2017-03-29 14:11:00

Teknologjia, që i bën mirë njeriut, në një libër të atë Larrey


Teknologjia, në shërbim të drejtësisë e të paqes, frymëzuar nga vlerat themelore të njerëzimit. Për këtë flitet në librin e atë Philip Larrey, me titull “Botë e ndërlidhur” (Connected world), ku, përmes intervistave me drejtuesit e disa ndërmarrjeve, vihen në pah të mirat e të këqiat e dixhitalizimit. Temë me aktualitet të madh, që ka të bëjë edhe me Kishën, siç theksoi vetë atë Larrey, në paraqitjen e vëllimit në Romë.

Tekonologjia po ndryshon natyrën njerëzore

Askush nuk del më nga shtëpia pa celularin me vete, asgjë s’bëhet më pa ndihmën e App (aplikimit në celular), përmes të cilit thërrasim taksinë, marrim vesh kohën, prenotojmë një udhëtim e shumë të tjera. Por rreziqet janë të shumta, për shembull: i ka ardhur fundi jetës private. Megjithatë, jeta në  një botë të ndërlidhur dhe të automatizuar ka avantazhet e veta. Të dëgjojmë autorin e librit, atë Philip Larrey:

“Mendoj se edhe përmes teknologjisë, në një farë mënyre, jemi duke e ndryshuar natyrën njerëzore, sidomos me përdorimin e nano-teknologjisë, të robotikës dhe të inteligjencës artificiale. Besoj se kjo do të jetë sfida e së nesërmes. Shihet se ka shumë gjëra pozitive, pasi shumica e këtyre ndryshimeve janë pozitive, por nuk mund të jemi naivë e duhet të kemi kujdes, sidomos ta vendosim njeriun në qendër të këtyre ndryshimeve”.

Hapa të jashtëzakonshme kundër varfërisë

Ndryshim epokal, ky që rend me shpejtësi në binarët e teknologjisë dixhitale, të globalizimit dhe të së ashtuquajturës “big data”, pra të një sasie kaq të madhe të dhënash për t’u përpunuar sa të kërkohen teknologji e metoda të veçanta analize. Ndryshim, që sjell në shtëpitë e Perëndimit robotë, makina, inteligjencë artificiale, e cila na ndihmon në veprimtarinë e përditshme, por, siç nënvizoi prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Ekonominë, kardinali George Pell, mbetet gjithnjë kompiuter, pa ndërgjegje, e paaftë të mendojë e të shkaktojë të mira apo të këqia, gjithnjë nën kontrollin njerëzor. Prandaj, duhet kuptuar se nëse teknologjia përdoret si duhet është mundësi e re, theksoi kardinali Pell:

“Kemi bërë hapa të jashtëzakonshme përpara kundër varfërisë, pikërisht falë teknologjisë: edhe këtu, në Evropë. Niveli i jetesës tani është më i lartë, ekonomikisht: shumë më i lartë nga ç’ishte 100-200 vjet përpara. Për shembull, në Azi, miliona njerëz kanë pasur përmirësime të ndjeshme, numri i analfabetëve është ulur shumë. Vërtet, ka pabarazi, por shumë kanë arritur t’i shpëtojnë varfërisë”.

Pajtimi i vlerave të afarizmit me ato shoqërore

Atëherë, roli i ndërmarrjeve, që prodhojnë teknologji, është pajtimi i vlerave të afarizmit me ato shoqërore, bazë për njerëzimin. Duhet investuar për të ardhmen pa menduar për skenarë apokalipsi, por, duke u përpjekur për një zhvillim ekonomik të fuqishëm, të qëndrueshëm, që respekton ambientin dhe di t’u vërë fre aspekteve të errta të teknologjisë. Sërish, kardinali Pell:

“Çfarëdolloj sistemi vlerash, rëndësi ka t’u transmetohet brezave të ardhshme e ne duhet të hyjmë në këtë botë. Shumë janë ata, që ia duan të mirën shoqërisë, që kërkojnë të vërtetën. Vetëm njerëzit janë të mirë, ose të këqinj: makinat nuk janë të këqia…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.