2017-04-07 18:13:00

Java e Madhe e Pashkëve dhe kuptimi i saj!


Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë fillojnë Javën e Madhe të Pashkëve. Po ç’kuptim ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë kulmin e vitit liturgjik?

Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret e Dhëndrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe.

E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës Shenjte është ri-paraqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar ritet, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me përshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Kishën e me Krishtin.  Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt.

Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si Ditën e Zotit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës.

Në atmosferën e shenjtë të kësaj Jave, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit, internetit, telefonit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në Kishë. Secili nga ne duhet të programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin. Kujtojmë edhe hiret e posaçme Hyjnore që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe.

Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Prandaj kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë. Ngjarjet e Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes e të vëllazërimit në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe me të afërmin.

Prandaj, Kisha na fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë me Zotin, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e Pashkëve e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti Ngjallur.








All the contents on this site are copyrighted ©.