2017-03-22 16:29:00

Papa në Milano. Kryebashkiaku Sala: zhvillim e solidaritet së bashku


Të shtunën, më 25 mars, Papa Françesku do të shkojë në Milano. Menjëherë pas mbërritjes me avion në aeroportin e Linates, do të vizitojë periferinë jugore të qytetit. Në orën 10.00, në katedrale, do të takohet me meshtarët dhe rregulltarët. Në mesditë, Lutja e Engjëllit të Tënzot dhe bekimi i besimtarëve në sheshin para saj. Pastaj, dreka me të burgosurit në San Vittore. Në orën 15.00, mesha në parkun e Monza-s dhe, në orën 17.30, takimi me të rinjtë në stadiumin Meazza të Milanos. Në mbrëmje, kthimi në Vatikan. Si po përgatitet qyteti për vizitën e Atit të Shenjtë? Të dëgjojmë kryetarin e bashkisë, Giuseppe Sala:

         Sot, Milano është qytet, që nuk ka hequr dorë nga konkurrenca dhe nga promovimi i ekonomisë, por, me të njëjtin intensitet, përpiqet të jetë edhe Milano solidare. Shpresoj që Papa ta shohë me sytë e vet e dua të kem edhe mundësinë t’i tregoj sa hapa përpara drejt solidaritetit ka bërë qyteti.

         Milano është motorri ekonomik i Italisë. Por duket sikur lëviz me dy shpejtësi. A nuk ju duket edhe juve kështu?

         Kjo, po. Objektivisht, Milano ka bërë përparime të mëdha në fushën e ekonomisë. Për shembull, turizmi: aktualisht, nëse bashkohen vizitorët, që vijnë për afarizëm e për turizëm, Milano e kalon edhe Romën e kjo duket e pabesueshme. Por, nga ana tjetër, kemi periferitë. Ka lagje, që akoma përjetojnë probleme të rëndësishme. Ne po zbatojmë një plan ndërhyrjesh dhe investimesh për risistemimin e shtëpive, por edhe për vendet, ku njerëzit të rrinë së bashku… Nëse nuk zgjidhet ky problem i madh, të gjitha primatet e Milanos do të lënë gjithnjë një shije të hidhur në gojë. 

         Cilat janë problemet kryesore të periferisë milaneze?

         Para së gjithash, duhet filluar nga shtëpitë. Kemi 20 mijë apartamente, prona të bashkisë. E shpesh, duke filluar nga impianti elektrik e deri tek ashensorët, janë lënë pak pas dore. Pra, duhet filluar nga rregullimi i shtëpive. Pastaj, ka lagje ku duhet çuar sistemi i transportit publik, në mënyrë që të lidhen me qendrën. E më pas, tema e vendeve për t’u mbledhur. Sidomos të moshuarit duhet të kenë vende ku të takohen. Së fundi, siguria, që nuk është temë partiake. Të merremi me sigurinë do të thotë të mendojmë për njerëzit, që kanë më pak. Të gjitha këto gjëra së bashku tregojnë se nëse merremi vetëm me një aspekt, kemi bërë shumë pak. Duhet të merremi me të gjitha.

         Milano është tokë emigracioni. Disa vite më parë, qyteti ishte pikë tranziti për të shkuar në Evropë, por sot, emigrantët vijnë për të mbetur aty…

         Milano ka një numër emigrantësh, që përbën rreth 19% të popullsisë, dyfishi i mesatares italiane. Për të qenë të ndershëm, ata janë edhe motorr zhvillimi për qytetin. Disa nga bashkësitë janë integruar shumë mirë. Tashmë, po përballemi me një valë të ndryshme, që përbëhet nga njerëz, të cilët ikin nga lufta, ose nga uria. Deri një vit më parë, nga emigrantët që vinin në Milano, mbetej vetëm rreth 10%, sepse të tjerët shkonin drejt veriut: Zvicër, Francë, Gjermani. Sot është edhe më vështirë, sepse 70% e tyre kërkon statusin e refugjatit. Vështirësitë rriten, sepse, para së gjithash kemi një problem të menjëhershëm për mikpritjen, pastaj, duhet të kujdesemi për të miturit, të cilët duhen çuar në shkollë, u duhet dhënë një perspektivë jete dhe u duhen hapur mundësi. Por, dua të theksoj këtu se nëse nuk gjejmë formulën për t’u dhënë këtyre emigrantëve punë, do ta humbim betejën. Sepse Milano e shtrin gjithnjë dorën për të ndihmuar, por në fund të fundit, lypset të gjejmë zgjidhje integrimi që kalojnë përmes punës.

         A është e mundur të nxiten firmat shumëkombëshe të jenë solidare me njerëzit?

         Është e qartë që sot, Milano përjeton një çast pozitiv, të frytshëm. Është qytet i fuqishëm, sepse përbëhet nga elementë të fuqishëm. Sistemi universitar, me më se 200 mijë studentë, prej të cilëve 7-8% vijnë nga jashtë; sistemi industrial, i krijimtarisë, i modës, i design, i teknologjisë… Por, pavarësisht nga kjo, statistikat na thonë se një ndër dhjetë milanezë bën vullnetariat e kjo është e jashtëzakonshme. Ne mendojmë se forca e qytetit qëndron në aftësinë për t’i integruar këto botë të ndryshme e për të zbatuar politika, që bashkojnë fushën publike me atë private.  

         Ju personalisht çfarë prisni nga vizita e Papës?

         Pres vëmendjen për të fundmit – jo vetëm të fundmit, sepse qytetet nuk përbëhen nga të fundit, të parafundit e të tjerët…ka një gamë të gjerë nevojash – pra, pres që Papa të identifikohet me shoqërinë milaneze. Pres që pastaj, të largohet nga Milano me vetëdijen se mund të jesh, madje duhet të jesh konkurrencial si Milano, por me një nivel të lartë solidariteti; se kjo përzierje mund të funksionojë dhe se Milano mund të jetë shembull për qytete të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.