2017-03-20 16:49:00

Hapet, në Milano, ekspozita kushtuar të krishterëve të persekutuar


Shtypja, diskriminimi, martirizimi për shkak të Ungjillit, vijojnë akoma sot në shumë vende të botës. Ky realitet tejet i hidhur tregohet përmes  një ekspozite fotografike, titulluar “Të krishterët e persekutuar. Fytyrat e viktimave të persekutimit antikristian, ndërhyrjet për të mos i lënë vetëm”, organizuar nën kujdesin e Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” (ACS-Italia), në bashkëpunim me Rajonin e Lombardisë. Ekspozita u përurua sot, në orën 11.00 e do të mund të vizitohet deri më 21 prill, pranë “Spazio Espositivo di Palazzo Lombardia”(Hapësira Ekspozuese e Pallatit Lombardia) .

Planisfera e persekutimit kundër të krishterëve

“Rrugë e bazuar mbi përvojën”, e quan drejtori i sektorit italian të Ndihmë për Kishën që Vuan, Alessandro Monteduro, që sqaron se fotografitë  krijojnë një ide reale të jetës së përditshme të shumë vëllezërve tanë, të shtypur nën thundrën e përdhunës së terrorizmit ose të regjimeve totalitare në Irak, Siri, Egjipt, Pakistan, Nigeri, Sudan, Arabi Saudite, Indi, Indonezi, Kore e Veriut, Kinë e Eritre. Ekspozita realizon, kështu, planisferën e persekutimit antikristian. Por nuk ndalet vetëm mbi dokumentimin fotografik. Për ta ndihmuar vizitorin të krijojë një ide lidhur me atë, që po ndodh në gjirin e shumë bashkësive të krishtera në botë - vijon Alessandro Monteduro - ideuam edhe një hapësirë, në të cilën vizitori mund të gjindet para skenave të tmerrit, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.   

Mënyrë sensibilizimi për projektet e Ndihmë për Kishën që Vuan

Nisma shkon përtej dokumentimit. Ka qëllime formuese dhe propozuese: “Ne informojmë dhe sensibilizojmë - nënvizon Alessandro Monteduro - por, si fondacion i impenjuar prej 70 vjetësh në realizimin e projekteve, punojmë edhe për t’i ndihmuar konkretisht të krishterët, që vuajnë. Urojmë, prandaj, që kjo ekspozitë të jetë urë e re, sa simbolike, aq edhe konkrete, që lidh bashkësitë perëndimore me kombet, në të cilat shkelja e lirisë fetare është më e rëndë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.