2017-04-14 11:48:00

Në se vdes Zoti, kush do të vijojë të na japë jetë?


Kryqi nuk është vdekja e Zotit, por është lindja e dashurisë së tij në botë! Bekuar qoftë Kryqi i Krishtit! Të falënderojmë, Jezus!

Në stacionin e dymbëdhjetë të Udhës së Kryqit ftohemi të meditojmë:
Njeriu marrëzisht mendoi: Zoti vdiq.

Por në se vdes Zoti, kush do të vijojë të na japë jetë?
Në se vdes Zoti, ç’është vetë jeta?...
Nga kryqi lind jeta e re e Saulit,
nga kryqi lind pendimi i Shën Agostinit,
nga kryqi lind varfëria e lumtur e Françeskut të Asizit,
nga kryqi lind mirësia rrëzëlluese e Shën Vinçencit të Paolit;
nga Kryqi lind heroizmi i Maksimilian Kolbes,
nga Kryqi lind bamirësia e mrekullueshme e Nënë Terezës,
nga kryqi lind guximi i Gjon Palit II,
nga kryqi lind revolucioni i dashurisë!

Prandaj Kryqi nuk është vdekja e Zotit,
por është lindja e dashurisë së tij në botë!
Bekuar qoftë Kryqi i Krishtit!
Të falënderojmë, Jezus!

Po ndalemi një çast në heshtje, në meditim, për ta ndjekur më pas Jezu Krishtin e kryqëzuar e të vdekur mbi kryq për mëkatet tona, në dy stacionet e fundit: të trembëdhjetin, kur trupi i Zotit zbritet nga kryqi e i dorëzohet Nënës së Dhimbshme e të katërmbëdhjetin, kur trupi hyjnor vendoset në Varr.

Meditim:
Krimi u krye,
ne e mbytëm Jezusin!

E plagët e Krishtit përvëlojnë
në zemrën e Marisë,
ndërsa një dhembshuri e vetme
rrok Nënë e Bir.

Dhembshuria! Po, dhembshuria,
bërtet, prek në shpirt, plagos
edhe njeriun që është mësuar
të hapi plagë.

Dhembshuria! Neve na duket
se po na dhimbset Zoti,
por në të vërtetë- përsëri-
jemi ne që i dhimbsemi Zotit.

Dhembshuri!
Po dhembja s’është e pashpresë
e nuk do të jetë kurrë më,
s pse Zoti ka ardhur të vuajë për ne.
Kur je me Zotin thua mund të dëshpërohesh?
 
Lutje:
O Mari,
kur përqafon tënd Bir, ti përqafon çdo bir,
ndjen dhembjen e të gjitha zemrave amtare.

O Mari,
ti Nënë e Dhimbshme… ti që beson!
Beson se retë nuk e shuajnë diellin,
beson se nata përgatitë agimin.

O Mari,
ti që këndove Magnificat,
nisja këngës që dhimbjen e mund,
ashtu si foshnja dhimbjen e lindjes.

O Mari, lutu për ne!
Lutu që edhe për ne të agojë
dita e bardhë e shpresës.

Stacioni i katërmbëdhjetë
Jezusin e vendosin në varr


Meditim
Jeta nganjëherë i ngjet
një së shtune shenjte të gjatë, të pikëlluar.
Gjithçka të duket e kotë.
Të duket se i mbrapshti ngadhënjen,
se e keqja është shumë më e fortë
sesa e mira.

Por feja na bën të shikojmë larg,
na bën të dallojmë agun e një dite të re,
përtej ditës së pikëlluar.
Feja na siguron se fjala e fundit
i takon Zotit: vetëm Zotit!

Feja është vërtetë një llambë e vogël
që ndrin natën e botës:
drita e saj e përvujtë shkrihet
me dritat e para të ditës,
ditës së Krishtit të Ngjallur.

Historia nuk mbaron në varr,
por shpërthen në varr:
kështu ka premtuar Jezusi,
kështu ka ndodhur e do të ndodhë.

Lutje:
O Zot Jezus,
e Premtja e Madhe është ditë e errët,
ditë e urrejtjes pa arsye,
ditë e vrasjes së të Drejtit!
Po e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit:
fjala e fundme
është drita që rindizet
dashuria që fiton mbi çdo urrejtje.

O Zot Jezus,
në sa jetojmë të premten tonë të madhe,
e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha,
na jep fenë guximtare të Marisë
për të besuar në vërtetësinë e Pashkëve;
na jep vështrimin e saj të kthjelltë,
për të parë vezullimet
që kumtojnë ditën e fundit të historisë:
“Një qiell të ri e një tokë të re”,
që nisin në Ty,
o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur! Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.