2017-03-20 16:33:00

Udhëtim në papninë 4-vjeçare të Atit të Shenjtë Françesku


Të mbrohen njerëzit, sidomos më të brishtët, si edhe gjithësia, me dhembshuri, duke u shërbyer atyre, sepse ky është “pushteti i vërtetë”. Ky është thelbi i homelisë së fillimit të papnisë së Atit të Shenjtë, Françesku, para katër vjetësh, më 19 mars 2013. Programi i Papës kishte për bazë figurën e shën Jozefit, festa liturgjike e të cilit bie pikërisht më 19 mars: një përkim plot kuptim, pati thënë Ati i Shenjtë.

E pikërisht nga ajo ditë, vjen ndër mend një fotografi: Papa ndalon xhipin, zbret nga makina, puth dhe përkëdhel një tetraplegjik. Gjest i meshës së parë, që do të përsëritet më pas mijëra herë. Përmbledh “programin”, që Ati i Shenjtë vazhdon ta zbatojë jo vetëm me fjalë, por sidomos me gjeste: kujdesin për ata, që jetojnë në periferitë e shoqërisë.

Pushteti i vërtetë është shërbimi

Një gjest, që do ta përsëriste gjatë larjes së këmbëve të të burgosurve, ose kur, në të premtet e Mëshirës, shkonte për të takuar gratë, skllave të prostitucionit. Françesku prekte korpin e Krishtit tek emigrantët, deshi qe vizita e tij e parë baritore të ishte në ishullin e Lampeduzës, ku zbarkonin mjeranët e kësaj bote, që kërkonin shpresë. Shkoi edhe në Lesbos të Greqisë e prej andej, mori me vete refugjatë, jo dafina. E pati thënë që në homelinë e 19 marsit 2013 se kjo do të ishte njëra nga shtyllat e papnisë së tij:

“Të mos harrojmë kurrë se pushteti i vërtetë është shërbimi e se, edhe Papa, për të ushtruar pushtet, duhet të hyjë gjithnjë e më shumë në atë shërbim, që arrin kulmin me të shndritur në Kryq; duhet të shohë shërbimin e përvuajtur, konkret, të pasur me fe, të shën Jozefit e si ai, të hapë krahët për ta mbrojtur gjithë Popullin e Zotit e për ta përqafuar me dashuri dhe dhembshuri krejt njerëzimin, sidomos më të varfërit, më të brishtët, më të vegjlit, ata që shën Mateu ungjilltar përshkruan në gjykimin e mbramë për veprat: ata që kanë uri, etje, të huajt, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit. Vetëm kush shërben me dashuri, di të ruajë!”.

Mos kini frikë nga dhembshuria

Shën Jozefi është figura, që e mishëron këtë lloj mbrojtjeje: ai mbrojti familjen, në heshtje, me përvuajtëri, në të mirë e në të keq, gjithnjë me dhembshuri dhe ëmbëlsi. Dhembshuria nuk është virtyt i zemërdobtëve: “nuk duhet të kemi frikë nga dhembshuria”, pati thënë Papa Françesku në meshë. Forca e dhembshurisë shprehet në përqafimet e në takimet e tij me të sëmurët, fëmijët, të moshuarit, me ata, që i rrinë larg Kishës.

Kisha në dalje, drejt periferive

Vërtet, gjatë këtyre katër vjetëve të papnisë, shihet qartë se Françesku e do Kishën në dalje, siç pati thënë në intervistën e tij të parë për revistën e jezuitëve “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik). Më mirë një Kishë me ndonjë problem, por në kërkim të njerëzve, edhe të atyre që i rrinë larg; Kishë me barinj, që u vjen erë delesh, e jo funksionarë. Kujdes, që u dëshmua edhe me Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Amoris Laetitia”: është dashuria e Kishës, që nuk gjykon, por tregon udhë të mëshirshme për t’u kthyer te Zoti, siç përvijoi edhe Jubileu i shpallur nga Papa Françesku.

Të mbrojmë gjithësinë e krijuar nga Zoti

Në homelinë e 19 marsit të katër vjetëve më parë, Ati i Shenjtë u drejtohet jo vetëm të krishterëve, por të gjithë njerëzve vullnetmirë. Fjalë, që i përsërit edhe më vonë e që ngërthehen si gur i çmuar në tekstin e Enciklikës “Laudato sì”:

“Të mbrojmë krejt Gjithësinë, bukurinë e krijuar nga Zoti, siç thuhet në Librin e Zanafillës e siç dëshmoi Shën Françesku i Asizit: të kemi respekt për çdo krijesë të Zotit dhe për ambientin ku jetojmë. Të mbrojmë njerëzit, të kujdesemi për të gjithë, për çdo njeri, me dashuri, sidomos për fëmijët, për të moshuarit, për më të brishtët, që shpesh janë në periferinë e zemrës sonë”.

Të mbrojmë, për të çuar shpresën e Krishtit

Edhe me meshët në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku deshi e do të takohet me njerëzit, për t’u kujtuar atyre cili është misioni i të krishterit. Mbrojtja e kujdesi synojnë “hapjen e horizontit të shpresës”, fjalë, së cilës, jo rastësisht, po i kushton një cikël në katekizmin e audiencës së përgjithshme:

“Ta mbrojmë Jezusin e Marinë, ta mbrojmë gjithë Krijimin, të mbrojmë çdo njeri, sidomos më të varfërin, të ruajmë vetveten: ja shërbimi, për të cilin është i thirrur Ipeshkvi i Romës; për të cilin jemi thirrur të gjithë, që të shkëlqejë ylli i shpresës: Ta ruajmë me dashuri gjithçka na ka dhuruar Zoti!”.

“Ju lutem, mos lejoni t’ju vjedhin shpresën”, u pati thënë të rinjve në meshën e së Dielës së Larit, po atë vit, në të dielën e parë pas fillimit të papnisë. E jo rastësisht, pas sinodeve për familjen, pikërisht të rinjtë do të jenë në qendër të sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve në Vatikan. Kështu, Papa Françesku do të vijojë të flasë për një shpresë, që nuk i ka rrënjët në këtë botë, por vjen nga lart: është shpresa, që na dhuron Jezu Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.