2017-03-27 14:55:00

Françesku: ta ruash jetën nga zënia, do të thotë të parandalosh çdo dhunë


U botua sot një tweet i ri i Papës, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë: “Të ruhet thesari i shenjtë i çdo jete njerëzore, nga zënia, deri në fund – shkruan Françesku – është udha më e mirë për të parandaluar çdo formë të dhunës”.

Në Evangelii Gaudium Papa pohon me forcë se Kisha është gjithnjë përkrah njerëzve të ligshtë e, ndërmjet tyre janë edhe fëmijët ende të palindur, më të pambrojturit e më të pafajshmit nga të gjithë, të cilëve sot  u mohohet dinjiteti njerëzor, me qëllim që të bëhet me ta sipas dëshirës, duke ua marrë jetën e duke promovuar ligjshmëri, në mënyrë që askush të mos mund ta pengojë këtë” (213). “Asnjeri - shkruan Françesku - nuk duhet të presë që Kisha ta ndryshojë qëndrimin e saj mbi këtë çështje. Dëshiroj të jem plotësisht i ndershëm lidhur me këtë. Ky nuk është argument që mund t’u nënshtrohet pseudo reformave, a “modernizimeve”. Nuk është përparimtare të pretendosh t’i zgjidhësh problemet, duke zhdukur një jetë njerëzore. Por është e vërtetë edhe se kemi bërë pak për t’i shoqëruar si duhet gratë, që ndodhen në situata tejet të vështira, në të cilat aborti u duket si rruga më e shpejtë për t’i dhënë fund ankthit të tyre të thellë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.