stessa ed alcuni divoti esercizi, Roma, Tipografia de G.Aureli, 1869.

 

[3] Vedi anche Demiraj B., Gjon P.Nikollë Kazazi dhe “Doktrina e tij”, Edizioni ASHAK, Prishtina, 2006, p.376: Zoja e bēkuome, e vërteta ndimon me gjith Sheinteni˜t qiells.

[4] Meshari, botim kritik përgatitur nga E.Çabej, Pjesa e dytë, Tiranë, 1968, f.31/b: O gojëtareja jonë, ata sӯtë e tū të përmishëriershim rutullo prej nesh.

[5] Shih në veçanti Zâni i Shna Ndout, shtatuer 1918, Numri IX, f.145.

[6] Shih në veçanti Urata e Benediktit XV, në  Zoja e Shkoders, Drita e Shqypniës, Vjeta II, numri II, Fruer 1918, f.10-11.








All the contents on this site are copyrighted ©.