2017-04-04 13:55:00

Papa: zhvillimi i gjithanshëm është udha e familjes njerëzore


“Zhvillimi i gjithanshëm është rruga e së mirës, të cilën është e thirrur ta përshkojë familja njerëzore”. Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të Konferencës së organizuar pikërisht nga dikasteri për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës “Populorum Progressio” të Papës së lum, Pali VI.

Të integrohen popujt

         Qe pikërisht Pali VI ai, që e e përkufizoi mirë “zhvillimin e gjithanshëm”, duke propozuar “zhvillimin e çdo njeriu dhe e të gjithë njeriut” marrë në tërësi, nga të gjitha këndvështrimet. Prej këndej u nis Papa Françesku për të përvijuar sfidat e sotme:

         “Është fjala për të integruar popujt e ndryshëm të tokës. Detyra e solidaritetit na nxit të kërkojmë mënyrat e bashkëndarjes me njëri-tjetrin, që të mos ekzistojë ajo mosbarazi dramatike ndërmjet atyre që kanë tepër e atyre që s’kanë asgjë, ndërmjet atyre që hedhin e atyre që janë hedhurina. Vetëm rruga e integrimit ndërmjet popujve i siguron njerëzimit një të ardhme në paqe e në shpresë”.

Integrimi shoqëror

         Papa shpjegoi mënyrat e ndryshme të integrimit, duke u nisur nga ai shoqëror. Përmendi parimin e “susidiaritetit”, duke theksuar se të gjithë mund të japin një kontribut në shoqëri. Ky parim, që siguron ndërhyrjen e shoqërisë për personat në nevojë, pa e kthyer në asistencializëm, është baza e bashkëjetesës njerëzore, sepse vlen jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe qytetarëve, por edhe të vetë njerëzve me njëri-tjetrin. Prandaj, është detyrë dhe e drejtë për të gjithë. Ati i Shenjtë kërkoi integrimin e të gjitha fushave të jetës në kuadrin e susidiaritetit e të zhvillimit njerëzor, duke u nisur nga ekonomia, financa, puna, kultura, jeta familjare e, edhe feja:

         “Asnjëra prej tyre nuk mund të absolutizohet e asnjëra nuk mund të përjashtohet nga koncepti i zhvillimit të gjithanshëm e të përgjithshëm, i cili duhet të ketë parasysh se jeta e njeriut është si një orkestër, që dëgjohet mirë vetëm nëse instrumentet e ndryshme të saj akordohen dhe ndjekin një partiturë të përbashkët”.

Integrimi individual e komunitar

         Sfida tjetër, për të cilën foli Papa, është integrimi i përmasës individuale me atë komunitare. Ati i Shenjtë iu referua kulturës perëndimore, që e ka ekzaltuar kaq shumë individin, sa e ka kthyer në një lloj ishulli të vetmuar, ndërsa ideologjitë dhe pushtetet politike e kanë shtypur atë, duke e privuar nga liria e duke e konsideruar një numër në mesin e turmës. Françesku kritikoi pushtetet ekonomike, që e shndërrojnë globalizimin në një treg vetëm për fitime, në vend që të favorizojnë bashkimin ndërmjet njerëzve:

         “Njeriu dhe bashkësia nuk janë konkurrentë ndërmjet tyre, por njeriu mund të maturohet vetëm në praninë e marrëdhënieve ndërpersonale të vërteta, ndërsa bashkësia është e frytshme vetëm kur janë të tillë të gjithë së bashku e secili veç e veç. Kjo vlen edhe më shumë për familjen, që është qeliza e parë e shoqërisë, ku mësojmë të jetojmë së bashku”.

Të integrohet trupi me shpirtin

         Papa Pali VI shkruante se zhvillimi nuk mund të mendohet vetëm si zhvillim ekonomik e nuk ka të bëjë vetëm me nevojat e trupit, por edhe me ato të shpirtit. E pikërisht duke folur për integrimin e tyre, Papa Françesku nënvizoi:

         “Të integrosh trup e shpirt do të thotë që asnjë vepër zhvillimi nuk do të mund ta arrijë plotësisht qëllimin e saj, nëse nuk respekton atë vend brenda nesh, ku është i pranishëm Zoti e ku i flet zemrës sonë”.

Rruga e Jezu Krishtit

         Rruga për arritjen e këtij integrimi shumëpërmasor, shpjegoi Papa Françesku, është Jezu Krishti. Përmes Tij, Zoti iu dëftua botës; në Të, Hyji e njeriu nuk janë të ndarë ndërmjet tyre. Udha, që Kisha dëshiron t’i tregojë botës, përbëhet pikërisht nga gjestet e Krishtit, nga “shërimi, çlirimi, pajtimi”, të cilat jemi të thirrur t’ua propozojmë sa e sa të plagosurve nga jeta, në anë të rrugës, theksoi Papa. Për këtë, na ndihmon koncepti i krishterë mbi njeriun, që e sheh atë jo si individ të vetmuar, por si person në marrëdhënie me të tjerët, duke shmangur përjashtimin nga shoqëria, duke pohuar dinjitetin e patjetërsueshëm e lirinë e secilit, duke luftuar shfrytëzimin dhe shtypjen:

         “Kisha nuk lodhet së ofruari këtë dije, si edhe veprën e saj në botë, me vetëdijen se zhvillimi i gjithanshëm është udha e së mirës, që është e thirrur të përshkojë familja njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.