2017-03-30 12:54:00

Papa Françesku: Zoti derdh lot, nëse largohemi nga dashuria e Tij


Të mos ndjekim fantazi e idhuj të rremë, vetëm Zoti na do si atë e na pret gjithmonë. Këtë nënvizoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë, duke komentuar Leximin e parë, marrë nga Libri i Daljes, vuri theksin mbi dashurinë e Zotit për popullin e vet, pavarësisht nga pabesia e tij.

Tundimi i pabesisë ndaj Zotit

Zoti e ëndërroi popullin e vet, por ky e zhgënjeu. Hyji ëndërronte, sepse i donte njerëzit, vërejti Papa, por kur populli e zhgënjen, Zoti i kërkon Moisiut të zbresë nga mali, ku ishte ngjitur për të marrë prej Tij Ligjin. Njerëzit, pohoi Françesku, nuk patën durim as për 40 ditë, por bënë një viç të artë për ta adhuruar. Një lloj hyjnie për t’u argëtuar me të, shpjegoi Ati i Shenjtë, por “harruan Zotin që i kishte shpëtuar”. Baruku profet, kujtoi Papa, ka një shprehje, që e përshkruan mirë këtë popull: “Harruat atë që ju ka rritur”:

“Kur e harrojmë Zotin, që na ka krijuar, që na ka rritur, që na ka shoqëruar në jetë, e zhgënjejmë Atin Qiellor. Sa herë Ungjilli, Jezusi në shembëlltyra, flet për njeriun, që bën një vreshtë e pastaj dështon, sepse punëtorët duan t’ia marrin për vete. Në zemrën e njeriut, ekziston gjithmonë ky ankth. Nuk është i kënaqur me Zotin, me dashurinë besnike. Zemra e njeriut priret gjithnjë drejt pabesisë. E ky është tundimi”.

Zoti “zhgënjehet” nga pabesia e popullit të vet, që kërkon idhuj

Hyji pra, “përmes një profeti e qorton këtë popull”, që nuk është i qëndrueshëm, nuk di të presë, ka dalë nga rruga e drejtë e është larguar prej Zotit, në kërkim të një idhulli tjetër:

“Kemi të bëjmë me zhgënjimin e Zotit nga pabesia e popullit të vet… Edhe ne jemi populli i Hyjit dhe e dimë mirë si është zemra jonë. Çdo ditë duhet të marrim rrugën për të mos rrëshqitur dalëngadalë drejt idhujve, drejt fantazive, drejt gjërave të kësaj bote, drejt pabesisë. Mendoj se sot, do të na bëjë mirë të mendojmë për Hyjin e zhgënjyer: ‘Më thuaj o Zot, a je zhgënjyer prej meje?’. Në ndonjë gjë, po, me siguri. Por të mendohemi kur ta bëjmë këtë pyetje”.

Gjatë Krezhmëve, ta pyesim veten a largohemi nga Zoti

Hyji, pohoi Papa, “është zemërbutë”, ka zemër ati. Kujtoi çastin kur Jezusi vajtoi për Jeruzalemin. Ta pyesim veten, nguli këmbë Ati i Shenjtë, nëse Zoti derdh lot për mua, nëse është i zhgënjyer prej meje e nëse unë po largohem prej Tij. “Sa idhuj, që më skllavërojnë, nuk jam në gjendje t’i largoj nga vetja? – pyeti Papa. Sa idhujtari kemi brenda… E Hyji derdh lot për mua”:

“Të mendojmë sot për zhgënjimin e Zotit, i cili na ka krijuar me dashuri, ndërsa ne shkojmë e kërkojmë dashuri, mirëqënie, kënaqësi, në vende të tjera e jo në dashurinë e Tij. Largohemi nga ky Zot, që na ka rritur. Ky është mendim për Krezhmë. Do të na bëjë mirë. Le ta bëjmë përditë këtë shqyrtim të ndërgjegjes: ‘O Zot, ti që ke pasur kaq ëndërra për mua, unë e di se jam larguar, por më thuaj ku e si t’ia bëj për t’u kthyer…’. Do të habitemi se Ai na pret gjithmonë, ashtu si babai i birit plangprishës, që e pa ndërsa vinte nga larg, sepse e priste”.








All the contents on this site are copyrighted ©.