2017-04-03 17:02:00

Terror në Shën Pjetërburg: 10 të vdekur e 39 të plagosur


Terror i ri në Evropë, pas atentatit të Londrës. Në Shën Pjetërburg të Rusisë, qyteti i dytë pas Moskës, shpërtheu një bombë në metropolitanë, ndërmjet dy stacioneve. Një bombë tjetër u gjet e pashpërthyer. 10 të vdekur e 39 të plagosur: ky është bilanci provizor. Akoma nuk dihen autorët e atentatit, por policia po bën hetime pa përjashtuar asnjë pistë.

         Në qytet ndodhej presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili merr pjesë në një forum, që po mbahet në qytetin e tij të lindjes. Bomba shpërtheu në një vagon të metrosë, ndërmjet stacionit të Institutit të Teknologjisë dhe atij të Ploshchad Sennaya. Bomba tjetër u gjet në një stacion pranë sheshit të Revolucionit. Sipas policisë, bomba ishte rudimentale, e formuar nga 200-300 gr tritol, me fragmente fishekësh për ta bërë edhe më vdekjeprurëse.

         Prokura flet për atentat e të gjitha stacionet e metrosë janë mbyllur. “Pistat hetimore janë ato të aksidentit, të kriminalitetit e sidomos, të terrorizmit”, shpjegoi vetë presidenti Putin, i cili u lidh menjëherë me forcat e sigurimit. Shën Pjetërburgu ka qenë në shënjestër të terroristëve edhe në tetor 2015, sepse ishte destinacioni i avionit rus të Metrojet, në të cilin shpërtheu një bombë, që shkaktoi 224 viktima, nisur nga Sharm-el-Sheikh i Egjiptit.

Vitet e fundit, Rusia është sulmuar shpesh nga militantët çeçenë. Në mars 2010, së paku 38 vetë humbën jetën gjatë shpërthimit të dy grave kamikaze në metropolitanën e Moskës. Në vitin 2004, më se 330 vetë, gjysma e të cilëve fëmijë, u masakruan në shkollën e Beslanit. Në vitin 2002, policia hyri në një teatër të Moskës për t’i dhënë fund sekuestrimit të spektatorëve me një bilanc përfundimtar prej 120 të vrarësh. Kur ishte kryeministër, në vitin 1999, vetë Putin filloi një fushatë të rëndësishme kundër separatistëve islamikë të Çeçenisë, të cilët vijon t’i luftojë si president. Metroja e Shën Pjetërburgut, ndërtuar në vitin 1955, është e dyta pas Moskës. Vizitohet edhe nga turistë, pasi disa nga stacionet janë ndër më të bukurat në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.