2017-04-17 00:00:00

E Hëna e Engjëllit: misteri i Krishtit Ngjallur përuron një jetë plotësisht të re.


E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit Ngjallur përuron një jetë plotësisht të re.

Krishti Gjall na nxit ta përhapim Ungjillin e Jetës në realitetin e jetës së përditshme. Sot është dita e dytë e Pashkëve, dita e dytë e Ngjalljes së Krishtit, e Hëna e Engjëllit, që zgjat galdimin e kumtimit të Pashkëve, prandaj edhe një herë të gjithëve urime: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u ngjall! Aleluja!

Kremtimi i Pashkëve, pra, kremtimi i Krishtit të Gjallë shtrihet e zgjat liturgjikisht tërë javën, pas të Dielës së Pashkëve, e cila dikur quhej “In Albis” që do të thotë “Me të bardha”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të Hënën pas të Dielës së Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit, atë të të Ngjallurit të Jezu Krishtit, ngadhënjimin e Tij mbi vdekje.

Po pse dita e parë pas Pashkëve quhet ‘e Hëna e Engjëllit’?

Kjo e hënë quhet tradicionalisht e Hëna e Engjëllit, për të nënvizuar një element të ngjarjes së madhe të Pashkëve e pikërisht çastin kur Maria Magdalenë shkon në kopsht, dëgjon dikë që e thërret e kujton se është kopshtari. Në të vërtetë në këtë figurë gjejmë diçka shumë të bukur, idenë e kopshtit të parë në botë, kopshtit të Parajsës Tokësore, që rikrijohet e përtëritet nga Ai (Jezu Krishtit) që u ngjall. Engjëjt kanë një rol të rëndësishëm në ngjarjen e madhe të Pashkëve. Ata u kumtojnë Ngjalljen e Jezusit grave që shkojnë te varri, u kumtojnë se Krishti nuk është më aty në varr. Engjëjt janë, pra, dëshmitarë që përhapin Gëzimin e Lajmit të bukur dhe përvojën e zemrës së re që Krishti ka ardhur të na dhurojë me vdekjen e ngjalljen e Tij.

Kështu, jemi akoma plot me galdimin shpirtëror që sjellin kremtimet solemne të Pashkëve në zemrën e besimtarëve. Me këtë kumtim e brohori Kisha e kremton të Hënën e Engjëllit. Këtij misteri kaq të madh të Ngjalljes së Krishtit, liturgjia kishtare nuk i kushton një ditë të vetme, por pesëdhjetë ditë, do me thënë gjithë Kohën e Pashkëve, që përfundon me Rrëshajët.

E Diela e Pashkëve, pastaj është një ditë krejtësisht e veçantë, që shtrihet në të gjithë hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme, duke formuar kështu Tetëditshin e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit, liturgjia e sotme na çon te varri i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, të nxitura nga dashuria e pakufishme për Jezusin.

Ungjilltari tregon se Krishti iu afrua grave e u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të më presin në Galile. Atje do të më shohin!” E, duke përshkuar gëzimin e jashtëzakonshëm që ndjenë gratë kur e panë përsëri Zotin dhe vrapimin e tyre plot entuziazëm për t’u bërë pjesë në këtë gëzim edhe nxënësve, shohim se ky gëzim nuk i përket një kohë të largët, por të gjitha kohërave, nuk është vetëm i të krishterëve të parë, por i gjithë njerëzve, të çdo kohe e të çdo vendi, sepse Krishti erdhi për të shëlbuar mbarë njerëzimin.

Edhe neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit në orën e mundimeve, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë të Tij e t’i kumtojmë mbarë botës Lajmin e Ngjalljes së Tij.  Sepse s’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij. E Kisha na porosit të gjithë të krishterëve ta përhapin në të katër anët e botës këtë lajm të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore.

Ky është mesazhi që të krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët të botës. Feja e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me një Person, takimi me Krishtin e Ngjallur. Në jetën tonë të përditshme nuk mungojnë rastet për t’ua përcjellë të tjerëve në mënyrë të thjeshtë e bindëse fenë tonë. E duhet ta kemi mirë parasysh se është më urgjente se kurrë që burrat e gratë bashkëkohës ta njohin e ta takojnë Jezusin e, në sajë edhe të shembullit tonë, ta lenë vetën të pushtohen nga Ai.

E të ndalemi pak te figura e Virgjërës Mari në orën e Engjëllit, që kumtonte Ngjalljen. Ungjilli nuk thotë asgjë për Marinë, po tradita e krishterë dëshiron ta kundrojë kur galdon më shumë se kushdo tjetër, në sa përqafon përsëri Birin e saj hyjnor, të cilin e mbajti me dhimbje të parrëfyeshme në prehër kur e zbritën nga kryqi. Tani, pas Ngjalljes, Nëna e Shëlbuesit galdon së bashku me miqtë e Jezusit, që krijojnë Kishën në fasha.

Ndërsa shijojmë urimet më të përzemërta të Pashkëve, ti lutemi Mbretëreshës Qiellore ta mbajë të gjallë në zemrën e secilit nga ne besimin në Ngjalljen e të na bëjë lajmëtarë të shpresës e të dashurisë së Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.