2017-04-09 14:07:00

Papa, në Ditën e romëve dhe e sintëve: nevojitet dialog e integrim


Në Ditën Botërore të romëve dhe të sintëve, që kremtohet çdo 8 prill, Papa kërkoi zgjidhje për të kapërcyer çdo pengesë e për t’u dhënë këtyre popujve të drejtat e tyre themelore, në kuadrin e detyrave, që u takojnë. Dje pasdite, në Konferencën për gjendjen e romëve në Evropë, organizuar nga ambasada hungareze në Romë, kryetari i dikasterit për Zhvillimin Njerëzor të Gjithanshëm, kardinali Peter Turkson, lexoi mesazhin e Atit të Shenjtë dhe theksoi se sfida e vërtetë në këtë fushë është integrimi.

         Kur individët dhe bashkësitë janë të lirë të marrin pjesë në jetën publike, duke dhënë kontributin personal, shkruan Papa Françesku, është e mundur të realizohet bashkëjetesa paqësore, në të cilën kultura e tradita të ndryshme arrijnë t’i ruajnë vlerat dhe zakonet e tyre, pa e parë tjetrin si kundërshtar, ose armik. Në gjurmët e të Lumit Pali VI, papa i parë që shkoi për të vizituar një kamp ciganësh në Pomezia, pranë Romës, Ati i Shenjtë Bergoglio pati ftuar në Vatikan rreth 7 mijë vetë, më 26 tetor 2015.

         “I njoh vështirësitë e popullit tuaj – pati thënë atëherë. …Kam pasur mundësinë të shoh kushtet e këqia në të cilat jetojnë shumë prej jush, për shkak të mënjanimit e të mungesës së punës, si edhe të mjeteve të nevojshme të jetesës. Kjo bie ndesh me të drejtën e çdo njeriu për të pasur një jetë dinjitoze”.

         Më 8 shkurt 2015, Papa Françesku shkoi për vizitë në kampin e ciganëve në lagjen Pietralata të Romës. Dëgjoi dëshmi dramatike, prandaj edhe një herë, nënvizoi rëndësinë e integrimit të romëve dhe sintëve në shoqëri:

         “Do të doja – ngriti zërin Ati i Shenjtë – që edhe për popullin tuaj të fillonte një histori e re, e risuar. Ka ardhur koha t’i çrrënjosim paragjykimet shekullore, stereotipet dhe dyshimet për njëri-tjetrin, të cilat shërbejnë shpesh si bazë për diskriminimin, racizmin dhe ksenofobinë. Askush nuk duhet të ndjehet i izoluar, askush nuk është i autorizuar të shkelë dinjitetin dhe të drejtat e të tjerëve”.

         Por edhe vetë romët, Ati i Shenjtë i këshilloi të mos u japin shkas mediave të flasin keq për ta; të sillen si qytetarë me të drejta, por edhe me detyra; të respektojnë ligjet e të japin kontributin e tyre në shoqëri, duke u përpjekur për emancipimin e brezave të rinj, që duhen shkolluar e punësuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.