2017-04-11 12:22:00

Java e Madhe e Pashkëve: udha e Misterit


Këtë Javë të Madhe të Pashkëve, Kisha na fton të përjetojmë e të kujtojmë Mundimet e Jezu Krishtit, me sytë ngulur në Ringjalljen e Birit të Hyjit. Por si e jetojmë këtë Mister sot, pas më se 2000 vjetësh nga ngjarjet e vërteta? Si e ndjejmë e çfarë na thotë? Sigurisht, nuk do të ishim në gjendje ta duronim peshën e kryqit, ashtu siç e panë dhe e mbartën nëna e gratë, si edhe apostulli i dashur, të cilët e ndoqën Jezusin deri në Kalvar, megjithëse edhe sot ka nga ata, që e mbajnë këtë peshë për hatër të Zotit.

Por, nuk do të duronim dot kur ta përqeshnin, kur ta godisnin, kur t’i binin me kamxhik, kur të shtyhej e të pështyhej, kur t’i ngulnin gozhdët e ta vinin mbi kryq, i pafrymë nga dhimbjet, kur t’i binte koka mënjanë e të jepte shpirt. Ndoshta, nuk kemi fe e dashuri të mjaftueshme për të duruar peshën e atij vështrimi e të asaj dhimbjeje. Por sot, nuk e ndjejmë deri në kockë këtë histori, sepse e shohim Krishtin vetëm në një kryq prej druri e pavarësisht se pasqyrohet në të i gjithë mundimi i Tij, më pas ngushëllohemi kur e kundrojmë të shtrirë e pa vuajtje në fuguret françeskane e në ikonat bizantine.

Vetëm disa piktura të 600-ës e të 700-ës përvijojnë mundimet e të Kryqëzuarit e ndoshta, janë të vetmet, që na e shqetësojnë shikimin. Ne tani, kemi hirin të marrim pjesë në Mundimet e Zotit, në atmosferën e ngrohtë të Kishës. Në vijimësinë e kremtimeve liturgjike, në ritmin e antifonave, në leximin e trifishtë të së Dielës së Larit, kur tri vetë hedhin e presin tregimin e Mundimeve e, pastaj, në të Premten e Madhe; më tej akoma, në bukurinë e këngëve të korit e të zërit të solistit, në harmoninë mahnitëse të gjithçkaje, në këtë e në shumë gjëra të tjera, Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht janë si një lumë i rrëmbyer, që pasi përplaset në shpatet e majës së malit, përhapet në fushën e gjerë të jetës së Kishës.

         I ndërthurur në kalendarin liturgjik, i shndritur nga bukuria e devocionit, i ngrohur nga dashuria e popullit të krishterë, misteri i Mundimeve dhe i Vdekjes së Zotit tonë Jezu Krisht nuk përjetohet me trishtim e zymtësi, por shkëlqen nga rrezatimi i Ringjalljes.

Përgjatë historisë, misteri i krishterë arrin tek ne përmes jetës së shenjtorëve, që janë dashuruar pas tij dhe e kanë imituar, që e kanë treguar e përshkruar; përmes kishave e manastireve, ku ky mister është i pranishëm në forma të ndryshme dhe është kremtuar si në pikturat e Giotto-s, ashtu edhe në koralet e Bach-ut e madje, edhe përmes kujtimeve të paharrueshme e aromave të fëmijërisë së secilit prej nesh. Mundimet e Krishtit plotësohen në korpin e Kishës, shndërruar nga prania e Tij e gjallë. Krishti nuk reduktohet në muzikë, nuk shuhet brenda një shfaqjeje artistike e nuk mbytet në aluzionin koreografik të vuajtjeve të Tij.

Ai e mbush jetën e popullit e të njerëzve, hyn nëpër shtëpi, duket në dhimbjen e të sëmurëve e në gëzimin e të sapomartuarve, në parehatinë e shqetësimin e të rinjve dhe në dëshirat e idealet e tyre. Korpi i Krishtit jeton në tërësinë e përkushtimit të virgjërës, në mëshirën që shpëton, në bamirësinë e dashurinë, që shoqëron jetën a vdekjen. Krishti ngul këmbë me forcën e tij të gjithpushtetshme dhe shtyn drejt kthimit, drejt ndryshimit, drejt shndërrimit: një Dashuri, që tërheq dhe bind; një Prani, që sheh e ngjall jetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.