2017-04-19 13:46:00

Papa Françesku: feja nuk është ideologji, por Jezusi i gjallë e i ngjallur.


“Jezusi është këtu, në Shesh, me ne, i gjallë e i ngjallur”. U  frymëzua nga lajmi i gëzuar i Ngjalljes, katekizmi i Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Rreth 20 mijë, besimtarët e mbledhur në Sheshin e ndriçuar fort nga dielli, por edhe të rrahur nga një erë e ftohtë, aq, sa Papa ishte detyruar të vishte pallton. E jo më pak, edhe besimtarët. Në këtë atmosferë u mbajt sot katekizmi. “Krishterimi nuk është sistem filozofik, por lind nga ngjarja e madhe e Ngjalljes” – kujtoi Papa Françesku - që vijoi reflektimin mbi shpresën e krishterë.

Feja jonë lind në agimin e Pashkëv, me Ngjalljen e Krishtit”, gjithçka mbështetet mbi këtë parakusht. E kjo ishte edhe zemra e katekizmit  të Papës në audiencën e parë të përgjithshme pas Pashkëve. Me fjalët e Shën Palit drejtuar bashkësisë së Korintianëve, Papa Françesku nënvizoi se krishterimi lind nga një fakt: “Nuk është ideologji, nuk është sistem filozofik, por udhë feje. Niset nga një ngjarje e dëshmuar nga dishepujt e parë të Jezusit. Pali e përmbledh kështu: Jezusi vdiq për mëkatet tona, u varros, në të tretën ditë u ngjall e iu duk Pjetrit e të Dymbëdhjetëve. Ky është fakti. Vdiq, u ngjall, u duk. Domethënë se Jezusi është gjallë. E ky është edhe thelbi i mesazhit të krishterë”.

Duke e kumtuar këtë ngjarje të madhe, thelb kryesor i fesë, Pali ngulmon posaçërisht mbi elementin e fundit të misterit të Pashkëve, domethënë, mbi faktin se Jezu Krishti u ngjall. Nëse gjithçka do të kishte përfunduar me vdekjen, në Të do të kishim shembullin e përkushtimit më të lartë, por kjo nuk do ta kishte lindur fenë tonë. Sepse feja lind nga ringjallja. Të pranosh se Krishti vdiq, e vdiq i kryqëzuar, nuk është akt feje. Akt feje është të pranosh se Ai u ngjall! 

Pali, nga persekutues, apostull: themeli i fesë është ta shikosh Jezusin e ngjallur

Shën Pali shënon, pastaj, listën e njerëzve, të cilëve iu duk i Ngjalluri. Kemi, këtu, një përmbledhje të të gjitha rrëfimeve të Pashkëve dhe të të gjithë njerëzve, që u takuan me të Ngjallurin. Në krye të listës është Çefa, domethënë, Pjetri e, pas tij, edhe grupi i të Dymbëdhjetëve, e pastaj, “pesëqind vëllezër, shumë prej të cilëve mund të jepnin akoma dëshminë e tyre”, e pastaj kujtohet edhe Jakobi. I fundmi në listë - si më i padenji nga të gjithë, është ai vetë, Pali, “dështaku”.

Pali e përdor këtë shprehje, sepse historia e tij personale është dramatike: nuk ishte ministrant, ishte persekutues i Kishës - kujtoi Papa -  krenar për bindjet e veta; i dukej vetja burrë i vërtetë, që i njihte mirë jetën e detyrat e veta. Por në këtë kuadër të përkryer, një ditë prej ditësh i ndodh e papritura, e paparashikueshmja; takimi me Jezusin e ngjallur, në udhën e  Damaskut: “E persekutuesi bëhet apostull. Pse? ‘Sepse - kujton - pashë Jezusin e gjallë! Pashë Jezusin e gjallë!’. Ky është themeli i fesë së Palit, si i fesë së Apostujve të tjerë, si i fesë së Kishës e si i fesë sonë”.

Një zemër racionalistike nuk e kupton ç’do të thotë krishterim  

Krishterimi nuk është aq kërkimi ynë për t’u takuar me Zotin - kërkim, në të vërtetë, i luhatshëm - por kërkimi i Zotit për t’u takuar me ne. Jezusi na mori, na mbërtheu, na fitoi, për të mos na lëshuar më. Por për ta kuptuar këtë, duhet një zemër e hapur: “Krishterimi është hir, është befasi, mahnitje e, prej këndej, kërkon një zemër të aftë për t’u mrekulluar. Zemra e mbyllur racionalistike është e paaftë për mrekullim, nuk mund ta kuptojë ç’është krishterimi. Sepse krishterimi është hir, e hiri vetëm mund të përceptohet, e akoma: të ndjehet në mrekullimin e takimit”.

Duhet të shkosh te varri yt, për ta provuar ngjalljen

E atëhere, edhe nëse jemi mëkatarë, edhe nëse premtimet tona kanë mbetur vetëm mbi kartë, ose nëse, duke e shikuar jetën tonë, kujtohemi se kemi pasur një mori dështimesh…. Në agimin e Pashkëve mund të bëjmë si njerëzit, për të cilët na flet Ungjilli: të shkojmë te varri i Jezusit, ta shikojmë gurin e madh të flakur tutje edhe në jetën tonë: “Të shkojmë te varri ynë: të gjithë e kemi nga pak brenda nesh. Të shkojmë atje e të shikojmë sesi Zoti është i aftë të ngjallet prej aty. Kjo është lumturi, është gëzim e jetë! Atje ku të gjithë mendonin se s’kish tjetër, veç trishtim, disfatë, errësirë. Zoti bën të lulëzojnë lulet më të bukura, në plasat e shkëmbit më të thatë”.

Jezusi është këtu, ndërmjet nesh, i gjallë e i ngjallur

Nuk duhet, prandaj, të nisesh nga vdekja, por nga dashuria e Zotit për ne, që e mundi armiken tonë më të betuar. Zoti është më i madh se asgjëja, e mjafton vetëm një qiri, për të fituar mbi natën më të errët. Pali brohoret, duke na sjellë jehonën e zërit të profetëve: “Ku është, o vdekje, ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?”. Në këto ditë Pashkësh, ta ruajmë këtë brohori në zemrat tona: “E po të na pyesin pse vëmë buzën në gaz, pse jemi kaq durimtarë e pse dëshirojmë ta ndajmë gëzimin me të gjithë, atëherë mund t’u përgjigjemi se Jezusi është ende këtu, në Shesh, se vijon të jetë i gjallë, mes nesh!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.