2017-04-07 18:38:00

Problemi sirian ashpërson marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-të


Pas sulmit amerikan kundër Sirisë, Rusia kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën, presidenca aktuale amerikane vendosi ta bëjë me dyer të hapura. “Ato vende, që duan të mbrojnë tmerret në Siri – pohoi në Twitter ambasadori amerikan në Pallatin e Qelqit, Nikki Haley – le ta bëjnë këtë publikisht, që bota t’i dëgjojë”.

Ndërkaq, kryeministri rus, Dmitri Medvedev, përgjigjet në Facebook. Duke sulmuar një bazë ajrore siriane, SHBA-të kanë arritur “një hap larg ndeshjes me Rusinë”. Një anije lufte ruse hyri sot në Mesdhe, në drejtim të dy anijeve amerikane, duke u bashkuar me flotën ekzistuese. Fregata ruse është e armatosur me raketa të telekomanduara Kalibr. Në Mesdhe ndodhen aktualisht 10 anije të Moskës. Për mundësinë e një shkallëzimi ushtarak, pyetëm drejtorin e Revistës Italiane të Mbrojtjes, Pietro Batachi:

Mendoj dhe uroj që jo, sepse shkallëzimi do t’i dëmtonte të gjithë, si SHBA-të, ashtu edhe Rusinë. Nuk është e rastit që kjo e fundit u lajmërua me kohë për sulmin amerikan e natyrisht, rusët paralajmëruan sirianët. Është fjala për një sulm shumë politik, një mesazh për Assad-in e sidomos – do të shtoja – për Kim Jong-un, sepse në mesin e krizës bërthamore koreanoveriore, Amerika nuk mund të lejojë që përdorimi i armëve kimike të mbetet pa përgjigje.

Si do të jenë marrëdhëniet Rusi-SHBA? Putin e quajti sulmin, “agresion kundër një shteti sovran”…

Putin, është e qartë që do ta ngrinte zërin për të treguar edhe afërsinë e tij me aleatin sirian, por është po aq e qartë se nuk mund t’i sakrifikojë marrëdhëniet me SHBA-të, në emër të aleancës me presidentin sirian, Assad. Ky i fundit është një gur shahu funksional, me natyrë strategjike, që mund të flijohet nëse e kërkojnë rrethanat gjeopolitike.

Ç’kuptim marrin tani konferencat e ndryshme për paqen në Siri, në Gjenevë e në Astan të Kazakistanit…

Perspektivat nuk ishin të mira edhe para sulmit, por tani bëhen edhe më të pasigurta. Të mos harrojmë se janë dy lloj bisedimesh, që u përgjigjen logjikave të ndryshme. Ai, që s’mund të përfitojë prej tyre është pikërisht Bashar al Assad, i cili nuk u thirr si palë në Astana. Prandaj, nuk duket se sulmi do ta ndërlikojë më shumë nga sa është, krizën siriane, sidomos në veri të vendit, ku interesat e sirianëve, të amerikanëve, të turqve, të kurdëve e të rusëve janë tepër të ndërlikuara e të vështira për t’u ekuilibruar.

Folët pak më parë për çështjen koreanoveriore. Pyongyang eksperimentoi një raketë të re, operacion i dënuar nga OKB-ja, por edhe nga administrata amerikane. Këto ditë - siç bëri - presidenti Trump tha se Amerika është gati të reagojë e vetme. Ekziston rreziku real i raketave kundër Pyongyangut?

Ka hipoteza për këtë, sepse, vërtet, jemi para një shkallëzimi. Kësaj t’i shtojmë faktin se çdo administratë amerikane sjell të paktën një luftë: administrata e Bushit solli në botë luftën kundër Irakut; administrata Obama solli luftën me drone kundër terroristëve në anë të ndryshme të botës; nuk mund të përjashtohet që administrata Trump t’i sjellë botës luftën kundër Koresë së Veriut.

Po aty, situatat janë më të ndërlikuara: janë edhe ekuilibrat me Kinën, përveçse me Rusinë…

Është e qartë se ai korean përbën një skenar më të ndërlikuar në krahasim me të cilin, zbehet krejtësisht skenari i Lindjes së Mesme, që vijon prej 20 vjetësh. Aty kemi përpara jo vetëm popullsi të mëdha në numër, por edhe fuqi jashtëzakonisht të armatosura, fuqi bërthamore; kemi të bëjmë me ekuilibra të vështirë e sidomos, jemi një hap larg Kinës, e cila, sot, është e vetmja konkurrente e madhe për Amerikën, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak.








All the contents on this site are copyrighted ©.