2017-03-24 17:43:00

Ngushëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit amerikan Keeler


Papa Françesku shprehu ngushëllimet për humbjen e kardinalit amerikan William Henry Keeler, që ndërroi jetë dje, në moshën 86 vjeçe. Në një telegram, drejtuar kryeipeshkvit të Baltimores, William E. Lori, Papa kujton me mirënjohje shërbimin ipeshkvnor të kardinalit të ndjerë në dioqezën e Harrisburgut e të Baltimores, si dhe në krye të Konferencës ipeshkvnore katolike të SHBA-ve, duke nënvizuar edhe angazhimin e tij ekumenik dhe ndërfetar.

I shuguruar më 17 korrik 1955 në Kishën e Shenjtorëve Apostuj në Romë, William Henry Keeler mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit. Më 1979 u shugurua ipeshkëv, më pas, shërbeu si kryeipeshkëv i Baltimores, selia më e lashtë katolike e SHBA-ve. Më 1992 ishte kryetar i Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve Katolikë Amerikanë.

Qe shumë aktiv në veprimtarinë për nxitjen e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, si dhe në  fushën e ungjillëzimit dhe të edukimit katolik.

Gjon Pali II e pati krijuar kardinal në Koncistorin e 26 nëntorit 1994, me Titullin e Shën Marisë së Engjëjve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.