2017-03-27 14:11:00

Ipeshkvijtë kanadezë tek Papa për vizitë ad Limina


Sot paradite, në audiencë tek Papa ishin, për vizitë ad Limina, ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore të Kanadasë perëndimore.

Të shumta, sfidat shoqërore dhe problematikat baritore, për Kishën katolike në Kanada, një ndër vendet më të shekullarizuara të botës në dhjetëvjeçarët e fundit, që mbahet si më të përparuarat në ligjërimin e praktikave të diskutueshme lidhur me çështjet etike, si lindja e asistuar,  amësia surrogate, klonimi njerëzor, eutanazia e vetëvrasja e asistuar, bashkimet homoseksuale. 

Me shtrirje gati sa e gjithë Evropa, në pjesën më të madhe e pabanuar, Kanadaja ka 35 milionë banorë. Një mozaik popujsh të ndryshëm, të grumbulluar në dy zona kulturore e gjuhësore: anglofolës e frankofolës, lidhur me kolonizimin e vendit nga ana e anglezëve dhe e francezëve. Rreth 40% e banorëve janë katolikë të pagëzuar, pjesa tjetër, protestantë. Myslimanët përbëjnë vetëm 2% të popullsisë, pasuar nga hebrenjtë, budistët e hinduistët, 1% secili.

Impenjim i madh kërkohet nga ipeshkvijtë kanadezë në një mori frontesh, për ta çuar mesazhin ungjillor në zemrën e çdo njeriu e njeriun, në zemër të shoqërisë. I pareshtur, predikimi i Kishës mbi temat e paqes në botë, çarmatimit, zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së ambientit, drejtësisë shoqërore, mbrojtjes së popullsisë autoktone, emigrantëve e refugjatëve, të gjithë të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë së mirëqenies.

Ndër frontet më të dhimbshme, që duhet përballuar, ai i shpërdorimeve edhe i keqtrajtimeve të fëmijëve nga ana e klerit që, në të kaluarën, nuk kanë munguar as në kishën kanadeze, e cila i ka pranuar, duke kërkuar falje. I frytshëm, më në fund, edhe dialogu ekumenik e ndërfetar në këtë vend, ku u arrit në mbrojtjen e njëzëshme të parimeve të solidaritetit e të bashkëjetesës ndërmjet popujve edhe kohët e fundit, pas atentatit në xhaminë e Quebec City e kundër masave të presidentit Tramp në fushën e emigracionit.








All the contents on this site are copyrighted ©.