2017-04-05 19:17:00

Kuriozitet: Dhuratat që shkëmbyen Papa e Princi Karl


Dje pasdite Papa priti në audiencë, në studion, pranë Sallës së Palit VI, në Vatikan, Princin e Wells-it, Karlin dhe Dukeshën e Cornwall, Kamila. Françesku i dhuroi Karlit një degë ulliri prej bronzi. “Ky rrem ulliri është simbol i paqes - i tha - kudo të shkosh, ji njeri i paqes”. “Do të mundohem të jem” – ishte gjegjja.

Ndërsa Karli e Kamila i sollën Papës si dhuratë, një kosh me ushqime, ardhur nga Royal Estate di Highgrove, rezidencë e Karlit në Gloucestershire, për t’ua ndarë të varfërve e të pastrehëve të Romës.

Tetë vjet më parë, kur pati ardhur në Itali, i shoqëruar nga Kamila, Princi i pati bërë një vizitë Papës Benedikti XVI e, në përfundim të audiencës, që pati zgjatur 15 minuta, i dhuroi një komplet tasash prej porcelani, mbi të cilët qenë pikturuar lulet e kopshtit të tij. “Mund t’ju nevojiten”  - i tha, duke ia dorëzuar. Natyrisht nuk dihet ku do të kenë përfunduar. Ndoshta ruhen në ndonjë nga raftat e Magazinës së Lulishtarëve të Vatikanit, ku përfundojnë, të kataloguara me kujdes, të gjitha sendet e dhuruara ose mobiljet, që nuk përdoren më - një grumbull sendesh nga më të çuditshmet, të të gjitha epokave - që do t’i mrekullonin koleksionistët, po të kishin fatin të rrëmonin në këtë tog objektesh. Po ndoshta Papës Ratzinger mund edhe t’i kenë pëlqyer e tani i përdor për të pirë çaj në manastirin, ku jeton. Madje, ndoshta - ndoshta, do t’i qerasë miqtë që do ta vizitojnë për t’i uruar 90-vjetorin, të cilin do ta kremtojë së shpejti, me tasat e Princit.

Natyrisht, dhuratat e shportës së Karlit nuk patën fatin të përfundojnë në magazinën e mrekullive, duke u shndërruar në antika. Po ndoshta përfundimi i tyre ishte më i bukuri: shuan, për disa çaste, urinë e njerëzve të cilëve  nuk u takon kurrë në jetë të hanë gjellë princash.








All the contents on this site are copyrighted ©.