2017-03-23 00:30:00

Më 24 mars Kisha në lutje për ditën e misionarëve martirë


Dita e përvitshme për misionarët martirë do të kremtohet të premten, më 24 mars, në 37-vjetorin e vrasjes së të Lumit Oscar Romero, kryeipeshkëv i San Salvadorit. Shumë nisma, në program. Për dioqezën e Romës, një mbrëmësore shëtitëse dhe musikali “Romero”, në teatrin Vignoli, me hyrje të lirë. Qëllimi: nuk duhet ta harrojmë kurrë atë, që deshi deri në fund të fundit!

Do të kujtohen martirë të afërt e të largët, martirë me jehonë botërore, si imzot Oscar Arnulfo Romero, dhe më pak të njohur, si atë Ragheed Ganni, Meshtari i ri katolik kaldeas, i vrarë në Mosul më 3 qershor të vitit 2007, në përfundim të Meshës. Sigurisht, nuk kërkonte famë heroi, ndërsa vijonte t’i shërbente Krishtit e të kumtonte Ungjillin, çdo ditë nën breshërinë e bombave. Për ta e 28 veprimtarët baritorë, të vrarë vitin e kaluar, Kisha ndalet e mediton, në një ditë lutjeje e agjërimi. Imzot Paolo Lojudice, ipeshkëv ndihmës i Dioqezës së Romës për Sektorin e jugut, i ngarkuar për Misionet, na flet pikërisht për vlerat e martirëve dhe të martirizimit:

 Martirizimi nuk kërkohet, martirizimi - si të thuash - është diçka, që misionari duhet ta parashikojë, sepse kurorëzim i jetës së krishterë, e - ndonëse gjë aspak e lehtë për t’u thënë - është dhuratë që i bën Zoti njeriut. Ndërsa misioni kërkohet, bëhet, çohet përpara në të gjitha mënyrat e mundshme... Ne, si Kishë e Romës, duhet të punojmë që të mos shuhet kurrë dëshira për veprimtari misionare, e cila i nxit njerëzit, priftërinj a laikë, të nisen për ta çuar Ungjillin deri në skajet më të largëta të tokës. Logjika është kjo: misione të largëta, misione të përditshme, misione të kohëve tona, të qyteteve tona, që nuk janë më pak impenjative. Të gjithë besimtarët janë të thirrur për mision, për ta jetuar atje ku janë  e, prej këndej, edhe misioni ynë këtu, në Romë, sot për sot, nuk është më pak impenjativ sesa të gjitha misionet e tjera. Natyrisht të gjitha aspektet e misionit duhen  mbledhur së bashku, për ta kuptuar udhën e vetme e të madhe të Kishës, që kërkon të kumtojë Ungjillin me të gjitha mjetet e mënyrat– të përshtatshme e të papërshtatshme – do të thoshte Shën Pali.

Kjo Ditë na kujton misionarë të kohëve të kaluara, jo aq të largëta, si imzot Romero, por edhe misionarë martirë të sotëm - mjafton të mendojmë për të krishterët në Irak e Nigeri dhe persekutimet që pësojnë çdo ditë...

Kush na flet prej këtyre viseve, na kujton se njerëzit e tyre vdesin vetëm pse janë të krishterë, bij të Kryqit. E unë mendoj se flitet tepër pak për atë, që po ndodh në disa vise të botës. Nganjëherë bombardohemi aq shumë nga televizori, që i mbush ekranet me gjithfarë sensacionesh, figurash, komentesh, që t’i marrin mendtë.... Nësa besoj se të gjitha bashkësitë duhet ta rikujtojnë shumë më tepër vlerën e lutjes e t’i shoqërojnë vazhdimisht me uratë këta njerëz, që martirizohen për Krishtin.     








All the contents on this site are copyrighted ©.