2017-04-11 14:32:00

Papa Françesku takon fëmijët e “Bambin Gesù”: më tepër se spital, është familje


“Faleminderit për këto fotografi, për këtë libër, edhe për kushtimin… Janë kaq shumë histori. Secili prej jush është histori. Jo vetëm fëmijë të sëmurë, por edhe mjekë, infermierë, ata që vijnë për vizitë, familjet…”. Me këto fjalë, duke komentuar dhuratat, që i dhanë, Papa Françesku i foli një grupi fëmijësh e të rinjsh të shtruar në spitalin pediatrik “Bambin Gesù” në Romë, të cilët i takoi dje, në studion e Sallës Nervi në Vatikan. Nga mosha 5 deri në 18 vjeç, ata janë personazhet e  dokumentarit serial televiziv të RAI-t “Fëmijët e Bambin Gesù”, që transmetohet të dielave mbrëma nga RAI3. Shoqëroheshin nga familjarët, mjekët, nga presidentja e spitalit, Mariella Enoc dhe nga drejtori i përgjithshëm i RAI-t, Antonio Campo Dall’Orto.

“Unë – tha Papa Françesku – do të them dy gjëra, që më vijnë spontanisht. Njërën e vura re kur erdhët më 15 dhjetorin e kaluar. Përshëndeta dhe ishte doktoresha Enoc, që më shoqëronte së bashku me ndonjë mjek dhe më prezantonin fëmijët. I dinin emrat e të gjithëve, të secilit: ‘Ky po lufton kundër kësaj sëmundjeje…’. E dinin se ç’po ndodhte në jetën e tyre. E unë e kuptova – e thatë edhe ju e pastaj do të përmend atë, që thatë ju – pra, e kuptova se më shumë se spital, ky është familje e kjo është një nga fjalët, që më thatë”.

“Ishte më i rëndësishëm – vërejti Ati i Shenjtë në takimin e djeshëm – emri, njeriu e, vetëm pastaj, thuhej sëmundja, por si të ishte diçka dytësore. Jemi në familje, apo jo? …E gjënë e dytë e pamë tani. Ti – iu drejtua Papa njërës prej pacienteve, që e përshëndeti – rrije aty, kishe pak turp të ngriheshe se mos bëje figurë të keqe para telekamerave e drejtoresha, që është pak si nënë, t’u afrua e të tha ‘Eja’, duke të dhënë guxim. Kjo është gjë e bukur në familje, është shumë bukur”.

“Të hysh në këtë spital të shkakton gjithnjë frikë – shtoi Papa. Unë e shoh kur u afrohem fëmijëve… jo të gjithë, por disa, më të vegjël, më shohin me rrobe të bardhë e fillojnë të qajnë, mendojnë se jam mjeku që u bëj gjilpëra e, qajnë nga frika. Pastaj i përkëdhel e qetësohen”. “Sepse – përfundoi Françesku - gjithnjë në spital ka gjëra, që duhen bërë pa tjetër e, është real rreziku që të harrojmë se ka një ilaç të rëndësishëm, që vetëm familja mund ta japë: përkëdheljet! Është ilaç tepër i kushtueshëm, pse? Sepse për ta dhënë ti duhet të vësh aty gjithë vetveten, gjithë zemrën, gjithë dashurinë. E tek ju ka përkëdhelje! Përkëdheljet e mjekëve, të infermierëve, të drejtoreshës, të të gjithëve!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.