2017-03-18 18:53:00

Vdiq kardinali Vlk: nga pastrues xhamash, kryeipeshkëv i Pragës. Ngushëllimet e Papës


Ndërroi jetë sot, në Pragë, kardinali Miloslav Vlk: 84 vjeç, ishte i sëmurë nga tumori. Papa, në një telegram dërguar kardinalit Dominik Duka, kryeipeshkëv i Pragës, shpreh ngushëllimet, duke e kujtuar me admirim besnikërinë e tij të patundur ndaj Krishtit, pavarësisht nga vuajtjet e persekutimet kundër Kishës si dhe kundër veprimtarisë së tij të frytshme  e të shumanshme, të frymëzuar nga dëshira për t’ua dëshmuar të gjithëve gëzimin e Ungjillit, duke nxitur përtëritjen kishtare, gjithnjë me frymëzimin e Shpirtit Shenjt.

Miroslav Vlk, i shuguruar meshtar në vitin 1968, u persekutua rëndë nga regjimi komunist çekosllovak. I detyruar ta kryejë në klandestinitet  shërbesën e tij meshtarake, punoi si pastrues xhamash në qendër të Pragës. Me të ashtuquajturin “Revolucioni i kadifenjtë” dhe rënien e komunizmit, në vitin 1989, ndryshoi jeta e vendit e me të, edhe jeta e tij. Më 1991 Shën Gjon Pali II e emëroi kryeipeshkëv të Pragës e, më 1994, e krijoi kardinal. Por ai mbeti njeri krejt i thjeshtë, gjithnjë pranë njerëzve, të thjeshtë, si ai vetë. Ndoqi lëvizjen e Fokolarëve, krijuar nga Chiara Lubich. Në shtator 2009 priti Benediktin XVI në Pragë. T’ia dëgjojmë zërin, përmes një interviste dhënë Radio Vatikanit, në prag të këtij shtegtimi:

Përgjigje: - Ne jemi vend, në të cilin feja katolike, feja e krishterë, nuk është shumë e përhapur. Kisha ishte e shtypur, e ashtu vijon të jetë; jemi të mënjanuar nga shoqëria. Në kohën e kontrollit të rreptë komunist, shumica e Kishës - sidomos laikët - mbeti pasive. Prej këndej kuptohet se Ati i Shenjtë vjen për t’i përforcuar besimtarët në fe; ky është kuptimi i kësaj vizite.

Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore të Kishës çeke sot?

Përgjigje: - Kisha çeke sot duhet të evoluojë, të hapet sa më shumë në gjirin e shoqërisë, të dialogojë me të, sepse ka – posaçërisht në radhët e politikanëve - shumë paragjykime kundër Kishës. Është e nevojshme të dëshmojmë, përmes dialogut, se paragjykimet nuk janë të vërteta.

Pyetje: - Gjatë 20 vjetëve pas rënies së komunizmit, ç’ndryshime ka pësuar vendi?

Përgjigje: - Politikisht nuk shihet ndonjë progres i madh. Shndërrimet vërehen më shumë në ekonomi, por edhe këto shndërrime u bënë pa bazë vlerash. Ka shumë korrupsion! Kjo nuk është demokraci. Demokracia e vërtetë. Nuk është demokracia, që ëndërrohej, që pritej. Sidomos nga “njerëzit e dhimbjeve” siç lexojmë në Librin e Izaisë profet. Domethënë me ata, që jetuan  me Jezusin në gjirin e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.