2017-04-19 15:52:00

Françesku dhe Bartolomeu, së bashku në Egjipt, për paqen


Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, do të jetë në Kajro më 28 e 29 prill, së bashku me Papën Françesku. I ftuar nga Imami i Madh i Xhamisë së Al Azharit, edhe Patriarku ortodoks do të marrë pjesë me Atin e Shenjtë në konferencën ndërkombëtare për paqen, që do të mbahet në kryeqytetin egjiptian. Pavarësisht nga vështirësitë dhe nga atentatet e fundit kundër bashkësisë kopte, dialogu ekumenik dhe ndërfetar vijon me vendosmëri. Edhe dje, një sulm në një postobllok pranë Manastirit ortodoks të Shën Katerinës, në rrëzë të malit Sinai, shkaktoi vdekjen e një polici. Atentati u mor përsipër nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, Isis. Mbi kuptimin e kësaj pranie të përbashkët të Patriarkut Bartolomeu dhe të Papës Françesku në Kajro, pyetëm arkimandritin Athenagoras Fasiolo, delegat i Metropolitit ortodoks të Italisë:

Mendoj se dy Kishat më të mëdha të krishtera, dy familjet më të mëdha të krishterimit, janë dëshmitare të përbashkëta të një plani për paqen, që shkon përtej lidhjeve politike, ekonomike, edhe të superfuqive të ashtuquajtura të krishtera, që pak si tepër, së bashku me Perëndimin, heshtin para këtyre fakteve. Të gjitha fetë kanë për detyrë t’u mësojnë besimtarëve e dishepujve të tyre ç’kuptojnë me termin “paqe”. Paqja nuk është supremacia e njërit kundër tjetrit; kjo nuk është paqe. Paqja nuk imponohet kurrë, nuk i nënshtrohet dëshirave të disave kundër të tjerëve. Paqe do të thotë të koordinosh, të punosh së bashku për të gjetur një rrugë të kënaqshme e të drejtë, e cila të garantojë një jetë të denjë në tërësinë e saj. Nuk duhet të kemi frikë të themi se ka fraksione të çmendura, por besoj se, siç ka ndodhur në 2 mijë vjet historie të krishterë, gjatë së cilës kuptuam si duhet jetuar feja, ashtu edhe familjet e tjera fetare duhet ta përshkojnë të njëjtën rrugë. Sipas meje, nuk mund të shpëtojmë të vetëm: duhet të shpëtojmë të gjithë bashkë, njëri me tjetrin; të krishterë me të krishterë dhe të krishterë me besimtarët e feve të tjera.

A do t’ia arrijë dialogu ekumenik e ndërfetar të distancohet nga ata, që duan ta përdorin fenë për qëllime politike apo gjeopolitike?

Mendoj se po. Si njeri i fesë, besoj se po. Duhet të jemi të guximshëm, por duhet edhe të flasim me njëri-tjetrin për gjërat që nuk i kemi bërë, në mënyrë që të shmangej e gjithë kjo. Perëndimi ka fajet e veta për lindjen e këtyre fundamentalizmave; bota myslimane ka fajet e veta, sepse nuk ka ditur të drejtojë kah urtia një teologji, që është lënë e lirë të bëjë si të dojë. Duhet të takohemi, të flasim, të guxojmë, t’i bëjmë këto udhëtime të vështira, siç është ky në Kajro për Papën Françesku, për Patriarkun Bartolomeu dhe për krerët e tjerë fetarë, që do të jenë të pranishëm. Nuk mund të bëjmë sikur nuk i shohim vëllezërit tanë në fe, që vuajnë në anë të ndryshme të botës; nuk mund të mos themi se feja e krishterë, në këtë çast, është më e martirizuara në botë. Por kjo, jo për të pohuar ndonjë supremaci, por thjesht për të folur si vëllezër e për të gjetur zgjidhje.








All the contents on this site are copyrighted ©.