2017-03-31 17:21:00

Papa Etërve Somaskë: kurrë “klerikalë”, gjithnjë pranë të fundmëve


Nisuni “në dalje” e shkoni drejt njerëzimit të plagosur e të përjashtuar: kështu u foli Papa Etërve Somaskë, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e Kapitullit të Përgjithshëm të Kongregatës së tyre, themeluar nga Shën Jeronim Emiliani, pajtor universal i jetimëve dhe i të rinjve të braktisur, laik nga një familje fisnike veneciane, që jetoi ndërmjet viteve ‘400 e ‘500,  bashkëkohës me Luterin.

Vendosi t’i braktisë pasuritë dhe nderimet e familjes, në të cilën kishte lindur, për t’u bërë familje e jetimëve, duke themeluar, kështu, Shoqërinë e Shërbëtorëve të të Varfërve, të njohur me emrin Etërit Komaskë, të pranishëm në mbarë botën me rreth njëqind qendra baritore, bamirëse e formuese në të pesë kontinentet; të fundmet, ato, që lindën pas cunamit në Indi, Sri Lanka si dhe në Republikën domenikane, pas tërmetit të Haitit. Projekti i themeluesit tuaj - u kujtoi Papa Somaskëve - ishte të reformonte më parë vetveten në besnikërinë ndaj Ungjillit, e pastaj bashkësinë e krishterë e atë civile:

“Ju inkurajoj t’i mbeteni besnikë frymëzimit të zanafillës e të dilni, për të shkuar drejt njerëzimit të plagosur e të përjashtuar”.

Posaçërisht, Papa i nxiti rregulltarët t’i shikojnë me sytë e Krishtit të fundmit, rininë e braktisur, jetimët e gjysëm jetimët - siç i quajti Françesku:

“Ata emigrantë, fëmijë, që arrijnë të vetëm në trojet tona dhe që kanë nevojë të gjejnë atësi e amësi. Dëshiroj ta nënvizoj: mbi varka shumë vijnë vetëm e kanë nevojë për këtë. Kjo, e të tjera si kjo, janë detyra juaj”.

Përkrah rregulltarëve, meshtarë e jo, është laikati somask. Papa i inkurajoi rregulltarët ta aktivizojnë për një angazhim më të plotë në fushën shoqërore të karizmës. Për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të të miturve, të  punëtorëve, për të parandaluar shfrytëzimin dhe trafikun:

“Janë probleme, që duhen përballuar me forcën çliruese të Ungjillit e, njëkohësisht, me mjete të përshtatshme operative e kompetenca profesionale”.

Më pas, ftesa e Françeskut drejtuar Etërve Komaskë të jenë të vëmendshëm përballë formave të përjashtimit, në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale e t’i shndërrojnë strukturat, atje ku është e nevojshme:

“Strukturat, në disa raste, japin mbrojtje të rreme, e frenojnë gjallërinë e bamirësisë dhe të shërbimit ndaj Mbretërisë së Zotit”.

E akoma, edhe dy porosi: së pari, të përparojnë në inkulturim, kusht i domosdoshëm për të lëshuar rrënjë në Kishë e në botë e, së dyti, të vijojnë aktivisht punën për formimin e katekistëve, animatorëve laikë dhe të klerit:

“Një ndër rreziqet më të rënda, më të forta të Kishës sot, është klerikalizmi: punoni me laikët, që ta çojnë ata punën përpara, të kenë guximin për të ecur pa u lodhur, e ju mbështetini e ndihmojini si meshtarë, si rregulltarë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.