2017-04-03 13:33:00

Papa: me mëshirë e falje, Jezusi është përmbushja e ligjit


Jezusi, që gjykon me mëshirë, është përmbushja e ligjit. Ky, thelbi i homelisë mbajtur nga Papa Françesku në Meshën e zakonshme të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, duke i ftuar të gjithë të mos hyjnë “në zemër të tjetrit” për të gjykuar, por të falin.

Përballë mëkatit dhe prishjes, Jezusi është përmbushja e vetme e Ligjit. Në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, në Shëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflektoi mbi faqen e sotme të Ungjillit sipas Gjonit, e cila propozonte dramën e gruas së zënë në flagrancë, në pritje të mbytej me gurë. Po Krishti i gjegjet atyre, që e padisin: “Kush është pa mëkat, të hedhë gurin i pari kundër saj”. Papa u ndalua edhe tek Leximi I, shkëputur nga Libri i Danielit Profet, kushtuar Suzanës, figurë e fisme biblike, e paditur për shkelje kurore nga dy pleq të flligtë, gjykatës të popullit. Atëhere - kujtoi Papa - gruaja e hirshme u detyrua të zgjidhte: ose  besnikërinë ndaj Zoti e ligjit, ose jetën. Ishte grua besnike, që e donte të shoqin, ndonëse edhe mund të kishte mëkate të tjera - kujtoi Papa - sepse s’ka njeri pa mëkat. Të gjithë jemi mëkatarë. E vetmja grua, që nuk mëkatoi kurrë, është Zoja e Bekuar. Sidoqoftë, në të dy episodet,  ndeshemi me pafajsinë, me mëkatin, korrupsionin e ligjin, sepse në të dyja rastet gjykatësit ishin të korruptuar, shpirtprishur:

“Në botë ka pasur gjithnjë gjykatës të korruptuar. Edhe sot ka. Në të katër anët e botës ka si këta. Pse korruptohet njeriu? Mëkati e korrupsioni nuk janë e njëjta gjë. Tjetër gjë është mëkati. Unë mëkatoj, rrëshqas, jam i pabesë para syve të Zotit, por pastaj bëj çmos të mos e përsëris të keqen, mundohem të pajtohem me Zotin ose, së paku, e di se nuk kam bërë aspak mirë! Ndërsa me korrupsionin, mëkati hyn, hyn, hyn, hyn deri në palcë të ndërgjegjes e nuk të lë vend as për ajrin”.

Ky është korrupsioni. Të korruptuarit - vijoi Papa - duke mos u ndëshkuar, besojnë se bëjnë mirë. Në rastin e Suzanës, gjykatësit, pleq të flligët, s’e kishin për turp as për mëkat të bënin dëshmi të rreme, vetëm e vetëm për ta shtënë në dorë gruan e bukur. E ky nuk është aspak rasti i parë. Në Shkrimin Shenjt ndeshemi shpesh me dënime të tilla. Deri Jezusi u dënua me vdekje me dëshmi të rreme. Ndërsa në rastin e kurorëthyerses së vërtetë, akuzuesit janë gjykatës të tjerë, me koka të mjegulluara nga  interpretimi i një ligji tepër të ngurtë, që nuk i lë asnjë hapësirë Shpirtit Shenjt. Nuk ishte ligj, por korrupsion i ligjshmërisë, korrupsion i respektimit të ligjit, kundër hirit. E pastaj është Jezusi, Mësues i vërtetë i ligjit, përballë gjykatësve të rremë, që e kishin zemrën të prishur ose që e shtrembëronin ligjin, duke rënduar mbi të pafajshmit e duke falur fajtorët:

“Jezusi thotë pak fjalë. Thotë: ‘Kush prej jush është pa mëkat, le ta flakë gurin e parë kundër saj'. Ndërsa mëkatares: ‘Unë nuk po të dënoj. Shko e mos mëkato më’. E kjo është përmbushja e ligjit, jo ajo e skribëve dhe e farizejve, që e kishin mendjen e prishur e bënin ligje pas ligjesh, pa i lënë fare hapësirë mëshirës. Jezusi është përmbushja e ligjit, e Jezusi gjykon me mëshirë”.

Duke e lënë të lirë gruan e pafajshme, Jezusi e quan “Nënë”, sepse - shpjegoi Françesku - vetëm e ëma ishte grua vërtet pa faj”, ndërsa për gjykatësit shpirtprishur përdor fjalët e Profetit: “Të plakur në vese”! Ftesa e Papës atëhere është të mendojmë për ligësinë, me të cilën veset tona i gjykojnë njerëzit:

“Edhe ne gjykojmë në zemër të të tjerëve, eh? Jemi të korruptuar? Apo akoma jo? Ndaluni! Të ndalemi. E ta shikojmë Jezusin, që gjykon gjithnjë me mëshirë: ‘As unë nuk po të dënoj. Shko në paqe e mos mëkato më!’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.