2017-04-15 18:54:00

Ngjallja e Krishtit është për ty! Alleluja!


Ngjallja e Krishtit është për ty

Është për ty kjo festë
Eja vëlla, është për ty kjo festë,
ky agim shprese e gëzimi.

Tepër gjatë ke ecur nëpër natë.
Sytë nuk e durojnë më
këtë errësirë të dendur,
këtë terr të frikshëm që mbulon çdo gjë.

Eja, kemi bërë gati një zjarr,
eja, kemi ndezur një dritë.

Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
të gjithë mund të fitojmë mbi ankthin e natës
e të gjejmë dritën për të shkuar përpara.

Eja, vëlla, për ty është kjo festë,
ky agim ku kujtimi bëhet realitet.

Tepër gjatë ke ecur në heshtje,
si dikush që ka humbur kujtesën,
e nuk di nga vjen e ku shkon.

Je takuar me rreziqe e pengesa
në vetminë tënde pa mbrojtje.
Pa një fjalë ngushëllimi,
pa një fjalë besimi,
pa një fjalë vëllazërore.
 

Eja, e kemi hapur Librin,
eja, duam të dëgjojmë një Fjalë jete.
Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
mund të lidhim të gjithë aleancë në amshim
me Zotin e me njerëzit.

Eja, o vëlla, kjo festë është për ty,
ky agim që na bën të lindim
në një jetë të re.

Tepër gjatë ke ecur në shkretëtirë,
duke e lënë pluhurin të ngjitet
në lëkurë e në rroba, në zemër e në sy
e ta thajë e ta bëjë eshkë grykën.

Eja, këtu është uji i gjallë
që gurgullon gjithnjë për ty, uji i pagëzimit.
Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
mund të ringjallemi për një jetë të re,
si bij të Zotit.

Eja, vëlla, është për ty kjo festë,
kjo tryezë e shtruar, kjo darkë ofruar për të gjithë.

Tepër gjatë ke ecur
pa bukë e pa ujë.
Të kanë lënë forcat,
energjitë janë shuar.

Tani e tutje edhe ti e di se Krishti Jezus
është Buka e Vera e jonë,
Korp i thyer, Gjak i derdhur
për jetën e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.