2017-03-24 16:40:00

Motër Majlinda Topalli: Para se të lutesh pajtohu me vëllain tënd!


3. Mbi Lutjen nga motër Majlinda Topalli.

Vazhdojmë me reflektimet e motër Majlinda Topalli mbi lutjen. Kësaj radhe motër Majlinda ndalet se lutja si pajtim me vëllain tonë. “Një shembull konkret i kësaj– pohon motër Majlindja - është edhe lutja që na ka mësuar Jezusi. Ne kur i drejtohemi Atit Hyjnor, nuk themi Ati “im”, por  Ati “Ynë”. Po ta dëgjojmë reflektimin e saj...

Motër Majlinda Topalli: Para se të lutesh pajtohu me vëllain tënd

Kur i  krishteri i drejtohet  Hyjit duke e thirrur Atë, duhet të jetë i vetëdijshëm që këtë nuk mund ta bëj  vetëm, por është një thirrje që e bën së bashku me vëllezërit e tij. Një shembull konkret i kësaj është edhe lutja që na e ka mësuar Jezusi;  kur  ne i drejtohemi Atit, nuk themi Ati “im”, por  Ati “Ynë”. Të jemi rojtarët e vëllezërve tanë dhe të gjithë njerëzve në fe është një kusht thelbësor për të hyrë në një bashkim me Trinisë e  Shenjtë.

Pajtimi me vëllain është ajo  “dashuri”,  që na shtyn deri sa të shkojmë  edhe në takim me armikun tonë, deri në atë pikë që të kthejmë të keqen në të mirë. (Lk 6,27): ja sjellja  që do e shoqërojë ç’do fillim të dialogut me Zotin. Nëse harrohet kjo, lutja jonë do të jetë shumë e varfër, ndoshta edhe e pavlerë, sepse duke qenë qëllimi i lutjes bashkimi, nëse kur duam të lutemi, jemi të ndarë, urrejmë njëri –tjetrin, kemi inate, si mund të pretendojmë të dialogojmë me Zotin?!

Si mund të pretendojmë të hyjmë në dialog ose të duam Hyjin që nuk e shohim , kur nuk arrijmë të dialogojmë me vëllain që e shohim? (Gjn 4,20) Jo rastësisht e vetmja pyetje e lutjes “ Ati Ynë” që Jezusi komenton është: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë! ( Mt 6,12) dhe e bën këtë me fjalë  të qarta: “Vërtet, në qoftë se ju  ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë gabimet tuaja.” (Mt 6,14-15)

Besimtari e jeton fenë e tij në bashkësi, e shpreh në liturgji, që është lutja e gjithë Kishës dhe duhet të lutet së bashku me motrat dhe vëllezërit e tij duke bërë që lutja e bashkësisë të bëhet shkolla më e mirë e lutjes individuale. Nuk është e nevojshme të ndërmarrim një rrugë të re, në raport me lutjen, por Kisha na jep mundësinë e lutjes përmes Psalmeve, Leximit të shkrimit Shenjtë, lutjes Ati Ynë dhe kulmin e vet lutjes që është Eukaristia.

Liturgjia pra,  është ambienti jetësor ku mund të rritemi në fe dhe në bashkim me Zotin. Gjithsesi lutja e bashkësisë nuk i mjafton një të krishteri, atij i nevojitet të hyjë në një raport  që e prek personalisht jetën dhe zëmrën e tij, aty ku mund ti japësh një emër situatave që jeton, ti japësh një kuptim jetës sate, përse dhe për kë jetoj? Nga ku vije dhe ku jam i drejtuar? Kush jam unë? Cili është projekti i Zotit në jetën time?

 Të lutesh në vetmi, nuk është një formë individualizmi, por është një mundësi të takojmë Zotin në sekretin e zemrës, duke pranuar mbi ne, mbi jetën tonë atë shikim depërtues të Hyjit që të njeh,  që të shikon dhe që të do  në mënyrë të papërsëritshme. Ftesa e Jezusit që të lutemi në fshehtësi nuk është vetëm për të mos bërë si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. (Mt 6,5 ), por është një mënyrë për të hyrë në dialog të thellë me  Zotin, “fytyrë për fytyrë” me atë që nuk e shohim…

Po! lutja personale është një mundësi ti drejtohemi Hyjit në liri, të pranojmë në rrjedhjen e kohës praninë e Tij, të dëgjojmë atë të trokitur pas derës së zemrës sonë ( Zb 3,20), të shijojmë atë dashuri me të cilën na viziton, sepse shikimi i Hyjit mbi ne është shpëtimprurës, ashtu si na flet Shkrimi Shenjtë në librin e Isaisë profet;   “Mos u tremb se unë të shpërbleva, e të thirra me emrin tënd, ti je imi! Përmbi ujëra kur të kalosh, me ty do të jem, lumenjtë mbi ty nuk do të vërshojnë; nëpër zjarr kur të kalosh, nuk do të digjesh, flaka ty nuk do të të djegë, sepse unë Zoti, Hyji yt, Shenjti i Izraelit, Shpëtimtar: për shpërblimin tënd jap Egjiptin, në vend tënd jap Etiopinë e Sabën. Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, dhe i lavdishëm; unë të dua, i jap njerëzit në vend tënd, popujt për jetën tënde” (Is 43, 1-4 )








All the contents on this site are copyrighted ©.