Vdekja e Krishtit mbi Kryq i jep kuptim vuajtjes e ndriçon vdekjen.
Të kundrosh fytyrën e masakruar të Krishtit të kryqëzuar: të Premten e Madhe Kisha i fton të krishterët t’i sjellin sytë nga Ai, që mori mbi vete gjithë mëkatet e ankthet tona njerëzore, e të lutemi posaçërisht për njerëzit që vuajnë ende sot botë. Fytyra e Krishtit sot pasqyrohet në fytyrën e çdo njeriu të poshtëruar, të fyer, të sëmurë, të vuajtur, të vetmuar, të braktisur e të flakur padrejtësisht nga radhët e shoqërisë njerëzore. Udha që bëri dymijë vjet më parë Krishti, duke u ngjitur në Kalvar deri mbi Kryq, është pasqyrë e udhës së njerëzimit në shekuj dhe pasqyrë e gjallë e dhimbjes në botën e sotme.
E Premtja e Madhe e Pashkëve përkujton Mundimet dhe Vdekjen e Zotit tonë,
Jezu Krisht mbi Kryq. Por, si duhet ta kuptojmë vdekjen e Krishtit në kryq?
Vdekja e Jezu Krishtit Zot mbi kryq është një mister aq i madh, sa s’ka fjalë që mund
ta shpjegojë. Nuk mjaftojnë shekujt për ta shpjeguar, sepse është një paradoks që
tregon dashurinë e Zotit. Në të vërtetë Jezusi thotë: “Gjithçka u krye…”, sepse në
këtë çast përmbushet e gjithë historia e shëlbimit - e Gjoni thotë: “Duke i pasë dashur
të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. Kryqi, vdekja e Jezusit,
flet pikërisht për këtë dashuri, që arrin deri në një kulm të padëgjuar…
Shumë është folur këto mëse 2000 vjet për flijimin e Jezus Krishtit në kryq,
madje ka lindur edhe pyetja: A nuk mund të përmbushej shëlbimi në një mënyrë tjetër,
ndoshta më pak të dhunshme?
Po, është e vërtetë; por pikërisht në ditët tona, një studiues i madh ka vënë në dukje
se vdekja e Krishtit, gjaku i Krishtit, nuk është pjesë e kësaj dhune, sepse flijimi
i Jezusit është flijim i viktimës së pafajshme, që u ngarkua me mëkatet e botës, ndryshe
nga zakoni njerëzor për t’i ngarkuar mëkatet e veta mbi shpatullat e të tjerëve. Jezusi
bëri të kundërtën e asaj që bëjnë zakonisht njerëzit. I ngarkoi mëkatet e të tjerëve
mbi shpatullat e veta. Prej këndej vdekja e Jezusit ka këtë kuptim të thellë: shpesh
fenë duhet ta pranojmë, më shumë sesa ta arsyetojmë.
Gjithsesi e keqja mbetet një mister i thellë, që vijon të na shkandullojë.
Pse nuk na e shpjegoi Zoti?
Zoti bëri diçka më të mirë, sesa ta shpjegonte të keqen, domethënë nuk erdhi të na
japë, në Krishtin, shpjegime diturake mbi të keqen – këtë mund ta bëjnë edhe filozofët,
madje edhe e kanë bërë – por erdhi për ta marrë mbi vete gjithë të keqen e botës e
për të fituar mbi të me të kundërtën, që është dashuria, prandaj Zoti ka dhënë një
shenjë të gjithëpushtetit të tij, të cilin ne nuk do të kishim mundur kurrë as ta
përfytyronim. Gjithëpushteti i Zotit nuk qëndron në dëbimin e së keqes përjashta kufijve
të botës, por në diçka shumë më të madhe, në shndërrimin e së keqes me të mirë, e
pikërisht këtë bëri Krishti në kryq: e shndërroi nga brenda të keqen në të mirë, shndërroi
urrejtjen në dashuri e padrejtësinë në shenjtërinë e në drejtësinë më të lartë.
Shumë nuk e kanë kuptuar, madje edhe janë shkandulluar, nga britma e Jezusit
në Kryq: “Zoti em! Zoti em! Pse më ke lëshua doret!... ç’kuptim ka kjo britmë?
Mbi të gjitha, duhet të kujtojmë se ky është fillimi i një Psalmi, e kur një hebre
intononte një Psalm, kishte parasysh gjithë psalmin, prandaj ky Psalm përfundon edhe
me lumni, përfundon duke folur për Shërbëtorin që ka vuajtur! Sigurisht kjo britmë
që Shpirti Shenjt e vuri në buzët e Jezusit, tregon se Krishti, si njeri, provoi atë
që mistikët e quajnë prova e skëterrës, dmth mungesën e Zotit. Jezusi si njeri deshi
të bëhej solidar me ne deri në kulmin e dhimbjes. E kulmi i dhimbjes nuk është fizik,
kulmi arrin kur Zotit hesht, kur Zoti të lëshon dore! Sigurisht e dimë se në këtë
çast Ati qiellor e shtrëngonte Jezusin ndër krahë më fort se asnjëherë tjetër gjatë
jetës së tij, por Jezusi, si njeri, provoi edhe largimin e Zotit, dmth dënimin e atyre
që e kanë bjerrë shpirtin!
All the contents on this site are copyrighted ©. |