2017-04-05 15:12:00

Për 90-vjetorin e Benediktit XVI breshëri botimesh


Më 16 prill Papa Benedikti XVI mbush 90 vjeç e ditëlindja e tij shoqërohet me një breshëri botimesh, kushtuar Papës Ratzinger. Ndërmjet tyre, vepra Benedikti XVI: Arti është portë drejt pafundësisë. Teologjia e Estetikës për një rilindje të re” (botuar nga Fabrizzio Fabri dhe Ars Illuminandi, 2017), përgatitur nën kujdesin e imzot Jean Marie Gervais, ndihmës-prefekt i Kapitullit vatikanas e themelues i “Tota Pulchra” si dhe nga vatikanisti Alessandro Notarnikola. Do të paraqitet më 22 prill, në orën 11.00, pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë.

Me parathënie të kardinalit Komastri, vepra ka pamjen e një doracaku arti dhe pasurohet me dhjetë piktura të panjohura, realizuar nga artisti Bruno Ceccobelli, frymëzuar nga po aq fjalime të Papës mbi artin dhe udhën e bukurisë.

Ndërmjet botimeve të shumta, me rastin e 90-vjetorit të ditëlindjes të Papës së nderit Ratzinger, është edhe “Benedikti XVI - pamje të një jete”, shtypur nga Botimet e Shën Palit, shkruar nga Maria Giuseppina Buonanno dhe Luca Caruso.

Vëllimi, duke nisur nga njoftimi historik për fillimin e papnisë – më 11 shkurt 2013 -  përshkon etapat kryesore të jetës të Papës së nderit, duke nisur nga fëmijëria, në Gjermani, në vitet ’30, për të kaluar tek drama e luftës dhe e burgosjes, thirrja për rrugën meshtarake, zgjedhja në krye të dioqezës së Munih-Frizingës, emërimi kardinal Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, për të arritur, pastaj, pas tetë vjet papnie, në dorëheqjen nga froni i Shën Pjetrit:

“Edhe pse rrethanat dhe vendet ndryshojnë e ngjyra e veshjeve kalon nga e zeza, në të kuqe e pastaj në të bardhë, ai, që njohim në faqet e këtij libri, mbetet gjithnjë i njëjtë nëpër ndryshime, njeri me të njëjtin orientim e me të njëjtin frymëzim të jashtëzakonshëm” - shkruan në parathënien e  librit, atë Federico Lombardi, ish-zëdhënës i Vatikanit, sot kryetar i Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger. 








All the contents on this site are copyrighted ©.