2017-04-07 18:39:00

Historia e Javës së Madhe të Pashkëve


Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.

Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vèren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”.

Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej përqafimi e puthja e paqes. Kremtimi përfundonte  me të Dielën e Pashkëve.

Kremtohej kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet që rrëfehen nga Ungjilli, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna.

Më pas u shtua edhe një ditë tjerë, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëne dhe e marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjèruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha të Pashkëve.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave të shenjta. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën e Javës së Madhe të Pashkëve, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën e Pashkëve, në Romë e në vise të tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.

Ritet që kremtohen sott ë Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hyjnë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.