2017-03-29 08:42:00

Papa: nga 9 deri më 16 prill kremtimet e riteve të Javës së Madhe të Pashkëve


Po i afrohemi përfundimit të kohës së fortë liturgjike të Krezhmëve, që paraprin e përgatit festën e Pashkëve, domethënë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krisht.

E krahas përgatitjes shpirtërore, vijon edhe përgatitja e programimi i kremtimit të riteve të shenjta liturgjike të Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. Kështu, në Vatikan, prej 9 prillit, e diela e Larit, deri më 16 prill, e diela e Pashkëve, Papa do t’i kryesojë të gjitha ritet liturgjike të Javës së Madhe e të Shenjtë të mundimeve, vdekjes mbi kryq e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Të dielën më 9 prill 2017 bie e Diela e quajtur e larit a e palmave, në të cilën përkujtohet hyrja e Jezusit në Jerusalem, i brohoritur nga turma që valëviste degët e ullinjve e të palmave. Papa, në ora 10.00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, do të kremtojë Meshën me procesionin që përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij.

Po në këtë të diel Kisha kremton edhe Ditën e rinisë në të gjitha dioqezat e botës (Dita botërore e rinisë, në praninë e Papës, kremtohet çdo dy a tre vjet. Dita e ardhshme botërore e rinisë do të jetë në Panama, më 2019).

Të Enjten e Pashkëve më 13 prill 2017 fillon i ashtuquajturi Treditëshi i Pashkëve. Ky treditësh i Mundimeve e Ngjalljes së  Jezu Krishtit, “kulm i tërë vitit liturgjik”, gjen thelbin e vet në Natën e Shenjtë të pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjen e mbrëmësores të së Dielës së Ngjalljes.

Të Enjten e Madhe të Pashkëve, Papa kremton në ora 9.30 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan Meshën e Bagmit, gjatë së cilës bekohen vajrat e shenjta që do të përdorën pastaj për ritet sakramentale gjatë tërë vitit liturgjik.

Pasditen e së Enjtes së Pashkëve, Papa Françesku kremton Meshën e Darkës së Mbrame të Jezusit me apostujt, gjatë së cilës kremton ritin e larjes së këmbëve, por akoma nuk është bërë publik vendi e ora e këtij kremtimi. Kisha kujton Darkën e Mbrame, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit-Atë Korpin e Gjakun e vet nën trajtën e bukës e të verës, ua dha apostujve si ushqim shpirtëror dhe i urdhëroi që ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej për shëlbimin e njerëzimit mbarë.

Të Premten e Madhe të Pashkëve më 14 prill Papa do të marrë pjesë në kremtimin e Mundimeve të Jezu Krishtit, në bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrit të vet dhe me ardhurimin e Kryqit – përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit mbi Kryq dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës.

Po të Premten e Madhe Papa, në ora 21.15 pranë amfiteatrit romak Colloseum, kryeson udhën e Kryqit, në përfundim të së cilës, do t’u drejtojë fjalën të pranishmëve dhe do të japë Bekimin e tij Apostolik.

Të Shtunën e Pashkëve më 15 prill në ora 20.30 Papa kremton në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan liturgjinë e Natës së Shenjtë të Pashkëve, dmth të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Nata e Pashkëve në nderim të Zotit, sipas një tradite shumë të lashtë, kremtohet me lutje, që na kujtojnë natën në të cilën Krishti u Ngjall. Kjo natë konsiderohet “nënë e të gjitha netëve të lutjes”. Këtë natë Kisha rri zgjuar, në pritje të Ngjalljes së Zotit Jezu Krishtit dhe e kremton me sakramentet e zanafillës së krishterimit.

Ritet e Natës së Pashkëve fillojnë me bekimin zjarrit të ri në hyrje të bazilikës së Shën Pjetrit.  Më pas procesioni do të hyjë në bazilikë me Qiriun e Pashkëve dhe me këngën “Exultet”, duke përshkuar në mënyrë procesionale bazilikën me kardinaj, ipeshkvij e meshtarë, e duke sjellë kumtin e Ngjalljes së Krishtit. Pranë altarit qendror të Bazilikën vijon pastaj kremtimi i Liturgjisë së Fjalës,  Liturgjisë së Pagëzimit dhe Liturgjisë Eukaristike. Papa do t’i bashkëkremtojë ritet liturgjike me kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët.

Të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit më 16 prill, Papa kremton në ora 10.00 në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan Meshën solemne të Pashkëve, sipas traditës, në mbarim të kremtimit, nga lozha a ballkoni i bekimeve të Bazilikës, do të jap bekimin apostolik “Urbi et Orbi” (Romës e botës).








All the contents on this site are copyrighted ©.