2017-04-13 12:09:00

E Enjte e Madhe, dita e parë e Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve.


Fillon sot Treditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit. Misteret që kremtojmë në ritet liturgjike këtyre tri Ditëve të Shenjta të Pashkëve janë përmbajtja thelbësore, burimi e rrënja e të vërtetave dhe vlerave më të larta të krishtera. Me pak fjalë, kremtimet e Treditëshit të Pashkëve janë thelbi e zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë të realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja.

Me Misterin e Pashkëve, do të thotë me Mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e tij, Jezu Krishti e ka zhbi e asgjësuar vdekjen duka na çliruar nga robëria e të keqit e mëkatit dhe duke ne ripërtëri jetën. Kështu pra, sot besimtarët e krishterë kudo në botë,  kremtojnë të Enjten e Madhe, ditën e parë të Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve, e saktësisht sot Liturgjia Hyjnore përmes riteve të shenjta të Enjtes së Madhe, në mënyrë të posaçme e në rend të parë, Kisha, përkujton e kremton zanafillën, themelimin e Eukaristisë së Shenjtë, do të thotë themelimin e Meshës së Shenjtë, pra të Kungimit të Shenjtë.  Eukaristia e Shenjtë është misteri qendror e thelbësor dhe njëherit më i çmueshëm i fesë së krishterë, Sakramenti që në vlerat dhe domethëniet e shumta, është kulmi dhe gurra e jetës së krishterë, e lutjes liturgjike dhe e misionit Kishtar, siç porosit edhe Koncili i II i Vatikanit në mësimet e pasura mbi Eukaristinë.

Po sot të Enjten e Pashkëve, liturgjia paraqitet edhe shembullin e Urdhrit Meshtarak, të themeluar nga Krishti në Darkën e Mbrame, apo Urdhrin e Dashurisë, të simbolizuar personalisht në Jezusin me larjen e këmbëve të Apostujve, të cilin gjest Ai e ripohoi, e shpjegoi dhe dëshmoi deri në fund menjëherë pas Darke në Kopshtin e Ullinjve në Gjetsemani.

Gjithnjë në Meshën e quajtur të Bagmit, kremtuar sot para dite në çdo Kishë-Katedrale, nga Papa në Romë e nga ipeshkvijtë nëpër dioqeza të mbarë botës, së bashku me meshtarë, janë bekuar Vajrat e Shenjtë, që shërbejnë për kremtimin e Sakramenteve të Shenjta gjatë tërë Viti Kishtar.

Kështu, të Enjten e Madhe të Pashkëve, Kisha përkujton Darkën e Mbrame të Jezusit me Apostujt e vet, kremton dhe shpjegon Misteret kryesore të fesë së krishterë. Kujtojmë edhe një herë se Treditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Krishtit Zot, “kulmi i tërë vitit liturgjik”, që fillon sot me Meshën e Darkës së Krishtit me Apostujt, e gjen thelbin dhe gurrën e  vet në Natën e  Shenjtë të Pashkëve dhe mbaron me lutjet e Mbrëmësores të Dielën e  Ngjalljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.