2017-04-01 09:00:00

Katër hoxhallarë anglezë te Papa pas atentatit në Uestminster


Të mërkurën, më 5 prill, katër imamë apo hoxhallarë anglezë do të priten në audiencë private nga Papa Françesku, pas atentatit terrorist në urën e Uestminsterit në Londër. Lajmin e jep kryeipeshkvi i Uestminsterit, kardinali Vincent Nichols, i cili do t’i shoqërojë ata. Krerët fetarë, nënvizoi ai, duan të dëshmojnë se impenjohen për të krijuar marrëdhënie të mira ndërmjet feve.

Sipas kardinalit, nga atentati, duhet mësuar diçka shumë e rëndësishme: “të mos i lejojmë bashkësitë të izolohen. Njerëzit e fesë mund të ofrojnë shumë. Dialogu ndërmjet njerëzve, që besojnë në Zot, krijon hapësira të përbashkëta. E nga kjo pikpamje, është detyrë për krerët fetarë të flasin, të takohen, të gjejnë së bashku zgjidhje, t’i bëjnë ballë ekstremizmit dhe dhunës. Pra, kujdes, të mos lihet feja në sferën private, sepse kjo do të kontribuonte edhe më shumë në izolimin e bashkësive fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.