2017-04-04 11:46:00

Kardinali Parolin: “Populorum Progressio” kujton çka ka vërtet vlerë për njeriun


Dje, në Sallën e Sinodit, në Vatikan, u hap Kongresi ndërkombëtar me titull: “Perspektiva në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, 50-vjet pas Enciklikës ‘Populorum Progressio’”. Organizator i takimit, që përfundoi sot me audiencën tek Papa, ishte dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor; synimi, thellimi i perspektivave teologjike, antropologjike e baritore të Enciklikës së Palit VI.  

Zhvillimi i gjithanshëm do të duhej të kishte për bazë zhdukjen e padrejtësive kundër dinjitetit të njeriut, ndërsa  gjithnjë më shpesh forcat ekonomike e politike sundojnë mbi njerëzit më të ligshtë, në dëm të tyre. Me këtë vërejtje kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, e hapi dje homelinë gjatë kremtimit eukaristik, mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit për pjesëmarrësit e Kongresit:

“Development consists in the passage from less human living conditions…”

“Zhvillim do të thotë të kalosh nga një gjendje e keqe jetese, në përmirësimin e kushteve të jetës. E cilat janë kushtet e vërteta të jetës? Të jetosh si duhet, do të thotë të zhdukësh varfërinë e të plotësosh nevojat e domosdoshme; do të thotë t'i zhdukësh vuajtjet, të zgjerosh horizontet e dijes, të pajisesh me edukatë e kulturë. Prej këndej, njeriu mund të bëhet më i vetëdijshëm për dinjitetin e vet dhe të të tjerëve, mund të edukohet me shijen e shpirtit të varfërisë, të tregojë më shumë interes aktiv për të mirën e përbashkët e të ketë gjithnjë më shumë dëshirë të rrojë në paqe. Kështu njeriu mund t’i njohë vlerat më të larta, e edhe vetë Zotin, autor e zanafillë e jetës. Së fundi, më e rëndësishmja: feja, që Zoti ua dhuron njerëzve vullnetmirë, e dashuria jonë, në bashkim me Krishtin, që u bën thirrje gjithë njerëzve të jetojnë së bashku në paqe, si bij të Zotit të gjallë, Atit të të gjithëve”.

Më pas kardinali Parolin vuri në dukje edhe vlerat themelore të këtij dokumenti, i cili për herë të parë e përhapte në nivel botëror, Doktrinën Shoqërore të Kishës:

“Çka ka rëndësi për ne, është njeriu: çdo njeri, çdo grup e mbarë njerëzimi. Ka rëndësi zhdukja e padrejtësive, si individuale, ashtu edhe strukturore, që i ndeshim ditë për ditë e propozimi i mirëqenies së përgjithshme. E pra shpesh ndodh e kundërta. Favorizohen forcat ekonomike e politike, pa menduar për të tjerët. Ndërsa  dashuria për pushtetin, do të duhej zëvendësuar me pushtetin e dashurisë”.

Në kongres ishte i pranishëm edhe kardinali Gerhard Ludwig Müller, prefekt i Kongregatës për Dokrinën e fesë, që nënvizoi se programi i sotëm i zhvillimit totalitar të humanizmit pa Zot e kundër Tij, është në kundërshtim me propozimet, që i bën Kisha botës me Ungjillin e Krishtit, domethënë, me propozimin për një zhvillim të gjithanshëm, bazuar mbi sintezën e bashkëpunimit të vërtetë njerëzor për realizimin e vullnetit të shpëtimit universal të Zotit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.