2017-04-14 00:00:00

Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë


Kryqi është ngjarja përmes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton.
Nuk mund të ikim nga një fakt: që në fillim të misionit, Jezusi flet për ‘orën e tij’ (Gjn. 2, 4), orë për të cilën ka ardhur (Gjn. 12, 27), orë të cilën e përshëndet me gëzim, duke brohoritur në fillim të Mundimeve të veta: “ Arriti koha!”.
Kisha e ruan me kujdes të madh kujtimin e këtij fakti e, në Besojmë, pasi pohon se Biri i Zotit “u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari e u bë njeri” menjëherë kujton “U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, vdiq e u varros”.
U kryqëzua për ne! Jezusi, duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit: atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi e mbushi me dashuri.
Përmes fesë e pagëzimit ne jemi njohur me vdekjen e Krishtit, dmth me misterin e Dashurisë me të cilin Krishti e jetoi vdekjen edhe fitoi mbi të. E kështu nis shtegtimi i kthimit tonë tek Zoti, kthim që do të përplotësohet në çastin e vdekjes sonë të jetuar në Krishtin e me Krishtin: dmth në Dashuri.
Duke ndjekur Udhën e Kryqit, të zënë për dore me Marinë, t’i lutemi Krishtit të na dhurojë një thërrime nga përvujtëria e nga butësia e tij, në mënyrë që dashuria e Krishtit të Kryqëzuar të hyjë brënda nesh e të na dhurojë një zemër të re sipas masës së zemrës së Zotit.

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.








All the contents on this site are copyrighted ©.