2017-03-24 18:26:00

Papa: “Bashkimi Evropian, realitet politik, ekonomik, por mbi të gjitha, njerëzor”


Papa Françesku u takua sot, në orën 18.00, me krerët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Evropian, me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës. Takimi u mbajt në Sallën Regia të Pallatit Apostolik, në po atë sallë ku Bergoglio pati pritur një vit më parë  liderët  e vendeve evropiane, mbledhur në Vatikan për t’i dorëzuar Çmimin Karli i Madh, të cilin Ati i Shenjtë e pranoi, duke ia kushtuar paqes. E sot, për Papën, një takim i ri historik me liderë, që kanë në dorë fatet e Evropës, të cilëve u drejtoi një fjalim programatik.

Pasi i falënderoi për praninë e tyre në këtë takim, në prag të 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve themeluese të Bashkimit Ekonomik Evropian dhe të Bashkësisë Evropiane të Energjisë Atomike, Papa u shprehu përzemërsinë e Selisë së Shenjtë për të gjitha vendet, që përfaqësojnë dhe për mbarë Evropën.

Kthimi në Romë gjashtëdhjetë vjet më pas – vijoi Françesku - nuk mund të  jetë vetëm shtegtim në kujtime, por edhe, e sidomos, dëshirë për të zbuluar kujtesën e gjallë të kësaj ngjarjeje të madhe e për ta kuptuar rëndësinë, që ka për të sotmen.  Duhet të kujtojmë sfidat e asokoshme, për të përballuar këto të sotmet e të nesërmet. Me rrëfimet e veta përplot me rikujtime - vijoi Ati i Shenjtë - Bibla na ofron një metodë pedagogjike themelore: nuk mund të kuptohet koha në të cilën jetojmë, pa të kaluarën, parë jo si tërësi faktesh të largëta, por si limfë jetike, që i jep jetë së sotmes. Pa këtë vetëdije, realiteti e humbet unitetin; historia, fillin e saj logjik e njerëzimi, kuptimin e veprimeve të veta dhe drejtimin kah e ardhmja e vet.

25 marsi 1957 – kujtoi në fjalën e tij Papa – ishte një ditë e ngarkuar me pritje e shpresa, ditë entuziazmi e meraku e vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme për rëndësinë dhe pasojat historike, mund ta bënte të pashembullt në histori.  Kujtimi i asaj dite bashkohet me shpresat e së sotmes e me pritjet e popujve evropianë, që kërkojnë ta shqyrtojnë të sotmen, për të vijuar me hov të ri e besim, udhën e nisur.

Ishin tejet të vetëdijshëm Etërit themelues - pohoi Papa – dhe liderët  që duke nënshkruar dy Traktatet, e vunë në jetë këtë realitet politik, ekonomik, kulturor, e sidomos, njerëzor, që sot e quajmë Bashkim Evropian. Nga ana tjetër - shtoi - siç pati thënë Ministri belg i Punëve të Jashtme Spaak, bëhej fjalë “për ekonomitë tona, progresin shoqëror, mundësitë industriale e tregtare krejtësisht të reja, por sidomos, për një konceptim krejt të veçantë  të një  jete vëllazërore e të drejtë, në shërbim të njeriut”.

Etërit themelues na kujtojnë se Evropa nuk është një tërësi rregullash për t’u zbatuar, nuk është doracak protokollesh e procedurash për t’u  realizuar. Është jetë, është mënyrë për ta konceptuar njeriun, duke u nisur nga dinjiteti i tij transhendent e i patjetërsueshëm, e jo vetëm një tërësi të drejtash që duhen mbrojtur a që duhen kërkuar. Në zanafillë të idesë së Evropës – ngulmoi Papa - është figura dhe përgjegjësia e njeriut, me tharmin e vëllazërisë ungjillore, me dëshirën për të vërtetën dhe drejtësinë,  të mprehur nga përvoja mijëravjeçare. Roma, me thirrjen e saj për universalitet, është simbol i kësaj përvoje e prandaj edhe u zgjodh si vend për nënshkrimin e Traktateve, sepse këtu - pati kujtuar Ministri  holandez i Punëve të Jashtme, Luns – u hodhën bazat politike, juridike e shoqërore të qytetërimit tonë.

Nëse qe e qartë që në  fillim se zemra pulsuese e projektit politik evropian nuk mund të ishte tjetër, veç njeriu, ishte po aq i qartë rreziku që traktatet të mbeteshin letër e vdekur. Ndërsa duhet të ishin përplot me shpirt jetik!

Nga solidariteti - vijoi Papa -  lind aftësia për t’ua hapur zemrën të tjerëve, “Planet tona nuk kanë natyrë egoistike” - pati thënë Kancelari gjerman Adenauer. “Pa dyshim, vendet që po bashkohen, nuk duan të izolohen nga pjesa tjetër e botës e të rrethohen me mure të pakapërcyeshme”.

Në kujtesën e zbehur të ditëve tona, shpesh harrohet edhe një fitore tjetër, fryt i solidaritetit, sanksionuar më 25 mars 1957: koha më e gjatë e paqes  në shekujt e fundit. Popujt, që në rrjedhë të historisë shpesh u ndeshën në kampe të kundërta, duke vringëlluar armët njëri kundër tjetrit, tani janë të bashkuar, me pasurinë e karakteristikave të tyre të veçanta kombëtare, e paqja vendoset gjithnjë me kontributin e lirë e të vetëdijshëm të secilit. Por pa u parë kurrë si pasuri  e përhershme, sepse mund  edhe të përfundojë, e pa të nuk është e mundur të ndërtohet e  ardhmja për askënd.

Evropa e Bashkuar - shpjegoi Papa – lindi nga një projekt i qartë, i mirëpërcaktuar, edhe pse në fillim ishte embrional. Çdo projekt i mirë i ka sytë tek e ardhmja dhe e ardhmja janë të rinjtë, të thirrur për të realizuar premtimet.

Ua kushtova Etërve të Evropës pjesën e parë të fjalës sime – shpjegoi Françesku - që t’i kujtonim fjalët e tyre, aktualitetin e mendimit të tyre,  angazhimin e apasionuar për të mirën e përbashkët, sigurinë se ishin pjesë e një vepre shumë më të madhe, sesa personat e tyre dhe madhështinë e idealit, që i frymëzonte. Emëruesi i tyre i përbashkët ishte shpirti i shërbimit, i bashkuar me pasionin për politikën  e me vetëdijen  se në zanafillë të qytetërimit evropian është krishterimi, pa të cilin vlerat perëndimore të dinjitetit, lirisë e drejtësisë  nuk mund të kuptohen.

Në 60-vjetët e fundit - vijoi Françesku – bota ka ndryshuar shumë. Nëse Etërit themelues, që mbijetuan nga konflikti shkatrrimtar, frymëzoheshin nga shpresa për një ardhmëri më të mirë e dëshironin ta vijonin rrugën e nisur, duke shmangur rrezikun e konflikteve të reja, koha jonë sundohet nga koncepti i krizës.

Cili është, atëhere - pyeti Papa – çelësi për interpretimin e vështirësive të së sotmes e për gjetjen e përgjigjeve, që lidhen me të ardhmen? Ç’na thonë për këtë Etërit themelues?

“Evropa e rigjen shpresën vetëm kur njeriu është qendra dhe zemra e institucioneve të veta. Të pohosh qendërsinë e njeriut, do të thotë të rigjesh edhe shpirtin e familjes, në të cilën secili kontribuon lirisht, sipas aftësive  e dhantive të veta, për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët. Duhet pasur gjithnjë parasysh se Evropa është Familje popujsh e Bashkimi Evropian lindi si unitet larmish e unitet në larmi. Larmitë, prandaj, nuk duhet të na trembin, e as nuk mund të mendohet se uniteti mund të mbrohet nga uniformiteti. Ai, përkundrazi, është harmonia e një bashkësie. Prandaj Bashkimi Evropian ka nevojë të rizbulojë se është mbi të gjitha, “bashkësi” njerëzish e popujsh, i vetëdijshëm se e tëra është më shumë se pjesa, e më tepër edhe se një shumë e thjeshtë. Prandaj duhet të zgjerohet gjithnjë më shumë shikimi, për të parë një të mirë edhe më të madhe, në dobi të të gjithëve”.

Evropa duhet ta rigjejë shpresën tek solidariteti, që është ilaçi më i frytshëm kundër populizmave moderne. Solidariteti krijon vetëdijen se je pjesë e një korpi të vetëm e njëkohësisht, aftësinë e secilës gjymtyrë  për të përkuar me tjetrën e me të tërën. Nëse vuan njëra gjmtyrë, vuajnë të gjitha (krh 1 Kor 12,26). Kështu edhe ne sot i qajmë së bashku me Mbretërinë e Bashkuar viktimat e atentatit, që e goditi rëndë Londrën dy ditë më parë.

Duhet nisur të mendojmë në mënyrë evropiane, për të shpëtuar nga rreziku i kundërt, ai i uniformitetit ngjyrë hiri, apo i partikularizmave. Politika pret një lidership ideal, që ta shmangë ndikimin mbi emocionet, për të fituar miratimin e të hartojë, me frymë solidariteti e ndihme, politika që e zhvillojnë mbarë Bashkimin, me një zhvillim të harmonishëm.

Evropa e rigjen shpresën, kur nuk mbyllet në frikën e sigurive të rreme. Përkundrazi, historia e saj  përcaktohet nga takimi me popuj  e kultura të tjera dhe identiteti i saj është dhe ka qenë gjithnjë, identitet dinamik e shumëkulturor. E sot është më shumë se kurrë, duke nisur nga ato vende që kërkojnë të hyjnë në Bashkim, ashtu si dhe vendet që marrin ndihma. T’ia hapësh portat botës, do të thotë të kesh aftësi për dialog, parë si formë e takimit në të gjitha nivelet.

Prej këndej, Papa kaloi tek problemi që e ka më shumë për zemër: emigracioni. Çështja e emigracionit - theksoi me forcë – krijon një problem, që është sidomos kulturor. Ç’kulturë propozon Evropa sot? Ndrojtja e bën shpesh t’i humbasë idealet. Por pa ideale mund të pushtohet nga frika se tjetri vjen t’ia trazojë zakonet, t’ia prishë rehatinë, t’ia vërë në diskutim stilin e jetës, bazuar kryesisht tek mirëqenia materiale. Po kjo mirëqenie nuk është pasuri e vërtetë. Pasuria e Evropës, përkundrazi, ka qenë gjithnjë aftësia për ta hapur shpirtin, aftësia për t’i bërë vetes pyetjet më themelore, ato mbi kuptimin e jetës. Mirëqenia e arritur duket sikur ia preu flatrat, ia terratisi sytë. Evropa ka një pasuri të pashoqe në botë, që meriton të ripropozohet me pasion e freski e që është edhe ilaçi më i mirë kundër boshllëkut të vlerave të kohës sonë, truall tejet pjellor për çdo formë ekstremizmi. Janë këto, idealet që e bënë Evropën Gadishull të Azisë, që shtrihet nga Uralet, deri në brigjet e Atlantikut!

Evropa do ta rigjejë shpresën, kur të investojë mbi zhvillimin e paqen. Zhvillimi nuk është një e tërë teknikash prodhuese. Ai ka të bëjë me gjithë qenien njerëzore, me dinjitetin e punës së tij, kushtet e përshtatshme, mundësitë për të marrë arsimin e duhur e për të mbrojtur shëndetin.

Evropa do të rigjejë shpresat, kur t’i hapë zemrën së ardhmes: të rinjve, duke u propozuar perspektiva serioze edukimi e mundësi reale punësimi. Kur të investojë mbi familjen, që është qeliza e parë dhe themelore e shoqërisë. 

Këtë theksoi Papa, duke i siguruar përfaqësuesit më të lartë të Kontinetit të Vjetër, se në përpjekjen për të ndërtuar këtë ardhmëri, do ta kenë gjithnjë pranë Selinë e Shenjtë dhe Kishën në mbarë Evropën.








All the contents on this site are copyrighted ©.